Meta konfirmoi që PD kishte të drejtë me KQZ-në

0
149

Çelo Hoxha

 

metaJava e kaluar politike ishte java më e tensionuar prej një kohe të gjatë. Shkak u bë nisma e grupit parlamentar të PD-së për të zëvendësuar një anëtar të KQZ-së, por në provë u vendos ekzistenca e qeverisë, sepse, në rast se dështonte votimi, atëherë do të thoshte se qeveria nuk kishte mbështetjen e nevojshme parlamentare për të vazhduar dhe mund të rrëzohej në çdo moment që opozita do të merrte nismën e një mocioni votëbesimi të saj.

Opozita e kundërshtoi me forcë zëvendësimin e anëtarit të KQZ, i propozuar dikur nga LSI, me pretendimin se KQZ ishte një institucion i pavarur, dhe nisma e PD, sipas opozitës, ishte një përpjekje e saj për të kontrolluar KQZ dhe manipuluar zgjedhjet e 23 qershorit. Debatet zgjatën nga mëngjesi në darkë vonë, por në fund, edhe pse pa aleaten e majtë të katër viteve qeverisje, LSI, PD ia arriti të grumbullonte votat e mjaftueshme për të larguar nga detyra kandidatin e LSI në KQZ. Përveç rëndësisë që pati për procedurën e të hënës në Kuvend, numri i votave të grumbulluara nga mazhoranca tregoi dhe peshën reale politike të LSI, e cila e konsideronte veten si kyç për ekzistencën e qeverisë. Në votimin e të hënës, katër deputetë të LSI ishin të barabartë me tre ish-deputetë të PS-së.

Sidoqoftë, katër ditë më vonë (pasi kishin kaluar tre ditë e nevojshme që zgjasin çuditë në Shqipëri, kryetari i LSI, Ilir Meta, dha një intervistë në emisionin Top Story. Në një gjendje të realaksuar, ai i ofroi publikut një rrëfim të sinqertë. Unë po ndalem vetëm te çështja e anëtarit të KQZ, sipas bisedës që zoti Meta bëri me Sokol Ballën.

Ja si u zhvillua biseda:

“Balla: Ju e takuat atë natën në Kryeministri zotin Berisha dhe atë natë u dukët sikur u ndatë në paqe?
Meta: Raportet tona në katër vjet, që kur iu përgjigjëm pozitivisht ftesës kanë qenë konstruktive, bashkëpunuese, edhe pse kemi ndarë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, që në raste të caktuara janë shprehur edhe publikisht dhe në takimin e fundit. Në atë takim, unë e falënderova për bashkëpunimin e di bëra të qartë se kisha vendosur të bëja një zgjedhje tjetër për PS.
Balla: Si e priti Kryeministri këtë deklaratë?
Meta: Ajo që doja të theksoja, është se po të më kishte thënë në këtë takim që anëtari që ju keni propozuar na prish balancat në KQZ, besoj se kjo çështje mund të ishte zgjidhur me bisedime, pa qenë e nevojshme që të krijoheshin trauma të tilla.”

Ajo që unë kuptoj nga kjo bisedë është si vijon.

Një, Ilir Meta është i kënaqur nga bashkëpunimi katërvjeçar me PD-në dhe është larguar nga koalicioni pa asnjë qejfmbetje. Kalimi i tij në opozitë është zgjedhje teknike e tij, dhe jo një lëvizje politike e frymëzuar nga pakënaqësitë (e lindura nga mosmarrëveshjet) me PD dhe zotin Berisha. Problemi, pra, qëndron te zoti Meta, por që ai nuk e ka sqaruar kurrë publikisht deri tani.

Dy, dhe më e rëndësishmja, Ilir Meta pranon në këtë pjesë të intervistës që anëtari i KQZ-së (i cili u largua nga Kuvendi të hënën) ishte kandidat i saj, gjë që opozita, LSI dhe PS bashkë, u munduan të mos e artikulonin në debatin parlamentar të së hënës. Zoti Meta konfirmon gjithashtu që ai anëtar ishte një çështje politike midis tij dhe Sali Berishës, kur thotë se “po të më kishte thënë [Berisha] në këtë takim që anëtari që ju keni propozuar na prish balancat në KQZ.” Takimi që bëhet fjalë në intervistë, mes zotit Berisha dhe zotit Meta, është ai në muajin mars, ku ata e nisën bisedën si aleatë dhe përfunduan si, sepse zoti Meta i shprehu atij largimin nga koalicioni. Zoti Berisha i dha leje dhe këtu mori fund kjo histori. Veçse, në atë takim, ata harruan të bisedonin çështjen e anëtarit të KQZ që LSI e kishte marrë si pjesë e koalicionit qeverisës. Harresa e asaj dite nuk e zhdukte problemin, ajo thjesht e shtyu zgjidhjen e tij për një kohë tjetër, kur t’u binte ndërmend. PD-ja pikërisht këtë bëri të hënën dhe gjithë kundërshtimi i opozitës, LSI të paktën, ishte një rezistencë e pasinqertë. Ajo e dinte që PD kërkonte diçka që i përkiste. Dhe atë mori.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency