Gjashtë policë privatë në trafikun e 2.1 tonë drogë nga fshati Kakome

0
288

Elton Qyno

kakomePunëtorët e ndërtuesit të kompleksit turistik, të pandehur

Skafi erdhi nga Greqia, u largua kur hyri në kompleks me forcë policia

 

Rojet e një policie private të quajtur “Aulona Pol 1” janë përfshirë në trafikun e drogës, nga Gjiri i Kakomesë në drejtim të Italisë. Pikërisht kjo polici private është ngarkuar nga dy administratorët Flamur dhe Dritan Çela, të ruajë kompleksin e fshatit turistik të Kakomesë, që shtrihet në një territor prej 70 hektarësh. Nga kjo zonë që administrohet nga biznesmeni Dritan Çela, gjatë muajit prill është arritur të kapet një furgon i mbushur me drogë, ku sasia e saj kapte shifrën prej 2.1 tonë lëndë narkotike, ndërkohë që është bllokuar dhe një arsenal i tërë me armë. Policia ka arritur të bjerë në gjurmët edhe të skafit që kishte mbërritur nga shteti grek, por edhe pse është vënë në ndjekje të tij, nuk ka mundur të bëjë dot ndalimin e mjetit lundrues. Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vënë në akuzën e “Trafikut të narkotikëve” në bashkëpunim 6 persona, të cilët janë organizatorë të këtij rrjeti, që arrite të nxirrte drogën nga një territor, siç është gjiri i Kakomesë. Dritan e Bledar Binjakaj, vëllezër, Gligor Konomi, Edmond Ferraj, Arsim Binjakaj dhe Ferik Xhelili, tashmë do të përballen në gjykatë edhe me akuzën “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Të gjithë këta persona kanë qenë roje të policisë private “Aulona Pol 1”, pronari i së cilës ndërton dhe ruan fshatin turistik të Kakomesë. Të gjithë të pandehurit janë arrestuar gjatë operacionit policor të koduar me emrin “Guacka”.

Rojet nuk hapën derën

Nga materialet e para hetimore të referuara ka rezultuar se më datë 25 prill 2012, rreth orës 23:00 të natës nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare Durrës janë njoftuar Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë dhe Komisariati i Policisë Sarandë se në drejtim të gjirit të Kakomesë, në rrethin e Sarandës është nisur një skaf që vinte nga pjesa jugore e detit Jon. Menjëherë në drejtim të gjirit të Kakomesë si nga deti ashtu dhe nga toka janë nisur forca të shumta policie. Forcat e policisë nga toka mbërrijnë më me shpejtësi në gjirin e Kakomesë dhe tentojnë të futen në brendësi të saj. Ky vend është i rrethuar në një sipërfaqe prej 70 hektarësh, pasi është duke u ndërtuar një fshat turistik me administrator shtetasin Dritan Çela dhe ruhet me roje private. Hyrja në këtë hapësirë bëhet nga një rrugë automobilistike e paasfaltuar e cila ndërpritet nga një derë hekuri që komandohet nga rojet private të këtij fshati. Forcat e policisë sapo mbërrijnë me makina tek dera kërkojnë nga rojet për ta hapur atë, por këta të fundit, për një periudhë prej më shumë se 15 minuta nuk ju binden urdhrave të Policisë së Shtetit për të hapur portën.

Kalimi përmbi tela

Në këto kushte forcat e policisë depërtojnë duke hipur nga sipër derës dhe duke bërë të mundur hapjen e saj nga brenda dhe lëvizjen me makina për në brendësi të fshatit deri në bregun e detit. Skafi i cili gjendej i afruar molit të gjirit me të vënë re afrimin e forcave të policisë largohet për në thellësi të detit, i ndjekur por pa sukses nga skafi i forcave të policisë kufitare që po i afrohej gjirit. Forcat e policisë gjatë kontrollit në afërsi të molit kanë vënë re të fshehur një kamionçinë me ngjyrë të bardhë, me targa VL 2269 C e cila kishte lëvizur deri në fund të një rruge dytësore dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar më tej ishte braktisur nga drejtuesi i saj. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur dhe sekuestruar afërsisht rreth 2.1 tonë lëndë e cila ishte lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila gjendej e paketuar dhe e vendosur brenda saj. Krahas lëndës narkotike në këtë automjet gjenden dhe dy armë zjarri tip “Kallashnikov” dhe dy krehra me fishekë të mbështjellë me qese plasmasi. Gjatë kontrollit në godinat në afërsi të molit në të të cilën flinit roje private janë gjetur dhe sekuestruar 680 copë fishekë e 4 pako me lëndë plasëse, që rezultoi të ishin teknikisht në rregull. Gajshtë rojet ku bënin pjesë të pandehurit Dritan e Bledar Binjakaj me cilësinë e përgjegjësve si dhe të pandehurit e tjerë Gligor Konomi, Edmond Ferraj, Arsim Binjakaj e Ferik Xhelili. Në datë 25 prill 2012 në orët e vona të natës të pranishëm në këtë fshat kanë qenë të gjithë të pandehurit e mësipërm dhe me ardhjen e forcave të policisë në vendngjarje të gjithë personat e mësipërm janë mundur të largohen në drejtime të ndryshme, por më pas janë arrestuar.

 

Hetime për zbulimin e bashkëpunëtorëve në trafik

Biznesmeni Çela 6 të pandehurit

i punësoi në mënyrë fiktive

Nga hetimet e kryera në vijim ka rezultuar se të pandehurit Dritan e Bledar Binjakaj vëllezër midis tyre janë punësuar si roje private fillimisht nga shoqëria e rojeve private “Aulona Pol 1” me administrator shtetasin Flamur Çela, vëllai i shtetasit Dritan Çela, me objekt pune ruajtjen e Gjirit të Kakomesë në rrethin e Sarandës, ku po ndërtohej fshati turistik. Por nga data 13.1.2012 e në vijim, këta të pandehur nuk figurojnë më si roje private dhe as me leje për t’u pajisur me armë zjarri, në një kohë kur ata vazhdojë të kryejnë punën e rojës në hapësirën e mësipërme, kundrejt një marrëveshje gojore me administratorin Dritan Çela. Të pandehurit Dritan Binjakaj e Bledar Binjakaj rekrutojnë si roje në ndihmnë të tyre 4(katër) të pandehurit e tjerë Gligor Konomi, Edmond Ferraj, Arsim Binjakaj e Ferik Xhelili në kohë të ndryshme, ku asnjëri prej tyre nuk kishte dokumentacion për një veprim të tillë si dhe nuk kishin leje për përdorimin e armëve të zjarrit, por paguheshin prej tyre me para në dorë. Gjatë periudhës janar-prill, 2012 të gjithë të pandehurit kanë mbajtur armë pa lejë, ndërkohë që për trafikimin e sasisë prej 2.1 tonë drogë, kanë bashkëpunuar edhe disa persona të tjerë, për të cilët siç, mësohet tashmë është duke vijuar hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tyre.

  1. Dritan Binjakaj përgjegjës roje
  2. Bledar Binjakaj përgjegjës roje
  3. Gligor Konomi roje i Kakomesë
  4. Edmond Ferraj roje i Kakomesë
  5. Arsim Binjakaj roje i Kakomesë
  6. Ferik Xhelili roje i Kakomesë

 

Problemi me toponimet

Greqia lejon kalimin për 2 javë të fëmijëve

Emigrantët që kanë probleme me toponimet në pasaporta, do të lejohen të kalojnë kufirin Shqipëri – Greqi nga dita e djeshme deri më 12 maj, datë pas së cilës nuk do të lejohen më. Këtë njoftim e ka bërë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, Admir Abrija, i cili ka realizuar një takim në policinë greke me drejtorin e Janinës dhe komandantin e Kakavijës. Abrija ka ngritur shqetësimin e ligjshëm të emigrantëve, që s’kanë mundësi të sjellin në Shqipëri fëmijët e tyre që kanë lindur në Greqi për shkak të toponimeve. Palët ranë dakord që prej ditës së sotme deri më datë 12 maj, do të lejohen të hyjnë të gjithë fëmijët që kanë aktualisht probleme me toponimet. Kjo marrëveshje u arrit në kuadër të festës së Pashkëve. Pas datës 12, vendimi për moslejimin e kalimin e fëmijëve që kanë probleme me toponimet, do të hyjë sërish në fuqi.

 

Vjedhja në Tiranë

I rrëmbeu çantën, arrestohet 20-vjeçari

Arrestohet një grabitës, që rrëmbente çantat e femrave. Taulant Ismaili, 20 vjeç, u arrestua në “Komunën e Parisit” nga komisariati nr. 2. I riu ka ruajtur momentin kur një shtetase e moshuar se ka pasur mendjen dhe në mënyrë të shpejtë ai menjëherë ka sulmuar atë duke ia marrë çantën nga dora dhe është larguam me vrap, në rrugicat e lagjes së “Komunës së Parisit”. Mirëpo, largimi nuk ka zgjatur shumë, pasi fatmirësisht shumë afër vendit të krimit ka qenë një patrullë policie e cila ka bërë ndjekjen për disa minuta dhe më pas arrestimin e 20-vjeçarit Taulant Ismaili. Ky i fundit është shoqëruar menjëherë në komisariatin nr. 2 së bashku me shtetasen e moshuar, e cila pas dhënies së dëshmisë është lënë e lirë, ndërsa ndaj 20-vjeçarit është ngritur akuzë e vjedhjes. Dukuria e rrëmbimit të çantave dhe varëse të floririt nga vajzat e gratë është bërë shqetësuese, sidomos edhe pas vrasjes që i ndodhi shtetasesh Fatbardha Tafa.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency