Kosovë, drejt përfundimit segmenti i rrugës së kombit

0
156

 Ervin Kaduku

rruga e kombitKompania amerikane që ndërtoi Rrëshen – Kalimash realizon ëndrrën e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri

 

Kanë mbetur edhe pak muaj që projekti i autostradës që lidh mbarë Kosovën me Shqipërinë, në pjesën kosovare, të përfundojë në tërësi. Plotësimi i këtij segmenti edhe në gjithë territorin kosovar është përfundimi i një ëndrre të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit për të arritur shpejt të gjitha viset në Shqipëri e Kosovë, për pak orë. Kjo finalizon nismën e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, që kapërceu të gjitha pengesat në realizimin e segmentit shumë të vështirë në territorin e Republikës së Shqipërisë në pak vite.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë bënë të ditur për radion “Evropa e Lirë” se në fund të këtij viti autostrada do të jetë e gatshme për qarkullim. Kostoja përfundimtare e këtij projekti, sipas tyre, pritet të jetë 800 milionë euro.

Projekti më i madh i qeverisë së Kosovës, autostrada Prishtinë – Vërmicë, që mban emrin e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, filloi të ndërtohej në prill të vitit 2010. Deri më tani në qarkullim janë dorëzuar 60.4 kilometra, derisa deri në fund të këtij viti kur edhe do të përfundojë ky projekt, kanë mbetur edhe 40 kilometra të tjerë.

Këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës, Lah Nitaj, thotë për radion “Evropa e Lirë” se punimet në autostradës Prishtinë – Vërmicë po ecin sipas dinamikës së planifikuar dhe po punohet intensivisht në trasenë e autostradës. Aktualisht, siç thotë Nitaj, po punohet në seksionin 8 dhe 9 të autostradës, ndërsa pas përcaktimit të disa detajeve teknike të grupit mbikëqyrës, së shpejti do të nisë edhe seksioni 7 në mënyrë që të kompletohet i tërë segmenti i autostradës. “Pesë seksionet e dorëzuara janë realizuar me një kohë rekord, presim që ky temp të vazhdojë edhe në tre seksionet që kanë mbetur në mënyrë, ashtu siç është edhe zotimi i qeverisë dhe kompanisë që ndërton autostradën, në fund të vitit të gjithë qytetarët të mund të shfrytëzojnë dhe të jetë projekt i finalizuar”, – thekson Nitaj.

 

Autostrada

 

Kostoja e autostradës ka qenë një nga çështjet më të diskutuara në Kosovë, nga shoqëria civile, partitë opozitare dhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Ishte konsideruar se kontrata e këtij projekti nuk kishte qenë transparente, ndërsa çmimi ishte konsideruar i lartë. Ishin thënë çmime të ndryshme për këtë projekt. Ishte thënë se për këtë projekt qeveria do të paguajë mbi një miliard euro. Por, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës i kanë thënë radios “Evropa e Lirë” se çmimi përfundimtar i autostradës pritet të jetë 800 milionë euro.

Lah Nitaj sqaron se pagesa për kompaninë e cila po ndërton autostradën është bërë në baza periodike, mujore. Deri në fund të vitit të kaluar është bërë një pagesë deri në 580 milionë euro, ndërsa në tremujorin e këtij viti janë proceduar edhe disa pagesa dhe deri tani janë paguar rreth 600 milionë euro.

“Ka një kontratë ndërmjet qeverisë së Kosovës e cila po respektohet dhe po zbatohet dhe ne presim që deri në fund të realizmit të projekti që kostoja përfundimtare e autostradës të jetë 800 milionë euro”, – thekson Nitaj, duke shtuar se traseja e autostradës po ndërtohet sipas projektit dhe nuk ka pasur ndryshime.

Sidoqoftë, projekti i autostradës “Ibrahim Rugova” vazhdon të kritikohet nga ekspertë të fushës së ekonomisë. Lumir Abdixhiku konsideron se autostradat janë projekte që duhet të bëhen, por në momente kur krijohen edhe kushtet ekonomike. Problemet thelbësore që i ka Kosova si papunësinë dhe varfërinë, vlerëson ai, nuk arrijnë të zbuten me ndërtimin e autostradave. “Për çudi dhe është habi e madhe se si ne do të vazhdojmë me politika të njëjta të asfaltit edhe për disa vite të ardhshme. Pasi që në momentin e parë që në përmbyllim autostradën me Shqipërinë në do të fillojmë një të re, autostradën për Shkup. Sikur nuk po mësojmë prej gabimeve tona dhe nuk po mësojmë se autostrada nuk sjell vende të reja të punës. Autostrada nuk është vet zhvillimi ekonomik”, – shprehet Abdixhiku.

“Autostradat, – thotë Abdixhiku, – do të kishte qenë mirë sikur të bëheshin paralelisht më ngritjen e kapaciteteve vendore si prodhim e në këtë mënyrë”, siç shprehet ai, autostradat t’i shërbejnë prodhimit vendor që të eksportojë.

Ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” është duke e realizuar konsorciumi “Bechtel & Enka”, i njëjti që ndërtoi edhe segmentin e autostradës së kombit në Shqipëri midis Rrëshenit e Kalimashit, përfshirë tunelin e Thirrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency