Studimi i FIFA-s Regjimet totalitare kanë “fiksuar” dy botërorë

0
136

Përgatiti Altin Vorpsi

101137_mundial78_principal

Nëse mendoni se takimet fiksohen vetëm në kampionatet e vogla dhe se të korruptuarit janë lojtarë që “shiten” për pak, e keni gabim. Dje organizmi më i lartë futbollit, FIFA, ka filluar që të tregojë anën “e errët” të kompeticionit më të rëndësishëm që po ajo vetë organizon.

 

 

Kupa e Botës, kompeticioni më i rëndësishëm në futboll, për të paktën dy herë është fituar nga përfaqësuese që nuk e meritonin. Ky konkluzion doli nga simpoziumi i titulluar “Rëndësia dhe impakti i Kupës së Botës”, i mbajtur në ambientet e FIFA-s në Zyrih të Zvicrës.

 

Junta në Argjentinë

Ranan Rein, profesor në Universitetin e Tel Avivit, u shpreh se ishte 100% i bindur se junta ushtarake në Argjentinë influencoi në fitoren 6-0 ndaj Perusë, rezultat që nxori jashtë botërorit Brazilin: “Jam i bindur se gjeneralët në Argjentinë e kaluan kufirin gjatë Kupës së Botës në vitin 1978. Ata kërkonin me çdo kusht fitoren pavarësisht kostove. Ata bënë ç’është e mundur që kombëtarja argjentinase të triumfonte, duke përdorur çdo lloj presioni, duke negociuar me federatat dhe qeveritë e huaja. Megjithëse nuk kam dokumente për ta vërtetuar këtë, prova më e rëndësishme është fiksimi i ndeshjes me Perunë. Jam i bindur që në këtë rast gjeneralët argjentinas kanë vepruar në të njëjtën mënyrë si Musolini në vitin 1934, i cili ishte përcaktues me metodat e tij që Italia të fitonte botërorin e këtij viti”.

 

Musolini i dha Kupën e Botës Italisë

Në të njëjtën linjë logjike ishte edhe shkrimtari italian Marko Impilja, sipas të cilit, diktatori fashist Benito Musolini ndërhyri te gjyqtarët që kombëtarja italiane, edhe pse nuk ishte skuadra më e mirë, të fitonte botërorin e 1934-ës: ”Është e njëjta histori: sporti dhe politika janë vëllezër dhe shpeshherë sporti vihet përfund nga politika. Në vitin 1934 Italia në njëfarë mënyrë e meritoi botërorin, por nuk ishte skuadra më e mirë. Mendoj që skuadra që triumfoi më 1938 ishte më e mirë. Musolini duke ndikuar te gjyqtarët, sigurisht që i dha shtysën kryesore Italisë për të arritur në finale”. Madje, edhe në këtë takim të fundit me Çekosllovakinë, Italia u ndihmua sërish, sepse skuadrës kundërshtare iu anulua një gol i rregullt. Në këtë mënyrë Italia e fitoi finalen në kohën shtesë me gol të Angelo Skavios. Musolini e shfrytëzoi si reklamë fitimin e Kupës së Botës për të forcuar regjimin e tij.

 

Hapa para

Ndërsa Stefan Rinke, profesor i historisë latino-amerikane në Universitetin Free në Berlin, bashkorganizator i konferencës, theksoi se në terma të përgjithshëm, FIFA ka bërë hapa të mëdhenj përpara që nga themelimi i saj në vitin 1930.

 

Kategoria Superiore

Skënderbeu shpallet kampion për të tretin vit radhazi

Skënderbeu është zyrtarisht kampioni i Shqipërisë në futboll. Korçarët e drejtuar nga Mirel Josa mundën 2-0 Kastriotin, duke mbyllur gjithçka dy javë para përfundimit të Superligës. Titulli i tretë radhazi kampion dhe i katërti në historinë e Skënderbeut u vulos falë golave të Ditmar Bicit dhe Sabien Lilajt. Skënderbeu e ka dominuar lojën dhe ka qenë në mënyrë persistente ngulmues në portën e Osmanit, por sulmuesit dhe mesfushorët e krahut nuk kanë arritur të jenë dhe aq efektivë në rastet e krijuara. Nëse Plaku, S. Lilaj, Çaushajt e të tjerë do ta kishin shënjestrën më të kolauduar, epërsia e kuqebardhëve mund të kishte qenë edhe më e thellë. Megjithatë, fitorja ishte bindëse, objektivi madhor u arrit. Përveç marrjes së tri pikëve, Skënderbeu rikonfirmohet për të tretin sezon radhazi kampion i vendit, duke pasur tashmë katër trofe të tillë në palmaresin e vet, duke llogaritur edhe atë të vitit 1933. Një sukses më se i merituar i juglindorëve, me president Ardian Takajn dhe trajner Mirel Josën, në gjirin e të cilëve luajnë shumë prej lojtarëve më të mirë të kampionatit tonë. Po ashtu, “notën dhjetë” meriton tifozeria korçare, më e shumta në numër në stadiumin e vet, por që nuk ka munguar ta përkrahë skuadrën e zemrës edhe në transferta. Dy javët e mbetura të kampionatit për kampionët e rikonfirmuar të Shqipërisë do të luhen tashmë sa për statistikë, sepse misioni u krye. Fazë e parë e shkëlqyer për korçarët, faza e dytë me pak oscilacione, por gjithsesi titulli nuk u vu në diskutim në asnjë moment, ishte plotësisht i merituar. 17 fitore, 4 barazime dhe tri humbje në 24 javë kampionat, me golaverazhin tejet pozitiv 39:10 apo përkthyer ndryshe në 55 pikë, tregojnë forcën reale të këtij Skënderbeu në krahasim me rivalët e tjerë në Superiore. Forcë të cilën duhet ta dëshmojë tashmë edhe tej kufijve, në angazhimet e veta evropiane. Ky është misioni i radhës për kampionët e rinj dhe të vjetër tanët, që kanë kohë të mendojnë e përgatiten për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, si përfaqësues të Shqipërisë.

 

Java e 24-t

 

Dje

SKËNDERBEU – KASTRIOTI  2-0

Golat: Bici 38′, S. Lilaj 58′

 

Sot

VLLAZNIA – BESA

KUKËSI – FLAMURTARI

LUFTËTARI – TOMORI

LAÇI – SHKUMBINI

BYLISI – TEUTA

APOLONIA – TIRANA

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency