BERZH: Shqiptarët, me shpirt shumë të mirë biznesi

0
228

Ervin Kaduku

berzhPresidenti i Bankës Evropiane, intervistë për “Zërin e Amerikës”

 

 

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilat e kanë ndier krizën e Eurozonës, janë ekonomi shumë të vogla dhe mund të përfitojnë nga rimëkëmbja e ekonomisë botërore, nëse marrin tani masa përmes politikave të tyre ekonomike”, – tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” presidenti i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Suma Chakrabarti. Ai thotë se për të shtuar rritjen ekonomike, BERZH i këshillon këto vende që mes të tjerash, të mendojnë në mënyrë rajonale.

Sa më poshtë, vijon pjesa e intervistës kushtuar Shqipërisë

Zoti Chakrabarti, Ballkani Perëndimor, ky hyn Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, është rajoni që e ka ndjerë më tepër krizën e eurozonës. Këto vende kanë pasur një ngadalësim të madh, apo edhe rritje negative të aktivitetit ekonomik. A mendoni se rajoni do të jetë në gjendje t’i rikthehet së shpejti rritjes ekonomike të periudhës para krizës?

Kam shumë besim se kjo do të ndodhë. Mendoj se këtë vit ato duhet të konsolidojnë statusin e tyre fiskal dhe të vazhdojnë me reformat që janë duke zbatuar, ndërsa ndodh rimëkëmbja e ekonomisë botërore. Këto vende janë ekonomi shumë të vogla, por unë mendoj se ato mund të përfitojnë nga rimëkëmbja e ekonomisë botërore, nëse marrin tani masa përmes politikave të tyre ekonomike. Kam besimin se kjo do të ndodhë, se këto vende kanë shpirtin e biznesit dhe përkushtimin politik, për të bërë atë që duhet.

Konkurrueshmëria dhe rritja e eksporteve janë të rëndësishme për rritjen ekonomike. Si po i ndihmon BERZH këto vende të jenë më kompetitive në ekonominë rajonale dhe globale dhe që të rrisin eksportet?

Ne po bëjmë disa gjëra. Fillimisht, të jesh konkurrues, të jesh tërheqës për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, duhet të krijosh kushtet favorshme në vend, për përmirësimin e klimës së investimeve. Së dyti, ne i këshillojmë vende si Shqipëria, Kosova, apo Maqedonia, të mendojnë nganjëherë në mënyrë rajonale, pra të orientohen sipas rajonit. Pata kënaqësinë nga vizita ime në shkurt që udhëheqësit e të tre vendeve më thanë se përpiqen për integrimin rajonal përmes projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, si rrugë, hekurudha, dhe në këto projekte mund të ndihmojmë edhe ne. Në Shqipëri, për shembull, ne kemi dy projekte të rëndësishme si aeroporti i Tiranës, për ta bërë atë më të efikas në rajon, apo terminalin e portit të Durrësit. BERZH po ndihmon për ta zgjeruar dhe përmirësuar këtë terminal, që ai të bëhet një pikë hyrjeje për mbarë rajonin.

Le të flasim për Shqipërinë. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat ndeshet vendi dhe si po e ndihmon Banka që t’i kapërcejë?

Unë mendoj se problemi kryesor për vendin është se bazohet së tepërmi tek remitancat nga Italia, apo nga Greqia. Shqipëria duhet ta marketojë veten tek investitorët e huaj edhe më mirë se në të kaluarën. Në Shqipëri shpirti i biznesit është shumë i mirë.

Një nga përparësitë e vendit është zhvillimi i sektorit energjetik. Shqipëria po përpiqet të zhvillojë projekte të energjisë së ripërtërishme përmes përfshirjes së sektorit privat. Si po e ndihmon Banka vendin për arritjen e këtij objektivi?

Shqipëria ka shumë burime, hidroenergjetike. Vitin e kaluar ne patëm një konferencë me pjesëmarrjen e qindra njerëzve, për t’u angazhuar si të ndihmojmë me projekte hidroenergjetike. Tani jemi duke u angazhuar konkretisht me projekte, jemi duke parë mundësinë për t’u përfshirë edhe në projekte të tjera.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency