Ulen çmimet, por përsëri shqiptarët kursejnë

0
137

saleE gjithë kjo situatë duket se vjen për shkak të kursimeve të rrepta që po bëjnë individët, duke mos e shpenzuar paranë për produkte të cilat nuk janë të domosdoshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë rritur llogaritë bankare si dhe janë shtuar llogaritë e reja

 

Fjalët “krizë ekonomike” duket se janë ngulitur thellë në mendjen e shqiptarëve. Vitet e fundit shumë prej nesh kanë hezituar të blejnë produkte si për shtëpinë, por edhe për vete, duke filluar që nga rrobat. Arsyeja kryesore ka të bëjë me krizën që duket se është bërë një problem psikologjik sesa real. Shifrat më të fundit tregojnë se edhe pse çmimet e veshjeve, elektroshtëpiakeve, makinave etj. janë ulur përsëri, sasia që blihej disa vite më parë është më e ulët. Mjafton t’u hidhet një sy llogarive bankare që kanë sot shqiptarët. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë rritur llogaritë bankare si dhe janë shtuar llogaritë e reja. E gjithë kjo situatë duket se vjen për shkak të kursimeve të rrepta që po bëjnë individët, duke mos e shpenzuar paranë për produkte të cilat nuk janë të domosdoshme. Nëse shikohen çmimet e veshjeve sot në krahasim me 5 vjet më parë vërehet një ulje e ndjeshme e çmimit. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për tregun e frutave perimeve ku sasia e blerjes është ulur.

Çmimet e veshjeve

Ulja e çmimeve të veshjeve duket se ka ardhur si efekt i krizës nga jashtë. Bizneset që prodhojnë veshje jashtë shtetit, si pasojë e krizës kanë ulur çmimet dhe kjo ulje është ndjerë dhe në vendin tonë. “Çmimet kanë pësuar ndryshim të madh vitin e fundit. Ne si tregtarë, duke mos shituar shumë, kemi vendosur t’i ulim çmimet, por përsëri niveli i blerjeve ka qenë në të njëjtat shifra”, – përmend Fatmir Asllani, tregtar te tregu i Medresesë. “Ja një shembull i qartë. Këtë model bluzash (na treguan modelet e reja të ardhura nga jashtë), e kam shitur një vit më parë 18 mijë lekë të vjetër. Sot të njëjtën bluzë e shes 12-13 mijë lekë, por përsëri nuk ka interesin që kishte një vit më parë”, -thekson Asllani, që mungesën e blerjeve e lidh me idenë që kanë shqiptarët për krizën. “Ne kemi qenë edhe jashtë dhe na kanë thënë që kriza ka goditur blerjet. Herën e fundit që kemi marrë mall, kemi parë që është kthyer përsëri interesi, pasi kriza nuk është ajo e disa viteve më parë. Por ky interes nuk është kthyer ende në vendin tonë”, – përmend tregtari që duket se është i zhgënjyer nga hezitimi i blerësve përgjatë këtij viti.

Tregu i makinave

Markës “Mercedes-Benz”, që para 4 vjetësh blihej masivisht nga shqiptarët, duket se i ka rënë interesi. Jo vetëm kjo markë, por përgjithësisht tregu i makinave ka pësuar një luhatje të blerjeve. Çmimet shikohet që si në ofertat online, por edhe në tregjet e tjera që kanë rënë kanë rënë. Aktualisht, shumica e makinave ekonomike kushtojnë nga 1500-4500 euro (gjithmonë në varësi të vitit të prodhimit). Këto makina disa vjet më parë shiteshin100-1500 euro më shumë dhe blerjet ishin në nivele të kënaqshme. Tregtarët që qëndrojnë çdo ditë te stadiumi “Selman Stërmasi” përmendin për gazetën se blerjet as që krahason me ato të kohëve të kaluara. “Unë kam rreth 20 ditë që nuk kam shitur asnjë makinë dhe ajo që shita herën e fundit ishte një “Fiat” që kushtonte vetëm 1300 euro”, – përmend një nga tregtarët te stadiumi “Selman Stërmasi”.

Elektroshtëpiaket

Dy nga pikat e shumicës që shesin elektroshtëpiake tregojnë për gazetën se shitje ka, por individët janë duke blerë produktet më të lira. “Shitjet nuk mund të themi se kanë pësuar ndryshim të madh, por ajo që është një problem ka të bëjë me shitjen e produkteve më të lira. Muajt e fundit nuk është shitur asnjë prej produkteve frigorifer apo televizor, që kushton më shumë se 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra. Përkundrazi, ndodh me disa produktet e njëjta dhe me çmime të ulëta. Në momentin që ne bëjmë ofertat dhe ulim çmimet për disa marka, shitjet shtohen. Televizorët dhe lavatriçet me çmime 300-500 mijë lekë kanë një shitje goxha të lartë”, – thekson një nga ekonomistët e tregut të elektroshtëpiakeve.

 

“CEZ”, anulohen 1500 fatura të kohës kur administrohej nga çekët

Kompania “CEZ Shpërndarje” do të bëjë anulimin e 1500 mbifaturimeve të periudhës kur në krye të saj kanë qenë çekët. “Ajo që ne vazhdon të na shqetësojë dhe për të cilat kemi marrë masa emergjente dhe urgjente për zgjidhjen e tyre, janë ankesat që vijnë për faturimet e bëra në periudhat e mëparshme, që përkojnë kryesisht me mbifaturimet, me gjobat. Rreth 4500 na kanë ardhur në total për periudhat e mëparshme që i kemi të depozituara të pazgjidhura, kemi të shqyrtuara rreth 1500, janë në shqyrtim dhe në përfundim edhe 700 të tjera të cilat do të ekzekutohen menjëherë brenda një periudhe të shkurtër”, – tha Ilirian Shkëmbi, drejtor i Shitjeve në “CEZ Shpërndarje”. Nëpërmjet një kompjuteri dhe interneti, tashmë të gjithë qytetarët që kanë ankesa për energjinë elektrike mund të plotësojnë një formular në mënyrë elektronike. Për të shmangur radhët në qendrat e kujdesit ndaj klientit, drejtorja e kësaj qendre, Eni Zaimi, tha se përgjigjja ndaj qytetarit do të bëhet brenda 30 ditëve. “Gjithashtu konsumatori mund të ankohet dhe në numrat tanë të kontaktit që kemi pasqyruar dhe kemi vendosur në faqen tone zyrtare. Afati ligjor i kthimit të përgjigjes është 30 ditë. Abonenti do të marrë përgjigjen e tij në vendin ku ai e kryen këtë ankesë. Nëse ankohet në qendrat e kujdesit ndaj klientit kthimin e përgjigjes do ta marrë në këto qendra. Nëse ai ankohet online, kthimin e përgjigjes do ta marrë online”, – deklaroi Zaimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency