Kloze rishkruan historinë e Serisë A

0
128

Përgatiti Altin Vorpsi

siç wsht e traditws,autori i tre a mw shumw golave, Klose merr topin me vetw nw pwrfundim tw takimit Lacio - Blonja

34-vjeçari i sulmit lacial përballë Bolonjës shënoi 5 nga 6 golat e realizuar nga bardhekaltrit përballë Bolonjës. Gjermani është lojtari më i vjetër që shënon pesë gola në një takim në Serinë A

 

 

“Pesë gola në një ndeshje i kam bërë vetëm një herë kur luaja me Kajzerslauternin. Kjo e sotmja ishte një ditë e bukur, pasi bëmë një punë të madhe. Ishte një ditë ku të gjithë ishim shumë aktivë. Skuadra më ndihmoi, prandaj edhe të shënoja ishte një lojë fëmijësh për mua. Këta pesë gola ia dedikoj familjes sime dhe Lacios, që realisht është familja ime e dytë”.

 

Pas Prucos

Pesë maji i 2013-ës nuk do të mbahet mend vetëm për triumfin numër 29 të juventusit në Serinë A. Kjo ditë do të kujtohet me zell nga tërë lacialët që do të mburren për bomberin e tyre, Miro Kloze. 34-vjeçari ia doli që të bënte diçka që nuk ndodhte prej 27 vitesh. Ishte 16 shkurti i 1986-ës, kur romanisti Roberto Pruco shkatërroi Avelinon me një pesëgolësh personal (5-1).

 

Rekordi

Miro Kloze në 2013-ën nuk kishte “përshëndetur” asnjëherë rrjetën. Ai kishte 141 ditë që nuk shënonte. Për herë të fundit kishte mundur Handanovçin në atë fitore që mori Lacioja përballë Interit më 15 dhjetor 2012. Por vetëm në 90 minuta, 34-vjeçari ia doli që të thyente rekordin personal ne Serinë A. Vjet Kloze u kënaq me 12 gola të shënuar pasi u dëmtua rëndë, ndërkohë që tani kur nga fundi i Serisë A duhen edhe 3 javë, gjermani i Lacios është në kuotën e 15 golave të shënuar.

 

11 të tjerët

Para Klozes kanë qenë plot 11 lojtarë që ia kanë dalë të shënojnë nga pesë gola në një ndeshje të vetme. Të gjithë, përveç Kurt Hamrinit, kanë shënuar nga pesë gola brenda mureve mike. Ndërkohë që, suedezi me fanellën e Fiorentinës shënoi pesë golat me Fiorentinën në Bergamo. Ndërkaq, më i riu që arriti një sipërmarrje të tillë ishte Valentin Anxhelilo. Ish-lojtari i Interit shënoi pesë nga tetë golat e Interit përballë Avelinos, edhe pse ishte vetëm 21-vjeçar, ndërkohë që Kloze është laciali i parë që bën diçka të tillë. Madje, ai është edhe lojtari “më plak” që shënon pesë herë në një ndeshje. Kujtojmë se bomberi më 9 qershor mbush plot 35 vjeç.

 

Rekordi absolut

Edhe pse kanë bërë nga pesë për ndeshje, përsëri nuk mund të konsiderohen si më të mëdhenjtë. Në Serinë A ka edhe nga ata që kanë shënuar gjashtë gola në vetëm 90 minuta. Silvio Piola në takimin Pro Verçeli-Fiorentina (7-2) të 28 tetorit 1933 dhe Omar Sivori në Juventus-Inter (9-1) të 10 qershorit 1961 ia kanë dalë të bëjnë një mori me gola. Mbase një gjë të tillë mund të bënte Miro Kloze, po të mos zëvendësohej pas 68 minutash nga Petkoviçi…

 

 

 

Argjentinë

Boka dhe Riveri ndahen… “në dhunë”

Dhuna mes tifozëve ka karakterizuar ndeshjen më të madhe të sezonit në Argjentinë, atë të luajtur të dielën në “La Bombonera” mes Boka Zhuniorsit dhe River Plejtit. Mesfushori Manuel Lanzini u dha avantazhin miqve që në sekondën e 45-të të ndeshjes, në atë që është goli më i shpejtë në “superclasico”. Por rezultati u barazua nga uruguaiani Santiago Silva para përfundimit të pjesës së parë.

Megjithatë, rezultati i kësaj sfide kaloi në plan të dytë, pasi ndeshja u pezullua për më shumë se 10 minuta në pjesën e dytë. Fillimisht ky vendim u mor pasi trajneri i Riverit, Ramon Diaz, u ndëshkua me karton të kuq për fyerje ndaj gjyqtarit. Më pas, tifozë të Boka Zhuniorsit që gjendeshin pas portës së River Plejtit, filluan të hidhnin fishekzjarre në fushën e lojës. Disa objekte goditën portierin e Riverit, Marselo Baroveron, i cili paralajmëroi gjyqtarin se skuadra e tij nuk do të pranonte të qëndronte më në fushën e lojës në kushte të tilla. Megjithatë, kryesori vendosi që loja të vazhdonte pas ndërprerjes, ndërsa shtoi 12 minuta në fund të ndeshjes. Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi, duke bërë që River Plejt të largohej nga “La Bombonera” pa iu gëzuar një fitoreje që i mungon që nga viti 2004 në këtë stadium.

 

Incidenti

Fergi, i xhindosur me “teatrin” e Luizit

Aleks Fergusoni e ka etiketuar një aktrim si “mjellma që po vdiste” veprimin e David Luizit që shkaktoi edhe largimin me karton të kuq të Rafael në ndeshjen mes Mançester Junajtidit dhe Çelsit, të fituar nga këta të fundit me rezultatin 1-0. Rafaeli goditi David Luizin, por pamjet televizive treguan se futbollisti brazilian i Çelsit po qeshte ndërsa rrotullohej në bar, duke mbajtur këmbën. “Rafaeli e goditi, por Luizin u rrotullua në tokë si një mjellmë që po vdiste dhe kjo e bindi gjyqtarin të nxirrte kartonin e kuq. Luizi po qeshte, kjo është diçka e keqe. Çfarë lloj profesionisti është ai?”, – ishte shpërthimi i Fergusonit pas ndeshjes. “Gjyqtarit iu mbush mendja të nxirrte kartonin vetëm se Luizi po rrotullohej në tokë. Kam dyshimet e mia që gjyqtari ta kishte marrë vendimin që më parë. Luizi u rrotullua kot. E sheh shpesh këtë gjë me këta lojtarët që nuk janë anglezë, evropianë apo nga Amerika Latine. Kjo ndodh gjithmonë, lojtari që kundërpërgjigjet ndëshkohet më ashpër”, – vijoi Fergusoni, duke bërë të qartë se Luizi kishte qenë ai që e kishte provokuar lojtarin e tij. “Është shumë e qartë që Luizi e goditi dy herë me bërryl. Por Rafaeli u ngut, ai është i ri dhe duhet të mësojë nga këto gjëra, pasi kundërpërgjigjja nuk funksionon kurrë”.

 

 

Deklarata

Vilanova: Duhet të më gjykoni vitin tjetër

Tito Vilanova u ka bërë të qartë kritikëve të tij se nëse duan të vlerësojnë atë që ka bërë të Barcelona, duhet të presin deri në sezonin e ardhshëm. Katalanasit janë vetëm dy pikë larg titullit kampion të radhës, por janë përballur me kritika të shumta për shkak të eliminimit nga Liga e Kampioneve, ku pësuan dy humbje të thella 4-0 dhe 3-0 përballë Bajernit të Mynihut.

“Njerëzit duhet të përmirësohen dhe të jenë vetëkritikues. Por ky ka qenë një vit i vështirë me dëmtimet. Vetë trajneri ka munguar për rreth dy muaj, ndaj nuk ka qenë aspak e lehtë”, – shpjegoi ai.

“Vitin e ardhshëm do t’i bëjmë gjërat ndryshe, por kjo është normale pasi ky ishte viti im i parë. Po të mos e kishim menaxhuar mirë dëmtimin e Mesit, ai mund të mos kishte qenë i gatshëm për të na ndihmuar në ndeshjen kundër Betisit”, – shpjegoi Vilanova, duke iu referuar faktit që la Mesin në stol gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Bajernit, ndërsa mbrëmë argjentinasi luajti si zëvendësues duke shënuar dy golat në suksesin 4-2. Me ironi, Vilanova mund të mos jetë pranë skuadrës së tij kur Barcelona të shpallet kampion. Ai ka planifikuar që të mërkurën të zhvillojë një vizitë për kontroll shëndetësor në Nju Jork, pikërisht në ditën kur Reali i Madridit luan ndaj Malagës. Nëse skuadra e Murinjos nuk arrin të fitojë në këtë sfidë, Barcelona shpallet matematikisht kampione.

 

 

Itali

Marota “blindon” Konten

Xhuzepe Marota, drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ka komentuar zërat për një largim të mundshëm të trajnerit Antonio Konte, duke bërë të qartë se ai do të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë në drejtimin e skuadrës. “Raporti mes Antonios dhe drejtuesve të Juventusit është shumë i mirë dhe ka një marrëdhënie të përditshme. Kur një profesionist arrin disa objektiva që i ka vënë vetes është normale që të fillojë të mendojë për të ardhmen. Por këta janë çështje normale si për Konte, ashtu edhe për klubin, tani duhet të vihen objektiva më të mëdhenj, ndonëse duhet pranuar se nuk mund të fitosh gjithmonë. Ekziston dëshira që Konte të qëndrojë, ashtu si ajo e klubit për ta mbajtur”, – tha Marota. “Futbolli është programim, pa të rezultatet nuk vijnë. Me presidentin Anjeli është bërë një rinovim i përgjithshëm dhe kjo sjell që në klub të mbeteshin vetëm 4 elementë nga grupi i vjetër i lojtarëve. Ndaj ishte e vështirë të mendohej se do të fitohej menjëherë, gjë që e bën atë që realizuam në këto vite si diçka të jashtëzakonshme. Kur Konte flet për një përballje me klubin, e ka fjalën se do të flasim për ndërhyrjet në skuadër dhe karakteristikat e lojtarëve që do të kërkojmë të blejmë. Në Evropë na duhet ende shumë punë që të mund të kthehemi të luftojmë si të barabartë. Por duhet të gjejmë ekuilibrin mes mundësive ekonomike dhe kërkesave teknike”, – shpjegoi Marota, i cili ka preferuar të mos komentojë zërat se Zllatan Ibrahimoviçi po kërkon të blejë shtëpi në Torino.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency