Përkujtohet Dita e Dëshmorëve Berisha: Përulje dhe nderim ndaj atyre që bënë të mundur Shqipërinë e lirë

0
138

Gëzim Saliu

5Pas 5 vitesh, opozita përkujton e bashkuar 5 majin, Rama dhe Meta mesazhe politike

 

Politika ka përkujtuar dje Ditën e Dëshmorëve. Sipas traditës, krerët e lartë të shtetit kryen homazhe pranë monumentit të Nënës Shqipëri, ku në nder të Dëshmorëve të Kombit, Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit dhe kryebashkiaku i Tiranës vendosën kurora me lule. Një orë më pas ishte opozita e majtë, e cila pas 5 vitesh, përkujtoi e bashkuar ditën e dëshmorëve, me në krye liderin e PS-së Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta.

 

Krerët e shtetit

Në përfundim të homazheve, kryeministri Berisha tha se Dita e Dëshmorëve është dita e përuljes para të rënëve të kombit, të cilëve sipas tij, të gjithë shqiptarët u detyrohen për lirinë dhe zhvillimin e vendit.  “Nderimi më i madh, ndjenjat, dashuria, gjithçka tjetër janë sot tek të rënët e kombit tonë. Çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para atyre vajzave e djemve, burrave dhe grave që me sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që shqiptarët sot t’i nderojnë ata në liri. Bënë të mundur që Shqipëria sot të jetë anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë. Bënë të mundur që sot Shqipëria të jetë një vend që ecën e sigurt në rrugën e integrimit evropian. Nder përjetë atyre, familjeve të tyre që sot nuk kanë më të dashurit, por kanë emrin e mirë që ata lanë për veprën e pavdekshme që realizuan”, deklaroi Berisha. Në ceremoninë shtetërore, u përulën dhe vendosën kurora me lule para monumenti “Nënë Shqipëri”, Presidenti i vendit Bujar Nishani, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Prefekti i Tiranës Keltis Kruja, si edhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Po ashtu edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha nderoi dëshmorët e kombit, duke pohuar se në këtë ditë, së bashku me mirënjohjen e tij dhe të qytetarëve të kryeqytetit, janë vlerësimet për punonjësit e Policisë që ranë në krye të detyrës, në përpjekje për të krijuar një vend më të sigurtë.

Opozita

Të dy liderët e partive  më të mëdha në koalicionin e majtë, kryesocialisti Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta, krahas nderimeve për të rënët e luftës nacional-çlirimtare, nuk nguruan të lëshojnë mesazhe të politike në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. “Çdo vizitë në varrezat e dëshmorëve është njëkohësisht edhe një vizitë në varrezat e idealeve të tradhtuara nga ata që sot e sundojnë Shqipërinë, si shëmbëlltyra të një tradhtie të dyfishtë. Të tradhtisë së ëndrrave dhe shpresave që i vendosen shqiptarët krah për krah me të gjitha forcat e botës kundër murtajës fashiste dhe idealeve dhe shpresave të tradhtuara të atyre që i nxorën shqiptarët në rrugë në vitet ‘90. Në 23 qershor do të konfirmohet vullneti i shqiptarëve për të mos u zmbrapsur, dorëzuar përpara besimit se të gjitha ëndrrat dhe shpresat që frymëzuan luftën nacionalçlirimtare dhe lëvizjen e dhjetorit, janë aty të gatshme për të marrë rrugën, pasi populli me votë t’i hapë rrugën në 23 qershor duke votuar Aleancën për Shqipërinë Europiane, për të pasur nesër qeverinë legjitime të popullit shqiptar” u shpreh Rama në një aktivitet të zhvilluar nga opozita në një nga restorantet e njohura në periferi të Tiranës, për të përkujtuar dëshmorët e rënë për lirinë e Atdheut. Ndërkohë, kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se 5 maji, përveç kujtimin dhe nderimit të dëshmorëve, duhet të konsiderohet si një ditë frymëzimi për të ardhmen. Ai tha se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë pikënisja për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.  “Jam i bindur se edhe 23 qershori do të japi një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të lartësuar më tej kujtimin dhe veprën e dëshmorëve.”- u shpreh kreu i LSI-së.

 

Berisha vizitë në familjen Hajdari: Atë që ka bërë Azemi për lirinë se ka bërë kush

Në Ditën e Dëshmorëve, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, vizitoi familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe të Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha. Në këto vizita ishin të pranishëm edhe kryetarja e Kuvendit, Ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Prefekti i Tiranës. Kryeministri Berisha, në një bisedë me bashkëshorten e fëmijët e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme të Lëvizjes së Dhjetorit ’90-të dhe rolin vendimtar të Azem Hajdarit në të. “Sot është një ditë e veçantë, dita e nderimit e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë, bënë gjithçka për lirinë. Në histori sa më shumë të hulumtohet, aq më shumë do të pohohet se ato që ka bërë Azem Hajdari për lirinë e shqiptarëve, ato ditë dhjetori të vitit ’90-të, nuk i ka bërë kush. Sepse ajo ishte një përballje më e pabarabarta, më e zbuluara, më e hapura. Një përballje që u fitua. Fakti që sot ai është midis nesh vjen mbi të gjitha, nga ai kontribut që ai dha në vitin ’90-të. Unë kam bindjen se vepra, kontributi i tij do të shndrisë e shkëlqejë në altarin e lirisë së shqiptarëve,” – u shpreh kreu i ekzekutivit. Më pas, Berisha vizitoi familjen e Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha, Komandat-pilot i Regjimentit të Bazës Ajrore të Rinasit, i rënë në krye të detyrës. “Erdha të shpreh ndermin më të thellë, të përulem me respektin më të madh para kujtimit të bashkëshortit tuaj, babit tuaj, aviatorit trim, atdhetar dhe i përkushtuar. Sot, çdo ndjenjë e mirë, e tërë dashuria e respekti u takon të rënëve për atdhe. Idriz Hoxha qëndron në krye të atyre burrave e grave, djemve e vajzave që u flijuan në emër të detyrës, të dinjitetit. Erdha sot të shpreh nderimin në emër të qeverisë,” , deklaroi Kryeministri në takimin me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

 

5 maji, Homazhe edhe në rrethe

Dita e Dëshmorëve është përkutjuar dje jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjitha rrethet e vendit, ku përfaqësues të forcave politike, pushtetit lokal, familjarë dhe qytetarë të ndryshëm vendosën kurora me lule në “Varrezat e Dëshmorëve” të qyteteve respektive. Përfaqësues të pushtetit lokal në qytetin e Elbasanit, si dhe të partive politike kanë zhvilluar paraditen e djeshme homazhe në ‘Varrezat e Dëshmorëve’ në kuadër të 5 Majit. Kurora me lule janë vendosur në lapidarin e të rënëve, ku nuk ka munguar edhe pjesëmarrja e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini ka deklaruar se,: “Dita e dëshmorëve është dita kur kujtojmë me krenari të gjithë ata që dhanë jetën për liri. Dëshmorët dhanë jetën e tyre, rininë e tyre për lirinë e atdheut”. Autoritete lokal kanë vizituar edhe muzeun ku ndodhen fotot e dëshmorëve të rënë në qytetin e Elbasanit, ku shumë prej tyre janë përjetësuar në emra rrugësh dhe librash në këtë qytet.  Gjithashtu 5 maji është përkujtuar edhe në Berat, ku drejtues të pushtetit vendor, deputetë e familjarë të dëshmorëve të luftës kanë zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të këtij qyteti. Ceremonia nisi dje me vendosjen e kurorave e buqetave me lule në përmendoren kushtuar të rënëve e më pas u zhvilluan nderimet e rastit në varret e dëshmorëve Beratas që ranë për lirinë e Atdheut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency