Dashuri imagjinare me 28-vjeçaren pranga të moshuarit, e ndoqi 2 vjet

0
178

Elton Qyno

61Emil K. ndalohet nga komisariati nr. 2. I.P. e denoncoi pas kërcënimeve me vrasje nga i moshuari

 

Një 61-vjeçar, të cilit disa vite më parë i kishte vdekur gruaja, ka rënë në dashuri me një 28-vjeçare, ku megjithëse kjo e fundit e ka refuzuar për dy vite me radhë, sërish i moshuari nuk ka pranuar të heqë dorë. Emil. K., nuk është dorëzuar asnjëherë ku për dy vite me radhë ka vendosur t’i qëndrojë si hije 28-vjeçares, me qëllimin e vetëm fitimin e zemrës së saj dhe zhvillimin e një martese. Megjithëse se e reja me inicialet I. P. ka vendosur ta refuzojë, sërish ai ka arritur t’ia gjejë numrin e saj, duke i telefonuar herë pas here. I. P. është punonjëse në një kompani private dhe se 61-vjeçari herë pas here ka qëndruar në periudha të ndryshme poshtë godinës ku punon shtetasja 28-vjeçare. Gjatë kësaj kohe ai i ka dërguar dhe lule me qëllim fitimin e zemrës si dhe dhurata të ndryshme, të cilat nuk janë pranuar nga ana e 28-vjeçares. Veç këtyre gjesteve, Emil K. ka arritur të komunikojë në telefon me 28-vjeçaren, e cila ka zhvilluar disa herë komunikime të gjata, ku në raste të caktuara këto biseda ajo i ka përgjuar, duke ia vënë në dispozicion policisë së Tiranës, si prova materiale. Pikërisht në këto biseda, 61-vjeçari e ka kërcënuar me jetë, duke i pohuar se nëse e reja nuk pranonte të martohej me të, atëherë ai do të hakmerrej duke e vrarë. Pikërisht një gjë e tillë e ka trembur akoma dhe më tepër shtetasen I. P., e cila ka vendosur të denoncojë rastin në fjalë në komisariatin nr. 2 në Tiranë, uniformat e të cilit kanë bërë arrestimin e shtetasit 61-vjeçar Emil K.

Përndjekja dyvjeçare

Dy vite kanë qenë periudhë makthi për 28-vjeçaren, e cila herë pas here “përplasej” në rrugë me ndjekësin e saj, si dhe në disa momente ai e merrte në telefon, duke e shqetësuar. Nisur nga kjo situatë, I. P. ka vendosur që disa biseda telefonike t’i përgjojë dhe më pas t’ia vërë ato në dispozicion edhe policisë, me qëllim hetimin e kësaj ngjarjeje. Mësohet se gjatë këtyre viteve, 28-vjeçarja e ka denoncuar dhe një herë tjetër në polici përndjekësin e saj, i cili megjithëse është shoqëruar në komisariat dhe paralajmëruar për të hequr dorë, sërish është shfaqur, duke ia kërkuar zemrën 28-vjeçares. Pas denoncimit 61-vjeçari është bërë më i dhunshëm dhe agresiv, tregon në kallëzimin e saj shtetasja e dëmtuar. “Ai më ka marrë herë pas here në telefon duke më shqetësuar edhe në orët e vona të natës. Në bisedat që kam biseduar me të, ai më ka kërcënuar deri në vrasje dhe jam ndier shumë e frikësuar gjatë kohës kur dilja nga shtëpia apo dhe nga ambientet e punës”, – është shprehur përpara oficerëve të komisariatit nr. 2 shtetasja me inicialet I. P.

Arrestimi i të moshuarit

Pas denoncimit, është arritur të lokalizohet dhe arrestohet personi 61-vjeçar që përndiqte 28-vjeçaren. Në deklarimet e tij, Emil K. ka treguar se prej disa vitesh ka humbur gruan e tij. Gjatë kësaj kohe, 61-vjeçari ka gjetur dashurinë sërish, duke krijuar një lidhje intime imagjinare me një shtetase 28-vjeçare, të cilës nuk ka mundur t’i rezistojë, por është hedhur në sulm. Për pasojë, ai e ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme për dy vite me radhë dhe se sërish nuk ka arritur t’ia fitojë dot zemrën, 28-vjeçares. Si rezultat i kërcënimeve të vazhdueshme, e reja ka vendosur ta denoncojë rastin në polici, gjë e cila solli dhe arrestimin e babait të dy fëmijëve të rritur. Mësohet se hetimet ndaj Emil K. do të vazhdojnë në gjendje të lirë, për akuzën e kanosjes dhe përndjekjes.

 

Shërbimi i Provës

Gratë dhe të miturit, dënime alternative

Të miturit dhe gratë janë përfituesit kryesorë të dënimeve alternative. 25 për qind e të gjithë përfituesve nga shërbimi i provës janë të mitur dhe gra. 1385 të mitur dhe 580 femra i kanë shpëtuar dënimit me burgim dhe kanë marrë dënime alternative nga shërbimi i provës,që prej funksionimit të tij. Të shpallur fajtorë për vepra të lehta penale, kryesisht për vjedhje,plagosje,përdorim dhe shpërndarje droge ata janë mbikëqyrur për të mos kryer një vepër tjetër penale. “Që nga fillimi e deri më sot janë 1385 të mitur që janë mbikëqyrur nga shërbimi i provës. Kryesisht për pezullim, punë në interes publik dhe qëndrim në shtëpi. Këta të mitur kanë qenë me vendim gjyqësor kryesisht për veprat penale të vjedhjes, armëmbajtje pa leje, plagosje dhe prodhim shitjesh lëndë narkotike. Gjithashtu janë mbikëqyrur dhe 580 femra”, – tha Roza Çakërri, drejtore Inspektimi, Shërbimi i Provës.

 

Tre vjet pa fëmijët

Interpoli ndërmjetëson për gjetjen e dy fëmijëve

 

Prej tre vjetësh nuk arrin të shohë fëmijët e rrëmbyer nga ish-bashkëshorti. Ka edhe ndërmjetësimin e Interpolit dhe Ambasadës Austriake, por policia shqiptare nuk ka asnjë përgjigje për vendndodhjen e tyre. Isa dhe Mirjeta Matmuja tashmë duhet të jenë 6 dhe 8 vjeç. Sigurisht që ndjekin një shkollë apo frekuentojnë një ambulancë sa herë kanë probleme shëndetësore. Por e ëma Anila, që tashmë mban mbiemrin e vajzërisë Nela, nuk u ndodhet pranë. Nuk mund të ndjekë ecurinë e tyre e në shkollë, apo të kujdeset për ta kur sëmuren. Anila ka vendosur edhe 10 mijë euro shpërblim për ata që kanë informacione për fëmijët, ka lënë edhe një mesazh në Youtube.

Historia e saj është thuajse e njëjtë me mjaft vajza shqiptare, të cilën familja e saj në Kukës në vitin 2004 e martoi me shkuesi me një djalë po nga Kukësi, por emigrant në Austri. Nga kjo kurorë në vitin 2005 dhe 2007 lindën dy fëmijët, të cilët pas divorcit janë rrëmbyer nga ish-burri.

 

Gjenden prova kundër Arben Frrokut, avokati përgënjeshtron zërat

Prokuroria e Krimeve të Rënda mendohet se ka siguruar një provë shkencore që përfshin të dyshuarin Arben Frroku në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ky fakt nuk thuhet zyrtarisht nga ana e prokurorisë, por nën zë nga ekspertët e laboratorit të Policisë Shkencore thuhet se kanë arritur të qartësojnë disa prova, të gjetura në makinën tip “BMW” që është përdorur në vrasjen e Dritan Lamajt. Lidhur me këtë çështje nuk bëhet me dije prova shkencore, e cila është gjetur ndërsa konfirmohet se kemi të bëjmë me një provë biologjike duke lënë të kuptohet se mund të jetë një fije floku ose gjurmë gishti e gjetur në makinën e braktisur në fshatin Domje. Sipas burimeve, ka përfunduar edhe akt-ekspertimi i pajisjes së gjurmimit që kishte makina e të dyshuarit Frroku, por rezulton që ka qenë në dalje të Elbasanit në momentin e vrasjes. Arben Frroku mbahet i arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare në Selanik dhe në fund të këtij muaji do të dalë para Gjykatës së Lartë në lidhje me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Ndërkohë që lidhur me sigurimin e provave materiale ka reaguar avokati i të dyshuarit Frroku, Tonin Prendi i cili ka mohuar vërtetësinë e këtyre provave. Prendi ka sqaruar se është në detyrë të prokurorisë të kryejë hetime dhe të gjejë prova, por që sipas tij deri tani prova që e implikojnë Arben Frrokun në vrasjen e Lamajt, nuk ka në dosjen hetimore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency