Miqësorja, FSHF pret përgjigje nga Turqia

0
216

 Altin Vorpsi

foto per shqiperinë

Për të pasur në një formë sa më të mirë lojtarët, FSHF ka vendosur parimisht që grumbullimi të zhvillohet jashtë Shqipërisë, mundësisht në Zvicër

 

 

Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar përgatitjet intensive për të siguruar një miqësore në qershor, para se Shqipëria të luajë ndeshjen zyrtare të eliminatoreve të Botërorit 2014 ndaj Norvegjisë në kryeqytet.

 

Kërkesa

Trajneri De Biazi ka bërë të qartë se kërkon një kundërshtar për kuqezinjtë, ndaj është përpiluar një listë e skuadrave të cilat nuk kanë ndeshje në qershor apo kanë datën e parë pushim, ashtu si kuqezinjtë. Ka rënë në sy menjëherë që një nga vendet që nuk luan ndeshje zyrtare në qershor është Turqia, ndaj kanë filluar kontaktet intensive mes palëve për të organizuar këtë takim. Në këtë ndeshje, trajneri i përfaqësueses kuqezi do të ketë mundësinë të ndjekë nga afër lojtarët që planifikon të aktivizojë ndaj Norvegjisë, sidomos për të gjetur zëvendësues sa më cilësorë për treshen Cana-Lila-Roshi, që mungojnë për shkak pezullimi.

 

Grumbullimi

Për të pasur në një formë sa më të mirë lojtarët, FSHF ka vendosur parimisht që grumbullimi të zhvillohet jashtë Shqipërisë, mundësisht në Zvicër. Kushtet atmosferike atje janë më të përshtatshme se ato në vendin tonë në fundin e majit dhe fillimin e qershorit, ndërsa në një stadium atje mund të zhvillohet edhe miqësorja me Turqinë, ashtu siç u veprua më parë për ndeshjen ndaj Kamerunit.

Meqë pjesa më e madhe e kampionateve në Evropë ku luajnë “legjionarët” përfundon në javën e tretë të majit, De Biazi ka kërkuar që të zhvillojë një grumbullim më të gjatë me lojtarët, për të pasur mundësinë që të punojë sa më shumë me ata që do të aktivizohen ndaj Norvegjisë, në ndeshjen që me shumë mundësi do të përcaktojë edhe fatin e kombëtares sonë në kualifikueset në Botërorin 2014.

 

 

Barça-Bajern

Mesi beson tek triumfi

Barcelona për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm, do të mbështetet vetëm tek hajmalia e vet, Lionel Mesi. Sulmuesi i Barcelonës e njeh mirë portën e gjermanëve pasi ekipeve teutone i ka shënuar 12 gola. Dy ditë para takimit të madh “Pleshti” nuk ka përdorur skema të fshehta duke dalë zbuluar: “Jemi gati për përmbysjen”. Leo Mesi përmes një mesazhi të shkurtër në rrjetin e tij social, beson se Barcelona do të arrijë të gjejë forcat për të përmbysur 4 golat e Bajernit në “Allianz-Arena” nesër në “Camp Nou”. “Topi i Artë”, krejtësisht jashtë forme në ndeshjen e parë, shënoi një gol të mrekullueshëm në “San Mames” ndaj Atletik Bilbaos këtë fundjavë, dhe shprehet se i vjen keq që nuk mundi do të ndihmonte blaugranat të triumfonin. “Atë gol që pësuam në fund, mund ta evitonim dhe më vjen keq që nuk fituam dot. Por tashmë gjithçka është harruar. Kemi një ndeshje me Bajernin dhe jemi gati”, – shkruante argjentinasi një ditë më parë. Dje skuadra ka pushuar, por jo ylli i saj dhe trajneri Tito Vilanova, të cilët kanë qenë në qendrën stërvitore për të përgatitur detajet e fundit të “remuntadas”. Për Leon vijoi stërvitja në palestër edhe ditën e hënë, ashtu si 48 orë më parë. Numri “10” shpreson që të frymëzojë katalanasit për të shënuar 5 golat, që u duhet për të eliminuar Bajernin dhe prerë biletën në finalen e “Wembley”-t më 25 maj. E shkuara ka treguar se Leo ka ditur të udhëheqë skuadrën drejt një rezultati fantastik ndaj një rivali gjerman. Përkundrazi, rekordi i Mesit ndaj klubeve gjermane është më pozitivi se ndaj çdo skuadre tjetër. Bajer Leverkuseni e ka ende të freskët rezultatin 7-1, 5 gola prej të cilëve jua shënoi pikërisht “pleshti” marsin e vitit 2012. Në fakt statistikat e tij në Champions janë më të mirat përballë skuadrave gjermane. Ai ka shënuar 12 gola në portën e tyre, përkundrejt 8 kundër skuadrave angleze, 5 atyre italiane dhe ukrainase, 4 ndaj atyre ruse, greke, franceze dhe skoceze, 3 ndaj cekeve dhe danezeve, 2 ndaj bjelloruseve, zviceraneve dhe spanjolleve, dhe vetëm 1 gol ndaj portugezeve. Në total ylli ndodhet në kuotën e 59 golave.

 

“Don” Jup: Në Barcelonë duhet të shënojmë një ose dy gola

Bajerni i Mynihut është vetëm një hap larg finales së dytë radhazi dhe të tretës në katër vitet e fundit të Champions League. Fitorja 4-0 në ndeshjen e parë ndaj Barcelonës, lë pak për të hamendësuar dhe shanset për të qenë në finalen e “Wembley”-t janë të mëdha. Megjithatë në Spanjë janë të fiksuar pas remuntadës, ndërsa trajneri Jup Hejnkes e bën të qartë se ekipi nuk zbret në fushë për të luajtur në mbrojtje. “Mbrojtja duhet të qëndrojë larg portës tonë. Synimi ynë është të shënojmë një ose dy gola dhe kjo është më se e realizueshme. Duhet të imponojmë lojën tonë dhe të qëndrojmë sa më larg portës së Nojer. Barcelona është një ekip me shumë klas dhe do të përpiqen me të gjitha forcat. Do mundohen të na vënë në vështirësi me presing që nga fillimi për të na vënë nën presion në mënyrë që të gabojmë”, – tha Hejnkesi. Në një rrëfim për “UEFA”-n, trajneri aktual i Bajernit kujton disfatën më të rëndë të fillimeve të karrierës së tij të lavdishme. “Ishte çasti më i vështirë i karrierës sime, – tregon Hejnkes, atëherë vetëm 40 vjeç. – Nuk dëshiroja më të bëja punën e trajnerit. Ne duhej ta kishim fituar 7-1 ndeshjen e parë, por një lojtar, emrin e të cilit nuk dua ta përmend, ishte i vetëm përpara porte dy herë dhe nuk shënoi. Në ndeshjen e dytë humbëm 4-0 dhe u eliminuam. Në ato çaste mendova: ‘Tashmë ka ardhur koha t’i japësh fund karrierës si trajner, Hejnkes’. Ishte më e rëndë se kërcënimet me vdekje që do merrja më vonë gjatë karrierës”, – vijon rrëfimin e tij trajneri 67-vjeçar. Në fakt, sot skuadrës së Murinjos i duhen vetëm 3 gola për të përmbysur humbjen 4-1 në Dortmund. Jurgen Klop i ka përgatitur “vogëlushët” e tij që ta shmangin përsëritjen e këtij skenari, ashtu si Hejnkes do të bëjë me Bajernin në “Kamp Nou” nesër mbrëma. “E kisha seriozisht kur thashë se do të dorëhiqesha. U ula dhe i shkrova një letër asistentit tim, Volf Verner. E kam ende sot në skrivaninë time atë letër, sepse nuk ia dhashë kurrë. E kam lexuar këto kohët e fundit. Isha tepër i stresuar. Në fundjavë luajtëm në transfertë me Shalken. E dini se çfarë bëra? Për herë të parë në karrierën time nuk u thashë asnjë fjalë lojtarëve të mi. E shkrova formacionin në tabelë. Të gjithë lojtarët u mblodhën në orën 11:00 dhe u ulën përpara meje duke pritur që unë të jepja udhëzimet. Nuk u thashë asgjë më shumë sesa…: ‘Ju e dini shumë më mirë se unë’. Ajo ndeshje përfundoi 2-2, por djemtë dhanë jetën në fushë”, – përfundon trajneri i Bajernit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency