Drejtimi i krimit nga qelitë e burgut, propozohet futja e shërbimeve inteligjente në burgje

0
127

Sonja Caka

burguPropozimi nga kreu i burgjeve angleze Michale Spurr, ofron mbështetje dhe trajnime për realizimin e kësaj ideje. Pjesë e rëndësishme për realizimin e projektit, edhe teknologjia

 

Shërbimet inteligjente duhet të shtrijnë territorin e tyre të mbulimit edhe brenda burgjeve. Duke depërtuar brenda këtij sistemi, sidomos në burgjet e sigurisë së lartë, do të grumbullojnë informacion të rëndësishëm për funksionimin e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij apo rivalitetet e tij me grupe të tjera brenda apo jashtë vendit. Ky propozim është hedhur në britanikët dhe po shihet si një mundësi për t’u aplikuar edhe në vendin tonë në sistemin e burgjeve. Fakti bëhet me dije nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sipas të cilave, ideja është hedhur gjatë një vizite që kreu u burgjeve në Angli, Michael Spurr realizoi në vendin tonë. Përveç disa ideve për mbarëvajtjen e sistemit të burgjeve dhe idenë e ngritjes së burgjeve private në vend, në këtë takim, Spurr hodhi edhe idenë se shërbimet inteligjente në burgje, mbledhja dhe shpërndarja e informacionit për krimet e organizuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duhet të shihet me prioritet, duke ditur që krimi kapërcen kufijtë. Pjesë të rëndësishme në suksesin e këtij bashkëpunimi luan edhe teknologjia, si dhe pajisjet e ndërlidhjes dhe komunikimit. Për të realizuar këtë ide, ai siguroi mbështetjen e tij dhe vazhdimin e bashkëpunimit sipas propozimeve të autoritetit të palës së burgjeve shqiptare, në fushën e shkëmbimit të eksperiencave dhe vizitave studimore, ofrimin e ekspertizës për ndërhyrjet e nevojshme në legjislacionin e burgjeve, si dhe përmirësimin dhe adaptimin e disa metodologjive për trajnimin e grupeve vulnerabël në sistem. Gjithashtu, kreu i burgjeve angleze dhe kreu i burgjeve shqiptare, në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Burgjeve Angleze, prezantuan iniciativat e ndërmarra, ku veçanërisht gjatë dy viteve të fundit janë organizuar vizita studimore në Angli, trajnime të ekspertëve anglez në Shqipëri dhe aplikimi i modeleve dhe mekanizmave për ankesat/kërkesat e të dënuarve.

Bashkëpunimi

Në këtë aspekt, u paraqiten disa fusha ku mund të intensifikohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi në vitet në vazhdim. Aspekti i parë është vazhdimi i bashkëpunimit në ndarjen e eksperiencave pozitive dhe njohurive angleze, rreth menaxhimit të burgjeve dhe aplikimin apo adaptimin e këtyre njohurive për realitetin shqiptar. Së dyti, përmirësimi i disa akteve ligjore dhe nënligjore të sistemit të burgjeve që lidhen kryesisht me punësimin e të dënuarve, inspektimet në burgje. Në kuadrin e përmirësimit të trajtimit të personave me liri të kufizuar u propozua aplikimi i një projekti pilot sipas modelit anglez të punësimit të dënuarve dhe format e kontratave të punësimit. Gjithashtu, metodat e aplikimit të trajtimit të sëmurëve mendor dhe përdoruesit e lëndëve narkotike brenda sistemit.

Precedenti

Endrit Dokle drejtonte trafikun e drogës me telefon nga burgu

Një nga krerët e fraksionit të Bandës së Durrësit, Endrit Dokle, është perosni që u dënua për drejtimin  trafikut me telefon nga qelitë e burgut. Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm, me akuzën si anëtar i “bandës së Durrësit”, mori dënimin e dytë me 16 vite burg, pasi nga përgjimet telefonike rezultoi se ai drejtonte grupin e tij nga burgu duke i udhëzuar për trafikun e drogës drejt Italisë. Ai u deklarua i fajshëm nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikeve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”. Sipas Prokurorisë, këto vepra janë kryer prej të pandehurit me telefon gjatë kohës që qëndronte në qelitë e paraburgimit 313 në Tiranë, për llogari të gjykimit si pjesë e “bandës”. Gjykata e Apelit la në fuqi disa ditë më parë masat e dënimit me nga 16 vite burg për Endrit Doklen dhe Izet Krasniqin, dy të gjykuarit veçmas të dosjes “Ura”. Sipas Prokurorisë, ata ishin pjesë e një rrjeti që ka mundur të trafikojë një sasi prej 40 kilogramësh heroinë drejt Italisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency