Ku vendoset kufiri

0
2554

Speciale/ Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave

 

hebrenjt Hebrenjtë janë më se të lumtur të dëgjojnë mendimet e kritikëve të tyre dhe t’u përgjigjen atyre nëse këta kritikë dëshirojnë që hebrenjtë të mbijetojnë dhe të lulëzojnë.

 

Jonathan Frëdland

Hebrenjtë dhe liria e shprehjes? Duket si fillimi i një barcalete. Forma më e parashikueshme do të ishte sikur barcaleta të vazhdonte: “Gjeni dy hebrenj dhe do të gjeni tri mendime”. Nëse hebrenjtë janë populli i librit – ata janë edhe populli i fjalës, i fjalisë dhe i paragrafit. I gjithë qytetërimi hebre është ngritur mbi bisedën dhe argumentimin. Liria e shprehjes nuk është thjesht një e drejtë që hebrenjtë e kërkojnë dhe i gëzohen, por është diçka shumë pranë vetë të qenit hebre.

Kjo është diçka që mësohet në mënyrë instiktive dhe në mënyrë anekdotike. Po të hysh në një sinagogë, nuk do të gjesh manierat e heshtura të një kishë, por një gumëzhimë të vazhdueshme fjalësh. Shumë pak rabinë presin që të mbajnë një meshë të pandërprerë: sipas traditës, ata janë mësues që do të bombardohen me pyetje dhe jo orakuj të mençur. Hidhini një sy një faqeje të Talmud-it: ajo nuk përmban një thënie të një doktrine të padiskutueshme, por një sërë komentesh dhe përgjigjesh, të mbledhura ndër shekuj.

Nëse ky është pozicioni zyrtar, një traditë fetare që nuk ka një koncept të vërtetë të herezisë, realiteti nuk është kaq i thjeshtë. Në jetën e vërtetë, hebrenjtë, madje edhe ata që janë larguar tërësisht nga feja, vendosin kufij të padukshëm, të cilët përcaktojnë atë që është dhe atë që nuk është e pranueshme në ligjërim. Në shoqëritë hebraike në diasporë kjo gjë nuk mund të përbëjë një ndalim – nuk ka asnjë autoritet që të sanksionojë ndalimin – dhe për pasojë pothuajse nuk ka ndonjë histori dhune për shkelësit, por mekanizmat socialë të izolimit, të pranishëm në çdo komunitet, përdoren edhe në këtë rast.

Dy temat me ndjeshmëri më të lartë janë Holokausti dhe Izraeli. Të ulësh vlerat apo t’i pakësosh rëndësinë e Holokaustit është veprimi që ngjan më shumë me herezinë që mund të bëjë një hebre. Kritika e ashpër e Izraelit zyrtarisht nuk është e pamundur, por sa më i ashpër të jetë sulmi, aq më shumë kundërpërgjigje do të pasojnë: hebrenjtë do t’i hapin veshët mirë për të kuptuar nëse ky kritik i Izraelit po ia vë fajin shtetit apo po vë në dyshim vetë të drejtën e hebrenjve për të ekzistuar në një formë kolektive.

Nëse këto dy pika nevralgjike sulmohen njëherësh, atëherë shumë hebrenj do të thonë që ky është kufiri i lirisë së shprehjes. Shembull kyç ishte drama “Perdition” e Jim Allen-it, e cila aludonte për një komplot midis një grupi sionistësh hungarezë dhe nazistëve. Disa grupe hebrenjsh zhvilluan një fushatë të ashpër që drama të mos shfaqej dhe për pasojë pati akuza për censurë dhe një përpjekje për t’i mohuar Allen-it të drejtën e fjalës.

Po kështu, ata që kanë krahasuar sjelljen e Izraelit të sotëm më Gjermaninë naziste konsiderohen se kanë hyrë në një tokë të ndaluar – siç zbuloi Tom Paulin kur shkroi për “SS sionist” në një poezi të botuar në gazetën “Observer” në 2001.

Si ndodh edhe me grupe të tjera etnike, një faktor kyç është edhe identiteti dhe lidhjet e atij që flet. Ashtu siç mund të qeshë publiku afrikano-amerikan nëse aktori Chris Rock, pjesë e këtij publiku, përdor fjalën “zezak” disa herë, edhe hebrenjtë ka të ngjarë që të tolerojnë një batare fjalësh ose pamjesh jo shumë të zakonshme kur këto vijnë nga një folës hebre. Shumica bien dakord me thënien e vjetër që një barcaletë për hebrenjtë është për të qeshur vetëm kur e thotë një hebre, por papritur nuk ka asnjë reagim kur e tregon një tjetër. Ky dallim është i vlefshëm, madje edhe kur përdoret fjala “hebre”. Ndërsa kur e thotë një hebre, nuk ka ndonjë problem. Por e tillë është historia e saj, ajo mund të tingëllojë shumë e ashpër, e rreptë, kur përdoret nga një i huaj. Një pyetje në dukje pa të keq: “Nuk është hebre ai?” do t’u dukej shumë vetave disi antisemite nëse pyetjen do ta bënte është e drejtë, po kështu qëndrojnë gjërat.

Megjithatë, thjesht të qenit hebre nuk të jep dorë të lirë të thyesh tabutë hebraike. Përkundrazi, disa nga ata që janë akuzuar vitet e fundit se kanë shkelur kufirin që nuk duhet kanë qenë hebrenj. Shembulli më klasik është ai i Norman Finkelstein-it, autor i esesë së diskutuar “Industria e Holokaustit”. Shumë hebrenj ishin të mendimit se ai kishte kryer një mëkat thjesht dukë i vënë këtë titull esesë së vet. Çdo mbrojtjeje që kish për bazë të qenit e tij hebre iu hoq viza. Logjika ishte se ashtu siç ka racistë të zinj, ekzistojnë dhe antisemitë hebrenj. Në të vërtetë, ka një shpjegim të gatshëm psikologjik për njerëz të tillë: ata urrejnë vetveten. As të thuash që kam për dëshmitarë gruan, kushëririn apo shokun e shkollës hebre nuk ndryshon gjë. Të gjithë e njohim klishenë e njeriut që betohet se shokët i ka hebrenj duke u përpjekur të zbusë një vërejtje antisemite që ka bërë më parë (prandaj deputeti laburist Tam Dalyell u vu në lojë pasi tha se nuk kish mundësi që ai të ishte antihebre – megjithëse kish rënë viktimë e një ‘kabale’ hebraike – pasi djali i tij kish qenë në një kibbutz).

Jo, çështja kyç nuk është kombësia apo lidhjet familjarë të dikujt. Ajo që ka rëndësi është qëllimi i folësit. Ekzistojnë shumë kritikë të fortë dhe të zëmëruar të Izraelit për shembull, të cilët prapë se prapë dëgjohen me respekt nga hebrenjtë (shkrimtarët izraelitë Amos Oz dhe David Grossman janë dy shembuj izraelitë). Kjo ndodh sepse hebrenjtë besojnë se këto kritika i kanë rrënjët te shqetësimi për hebrenjtë dhe për mirëqenien e tyre. Këta njerëz kritikojnë sepse duan t’i shohin hebrenjtë tek mbijetojnë dhe lulëzojnë. Nëse shumica e hebrenjve besojnë se ky është motivimi për kritikat, atëherë ata do t’ua vënë veshin kritikave. Për shembull: Peter Novick kish hedhur shumë nga idetë e tij që kish shprehur Finkelstein-i në një libër më të hershëm: “Holokausti dhe jeta amerikane”. Por gjuha e Novick-ut ishte e moderuar dhe shprehte keqardhje; ai ishte i ndjeshëm ndaj dhimbjes hebraike në një mënyrë që Finkelstein-it i mungonte. Novick u mirëprit, ndërsa Finkelstein-in e nxorën jashtë.

Kush i vendos këto gjëra? Ata që janë izoluar flasin për “sistemin hebraik”, “sionistët” ose përdorin një thënie të vjetër dhe qaramane: “pushteti klandestin hebraik”. Realiteti është më prozaik. Siç ndodh me çdo grup tjetër etnik, “vendime” të tilla nuk janë asgjë më shumë sesa prirja që sundon në mendimet e komunitetit. Nëse amerikanët e zinj vendosin se Chris Rock ka shkelur kufirin, ata nuk kanë nevojë për një dekret formal për ta shprehur këtë. Ai do ta marrë vesh. E njëjta gjë u ndodh edhe hebrenjve.

*Shkëputur nga libri “Diskutim për etikën”, botim i Institutit Shqiptar të Medias

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency