Fillon ardhja e emigrantëve Kushtet për të përfituar pension dhe punësim në Shqipëri

0
144

Driçim Çaka

perfitimPunësimi i emigrantëve pritet të jetë një proces i lehtë. Arsyeja kryesore është njohja e mirë që emigrantët kanë në fushat profesionale, duke ditur që vijnë nga një vend i zhvilluar

 

Ditët e fundit janë shtuar radhët në tri pikat kufitare me Greqinë: Kakavijë, Kapshticë deh Qafë-Botë. Duke përfituar nga festa e pashkëve mijëra emigrantë do të rikthehen në Shqipëri. Dikush përkohësisht të tjerë përgjithmonë, ardhja në atdhe do të jetë një shans për t’u njohur me kushtet që do të gjejnë në vendin tonë, nëse rikthehen përfundimisht. Për të mbështetur emigrantët, qeveria ka marrë disa vendime, duke detyruar të gjitha ministritë të përfshihen në procesin e përshtatjes së tyre në fushat e punësimit, gjuhës dhe arsimit. Ndihma më e madhe për emigrantët janë pensione. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur një paket të posaçme për pensionet e emigrantëve. Përveç pension emigrantët do të përfitojnë dhe kushte të favorshme punësimi.

Pensionet

Për çdo emigrant shqiptar, pavarësisht vendit ku jeton, do të ketë mundësi të marrë pension në vendin tonë. Si vite kontributesh do të njihen edhe ato vite që emigrantët kanë punuar në Shqipëri përpara se të shkonin në emigrim. Kështu emigrantët do të kenë dy mundësi. E para do të jetë “vazhdimi vullnetar i sigurimeve”, që kanë të drejtë ta bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe ndërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi bëjnë sigurim vullnetar. E dyta do të jetë “mbulim vullnetar të periudhave të kaluara” që kanë të drejtë ta bëjnë personat, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara. Futja në skemën e Sigurimeve Shoqërore mund të bëhet dhe nga të afërmit e tyre pa ardhur fare në Shqipëri. Personi i autorizuar, së bashku me fotokopjen e kartës së identitetit dhe librezën e punës paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, ku mund të marrë informacionin e duhur për masën e pagesës dhe periudhën që duhet të plotësohet për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm. Mbi këtë bazë emigranti lidh një marrëveshje me sigurimet shoqërore. Bazuar në këtë marrëveshje, hartohet urdhër-veprimi për pagesën në bankë. Mbas kryerjes së pagesës emigranti konsiderohet i siguruar.

Mosdjegia e viteve të punës

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka shumë shtetas shqiptarë që kanë disa vite të siguruara duke filluar nga 8 deri në 13-14. Por këto vite sigurimi nuk vlejnë, pasi nuk përfitohet asnjë lloj pensioni. Në rast se këto periudha kompensohen me sigurim vullnetar, deri në 15, përfitohet pension i pjesshëm. Po kështu, në të njëjtën mënyrë, mund të plotësosh me sigurim vullnetar vitet për një pension të plotë. Pra në këtë mënyre nuk “digjen” vitet e punës në Shqipëri, sepse mund të plotësohen vitet e munguara për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm.

Punësimi

Nëpërmjet regjistrimin në listën e të papunëve çdo emigrant do të ketë mundësi të përfitojë një vend pune. Sipas Ministrisë së Punës punësimi i emigrantëve pritet të jetë një proces i lehtë. Arsyeja kryesore është njohja e mirë që emigrantët kanë në fushat profesionale, duke ditur që vijnë nga një vend i zhvilluar. Po kështu punësimi në kompanitë më të mira greke do të jetë një tjetër shkak pasi përvoja e tyre mund të jetë një vlerë për çdo kompani shqiptare. Një tjetër mundësi ka të bëjë me praninë e shumë kompanive greke në vendin tonë. Njohja e gjuhës greke pritet të jetë avantazh për ta për të zënë një vend pune.

 

 

1 Maji në Shqipëri, ende si ditë feste

Kur në të gjithë botën punëtorët protestojnë në 1 Maj për të drejtat e tyre, në Shqipëri vazhdon të mbetet kultura e ngelur nga Partia Komuniste se kjo ditë është festë. Në shumë qytete dhe fshatra të vendit, banorët kanë organizuar piknikë të ndryshëm për të festuar Ditën e Punëtorëve. Jashtë kufijve të Shqipërisë duke filluar nga Greqia deri në SHBA miliona punëtorë kanë protestuar ashpër për të drejtat e tyre. Në Shqipëri disa protesta të vogla të organizuara nga organizata e punëtorëve apo nga vetë të papunët janë dukur modeste përballë festës nëpër lëndina me ushqime të bollshme dhe më gëzime në çdo familje. 1 Maji në vendin tonë është përkujtuar në forma të ndryshme. Fillimisht ka qenë ditë proteste deri në vitet 1930, më pas nuk ka pasur një jehonë të madhe deri në vitin 1945. Që nga ky vit dhe deri më sot 1 Maji është një ditë pushimi, e thënë ndryshe një ditë feste. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e ka bërë traditë që më 1 Maj të bëjë protestë, me qëllim paraqitjen e bilancit të kërkesave dhe ankesave si dhe të lirive e të drejtave të munguara e cunguara gjatë gjithë vitit. Sipas presidentit të KSSH, Kolë Nikollaj, punëtoria shqiptare ka një përpjekje për të maskuar shifrat zyrtare të papunësisë. “Punëtorëve shqiptarë u mungon ideali, ideali i një jetë më të mirë, ideali i shpresës për të ardhmen e fëmijëve, u mungon ideali i vullnetit për të mos qenë numra të një fushate elektorale, por forcë dhe faktor për të vendosur fatet e tyre dhe të kombit”, – theksoi Nikollaj gjatë protestës.

Historia

“Do të vijë një kohë kur heshtja jonë do të jetë më e fuqishme, se zëri që ju po mbytni sot”. Ishin këto fjalët e fundit të August Spies, një nga katër punëtorët e pafajshëm, që u ekzekutuan pas shpërthimit të një bombe në sheshin “Haymarket” në Çikago, në maj të vitit 1886, ku humbën jetën tetë drejtuesit kryesorë të lëvizjes së punëtorëve. “Krimi” për të cilin Spies dhe shokët e tij po dënoheshin ishte të qenit militant në luftën që punëtorët kishin ndërmarrë për të drejtat e tyre dhe punën 8-orëshe. 1 Maji është një festë themeluar në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.

 

 

Ulen interesat e bonove të thesarit

Interesat e bonove të thesarit janë ulur në 5.99 për qind në ankandin e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 5.99%, ndërkohë që bonot me maturim 3-mujor, u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 4.97%, nga 5.04% që ishte në ankandin e mëparshëm. Në dy ankandet e zhvilluara sot qeveria kërkoi një vlerë totale borxhi prej 11.3 miliardë lekë, ndërsa oferta për financim ishte në total rreth 16.4 miliardë lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency