Tirana e dy viteve të fundit, një histori suksesi

0
146

Nga Halil Rama

tiranaDy vjet më parë, pikërisht në 8 maj 2011, qytetarët e Tiranës dëbuan me votën e tyre të lirë ish-kryebashkiakun socialist që e pati shndërruar bashkinë në një bunker të vërtetë.

Dy vjet më parë, Tirana ishte e zhytur në kaos total urban për shkak të politikave të mbrapshta të një ish-kryebashkiaku që para së gjithash injoronte Njeriun, Qytetarin.

Ishte pikërisht mazhoranca aktuale që para dy vitesh u dha qytetarëve të Tiranës shansin luksoz për ta çliruar veten, të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre nga një peng 12-vjeçar ngërçi e abuzimi prej interesave dhe monopoleve. Këtë shans atyre ua krijoi para së gjithash kjo mazhorancë, me përzgjedhjen e saj për t’ia besuar Lulzim Bashës drejtimin e bashkisë së kryeqytetit.

Gjithkush tashmë beson se dy vjet të drejtimit të bashkisë së metropolit shqiptar nga Lulzim Basha janë një histori suksesi.

Qoftë dhe një bilanc i shkurtër i këtyre dy viteve evidenton një nga periudhat më progresive në historinë e bashkisë së kryeqytetit shqiptar që nga themelimi i saj. Në të vërtetë, transformimi rrënjësor i metropolit shqiptar në afro dy vjet të drejtimit të tij nga Lulzim Basha dëshmon, para së gjithash, rritjen e performancës dhe besueshmërisë së administratës së bashkisë. Ballafaqimi me premtimet elektorale të para dy viteve nxjerr në pah jo vetëm përmbushjen e tyre, por edhe tregues të tjerë, që kanë të bëjnë me parametra bashkëkohorë të një qyteti në rritje e zhvillim intensiv.

Nëse para dy vitesh shumë nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, si dhe vetë qytetarët e shihnin me skepticizëm bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, kjo vinte para së gjithash nga mungesa e besimit te paraardhësi i Bashës, që e kishte shndërruar atë në një bunker. Që të fitohej besimi reciprok, duhej nisur pothuajse nga e para. Sfida kryesore mbeteshin burimet njerëzore. Kryetari i ri i bashkisë, zoti Lulzim Basha, pikërisht këtë sfidë arriti ta përballonte me dinjitet, duke afruar në stafin e tij njerëz me vizion, të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar për ta bërë Tiranën një qytet të standardeve të pranuara. Kryerja e analizave me përgjegjësi, identifikimi në kohë i problematikave dhe përcaktimi i rrugëzgjidhjeve efikase sollën brenda dy viteve të drejtimit të bashkisë prej tij ndryshimin e kërkuar. Para së gjithash, nën drejtimin e Lulzim Bashës, Bashkia e Tiranës ka punuar dhe vazhdon të punojë për t’u dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve.

Kjo është garancia e një fitoreje edhe më të thellë të kësaj mazhorance në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Qytetarët e Tiranës që e dëbuan kreun e PS-së nga drejtimi i bashkisë me votën e tyre të lirë para dy vitesh, edhe këtë 23 qershor do të dëshmojnë se janë pro integrimit të Shqipërisë në Evropë. Pikërisht pse është i bindur në disfatën e thellë që e pret, kreu i PS-së nuk guxoi të kryesonte listën e deputeteve të tij për Tiranës, por u zhvendos drejt Vlorës, ku edhe atje do të korrë atë që ka mbjellë. Pas shpalljes së listës së humbësve, u duk fare qartë se “kryerilindasin” e vonuar e ka zënë paniku duke rënë pre e imazhit të tij korruptiv. “Rilindja” që ai pretendon s’është gjë tjetër veçse ekzibicionizëm politik.

Ashtu si përgjatë 11 viteve të drejtimit të bashkisë me moskokëçarjen e tij të spikatur, e cila e pati zhytur Tiranën në një qerthull problemesh të përditshme për të gjithë qytetarët, edhe për të ardhmen lidershipi opozitar s’mund të ofrojë alternativë bindëse përveç asaj të bllokimit.

Pas përvetësimit të ideve e vizionit të Lulzim Bashës për punësimin e të rinjve, çlirimin nga ngërçi i informalitetit të tejskajshëm, kryeqytetasit në dominancë janë tashmë të bindur në rrugën e arsyes dhe të urtësisë. Ata kurrsesi nuk mund t’i rikthehen e t’i besojnë rrugës së individualizimit dhe acarimit të jetës politike, rrugës së aventurës dhe ekstazës, që shton konfliktualitetin dhe pengon progresin.

Shumica e qytetarëve të Tiranës dhe veçanërisht elita intelektuale e metropolit shqiptar besojnë se Basha, pas dy vitesh, e ka fituar sfidën e ndryshimit rrënjësor të Tiranës, duke i dhënë asaj fytyrën e një kryeqyteti perëndimor. Është ky besimi i patundur në fitoren e Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim më 23 qershor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency