I divorcoi vajzën, vjehrri plagos rëndë me armë ish-dhëndrit e tij

0
164

 Elton Qyno

 

plagosjKrimi në mëngjes, Xhevahir Bajraktari në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak

Ngjarja në afërsi të një lavazhi në autostradë, arrestohet Bajram Çejku tek stacioni i trenit

 

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku vjehrri ka qëlluar me automatik në drejtim të ish-dhëndrit të tij, duke dashur ta vrasë atë. Plumbat kanë përshkuar trupin e 50-vjeçarit Xhevahir Bajraktari, i cili ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa në këtë ngjarje është plagosur lehtë edhe një 35-vjeçar, punonjës i një lavazhi. Shkak i kësaj ngjarjeje brenda rrethit familjar ka qenë divorci i të plagosurit Xhevahir Bajraktari me vajzën e autorit të krimit shtetasin, Bajram Çejku. Ndarja e çiftit është bërë tre vite më parë dhe nga ky divorc kanë mbetur të ndarë dhe tre fëmijë, të cilët herë jetojnë me babain e tyre, tashmë të plagosur rëndë dhe herë me nënën e tyre, që jeton në banesën e babait të saj, Bajram Çejku. Ky i fundit nuk ka duruar më tepër gjendjen e rëndë ekonomike të vajzës së tij, por edhe kundërshtimet e vazhdueshme të ish-dhëndrit, i cili refuzonte të jepte shumën e caktuar nga gjykata për ushqimin e tre fëmijëve. Nisur nga kjo situatë, Bajram Çejku, gjatë paradites së djeshme ka shkuar me furgonin e tij në ambientet e një karburanti dhe lavazhi, ku është i punësuar ish-dhëndri Xhevahir Bajraktari. Pasi ka qëndruar disa minuta brenda furgonit, Çejku ka parë Bajraktarin dhe menjëherë ka marrë armën dhe ka dalë jashtë furgonit. Është afruar disa metra dhe ka qëlluar me kallashnikov disa herë, ku si rezultat i plumbave ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Xhevahir Bajraktari dhe shoku i tij, shtetasi 35-vjeçar Edmir Rrelaj, i cili tashmë është shtruar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja në mëngjes

Ka qenë ora 09:00 e mëngjesit të djeshëm kur në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës, janë dëgjuar breshëritë e kallashnikovit. Shumë nga punëtorët e bizneseve që ndodhen në zonë, kanë menduar për një grabitje të mundshme, për shkak se pas të shtënave, kanë parë një person që ka hipur me shpejtësi në një furgon dhe më pas është larguar në drejtim të rrugës së Kamzës. Dëshmitarët kanë treguar se gjithçka ka ndodhur në mënyrë të befasishme, kur dy punëtorë të një lavazhi dhe karburanti, kanë qenë duke punuar. Ata janë qëlluar pa paralajmërim, dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Xhevahir Bajraktari, i cili është transportuar më pas në drejtim të Spitalit Ushtarak, në gjendje kritike për jetën. Pas këtyre të shtënave, personi është larguar, duke mos u arrestuar në kohë nga ana e policisë. Në vendin e krimit strukturat e policisë arritën të sekuestronin disa gëzhoja automatike dhe të marrin dëshmitë e personave që kishin arritur të shihnin skenën e qëllimit me armë. Ndërkohë që në dosjen hetimore, tashme janë administruar dhe disa pamje filmike të disa prej kamerave të bizneseve që janë instaluar aty pranë vendit ku ndodhi dhe tentative për të vrarë ish-dhëndrin e tij, nga ana e shtetasit Bajram Çejku. Pritet që në ditët në vijim të gjitha pamjet filmike të verifikohen me kujdes, ku më pas nëpërmjet tyre do të arrihet të ndërtohet saktësisht dhe dinamika e plotë e krimit të rëndë.

Arrestimi tek treni

Bajram Çejku ka mundur të largohet me shpejtësi nga vendi i krimit, duke arritur t’i shmanget shumë mirë arrestimit nga ana e policisë. Mirëpo një situatë e tillë nuk ka zgjatur shumë, pasi uniformat blu në rrugë operative kanë arritur të sigurojnë informacione mbi drejtimin e largimit të autorit të krimit, i cili për tu larguar ka përdorur furgonin e tij. Falë hetimit të menjëhershëm të strukturave për hetimin e krimeve të rënda të policisë, u arrit kapja e Bajram Çejkut në rrugën “Valbona” prapa stacionit të trenit në Tiranë. Në momentin e arrestimit Çejku nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj forcave të policisë, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje ai ka treguar të gjithë skemën e krimit, si dhe motivet që kanë shtyrë për të vrarë ish-dhëndrin e tij Xhevahir Bajraktari. Çejku ka rrëfyer përpara policëve se ish-dhëndëri para tre vjetësh i ka lënë vajzën e tij, e cila ka tre fëmijë me të. Një turp të tillë nuk e ka duruar më tepër i moshuari dhe duke marrë shkak e mos dorëzimin i lekëve për ushqimin e tre fëmijëve, Çejku ka vendosur ta zgjidhë ndryshe konfliktin me ish-dhëndrin, duke e qëlluar atë me automatik, me qëllim vrasjen e tij. Policia shprehet se Xhevahir Bajraktari është në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak dhe se mjekët e këtij spitali që nga mëngjesi i ditës së djeshme, po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e jetës.

 

Vetëflijimi

Piu fotoksinë, vdes në spital 19-vjeçarja

 

Një 19-vjeçare nga Kodër-Thumana ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës mesditën e djeshme. Kjo, sipas policisë, për shkak se vajza Sofie Hasani ka pirë një sasi fotoksine, po ende nuk dihet shkaku që ka bërë vajzën ta kryejë këtë akt. Policia po heton shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje familjarët e viktimës dhe disa nga shoqet dhe shokët e saj. Sipas deklarimeve të tyre, 19-vjeçarja nuk ka shfaqur asnjëherë probleme gjatë shoqërimit dhe se vendimi për vetëvrasje mund të ketë ndodhur si rezultat i rënies në depresion. Nisur nga kjo situatë, policia është duke hetuar versionin e një prishjeje të ndonjë lidhjeje dashurie të 19-vjeçares, ku shpesh kohët e fundit të tillë faktorë kanë çuar në vetëflijim shumë adoleshentë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia ka kërkuar dhe ndihmën e shoqërisë, ndërkohë që ka urdhëruar kryerjes e një ekspertize mjekoligjore, për të mësuar shkaqet e vërteta të vdekjes së Sofie Hasanit.

 

Kërkohej për gjashtë grabitje me armë, arrestohet në një hotel në kryeqytet

 

Policia arrestoi një shtetas të kërkuar për 6 vjedhje me dhunë dhe armë në Durrës. Sipas të dhënave të para të policisë, i ndaluari është shtetasi Arbër Doda, i akuzuar për së paku gjashtë grabitje. Mësohet se ndaj këtij shtetasi Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë “Burg pa afat” në mungesë, ndërkohë që ai u ndalua në një hotel në Tiranë, ku edhe strehohej për t’i shpëtuar policisë. Doda është i dyshuar dhe për grabitjen me dhunë të një çifti të moshuar në Shën Vlash të Durrësit. Arbër Doda është me origjinë nga Puka dhe banonte prej disa vitesh në Durrës. Herë pas herë ai, dilte në rrugët e Durrësit si dhe në disa fshatra të këtij rrethi duke arritur të grabisë qytetarë të ndryshëm, nën kërcënimin e armës. Pas kryerjes së krimit, Arbër Doda, largohej në drejtim të paditur, ku sipas policisë ai përdorte hotelet si dhe zonën e Pukës, duke u strehuar për disa kohë në këto vende. Për shkak të harxhimit të parave që kishte vjedhur, Doda rikthehej sërish në rrugë, ku arrinte të bënte goditjen e radhës dhe më pas të largohej pa rënë në prangat e policisë së Durrësit. Falë hetimeve të kryera është bërë identifikimi i tij si pjesëmarrës në gjashtë grabitje me armë dhe se për këto ngjarje ndaj tij është marrë masa e arrestit në mungesë. Për të mos rënë në duart e policisë, Doda kohët e fundit kishte zgjedhur si strehim hotelet në Tiranë, ku edhe këto nuk e kanë shpëtuar nga prangat, ku gjatë mbrëmjes së djeshme Arbër Doda, është përballur me agjentët e policisë, të cilët e kanë arrestuar dhe më pas ja kanë dorëzuar kolegëve të tyre në Durrës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency