PS refuzon zëvendësimin e anëtarëve: KQZ ka humbur legjitimitetin

0
145

Gëzim Saliu

psKQZ-ja, Rama dhe Meta takojnë zyrtarin e DASH: Mazhoranca të reflektojë ose të vuajë pasojat

 

Partia Socialiste nuk do të dorëzojë brenda afateve kandidaturat për zëvendësimin e dy vendeve të mbetura bosh nga dorëheqjet në KQZ. Ky pritet të jetë vendimi që do të marrë opozita e majtë, duke neglizhuar dhe njëkohësisht duke kundërshtuar kërkesën e bërë dje nga Kryeparlamentarja Jozefina Topalli për dërgimin brenda 48 orëve të kandidaturave të reja të opozitës për të zëvendësuar dy anëtarët tashmë të dorëhequr, ish-nënkryetari Denar Biba dhe Albana Shtylla. Burime brenda selisë rozë bëjnë të ditur se ky vendim i marrë, i konsultuar edhe me LSI-në, do të jetë një kundërpërgjigje e së majtës ndaj vendimit që u mor në seancën e kaluar parlamentare, ku u shkarkua anëtari i KQZ-së Ilirjan Muho. Për PS-në, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka humbur legjitimitetin dhe, sipas socialistëve, është e domosdoshme rivendosja e besueshmërisë në këtë institucion për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në 23 qershor.

 

Takimet me Moore-in

Pas takimit me zyrtarin e Departamentit te Shtetit, Jonathan Moore, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, kreu socialist Edi Rama bëri të ditur se PS do të kërkojë rikthimin e legjitimitetit të KQZ-së. Lideri i opozitës deklaroi se në bisedën me Moore-in u theksua domosdoshmëria e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ-së, pasi, sipas Ramës, vetëm në këtë formë nuk do të ketë asnjë arsye që zgjedhjet e qershorit të kontestohen. “Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh lidhur me gjendjen paraelektorale dhe sigurisht lidhur edhe me zhvillimet më të fundit në rajon e posaçërisht edhe për ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të anëtarit të KQZ-së dhe praktikisht, e rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje, kaq të rëndësishme për Shqipërinë, në një moment të rëndësishëm siç është ky moment për vendin edhe në kontekstin e integrimit evropian dhe të zhvillimeve në rajon, të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme”, – deklaroi Rama. Në të njëjtën linjë, edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se situata politike në të cilën ndodhet vendi, u krijua pas veprimit që mazhoranca i bëri KQZ-së. Meta theksoi se dorëheqja e anëtarëve e ka futur në ngërç institucionin e KQZ-së, ndërkohë që i bëri thirrje mazhorancës që të reflektojë ose përndryshe duhet të vuajë pasojat. “Ndërhyrja e pseudo-mazhorancës ka futur në ngërç institucionin. Kemi shantazh të fortë, duke vënë dorën mbi zgjedhjet. Pseudo-mazhoranca duhet të reflektojë ose të vuajë pasojat. Vendi ka nevojë për procese konstruktive dhe të ligjshme”, – theksoi Meta në përfundim të takimit me drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore. Më herët në një takim elektoral me struktura e LSI-së në Pukë, Meta theksoi se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik. “Nuk shkohet drejt integrimit duke u bërë karshillëk ndërkombëtarëve. Qeveria aktuale nuk ka vullnet për të kontribuar për zgjedhje të lira”, – tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

Bumçi – Moore: Qeveria shqiptare, e angazhuar për zgjedhje të lira dhe me standarde

Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, priti dje në një takim drejtorin e Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Ministri Bumçi e siguroi zyrtarin amerikan se qeveria shqiptare është e angazhuar të zhvillojë një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ai evidentoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin që SHBA u ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë. Nga ana e tij, zyrtari i DASH-it nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Moore theksoi se me gjithë sfidat e shumta me të cilat Shtetet e Bashkuara përballen sot në botë, Ballkani do të vazhdojë të mbetet në fokusin e administratës amerikane për të ruajtur të gjitha ato arritje që janë bërë në drejtim të paqes dhe sigurisë në Ballkan. Në këtë kontekst, Moore theksoi se shpreson për përfundimin me sukses të dialogut Kosovë-Serbi, gjë që do të mundësonte ecjen e tyre përpara drejt integrimeve evropiane.

 

Rama në Peshkopi: 200 miliardë dollarë më shumë për ekonominë

Kreu socialist Edi Rama deklaroi dje nga Peshkopia, gjatë prezantimit të programit të PS-së, se forca që ai drejton, në rast se fiton zgjedhjet, do të krijojë 200 miliardë dollarë më shumë për ekonominë. “Lidhur me naftën. Aktualisht, sa për një dijeni, sot, zyrtarisht vidhen 100 mijë tonë naftë. Kështu, i faturohet popullit shqiptar që e ka pasuri të vetën, naftën, një humbje 45 milionë dollarë në vit. Humbje e drejtpërdrejtë. Parafytyroni, sikur 50 milionë dollarëve në vit, që janë ndihmë ekonomike që u jepen familjeve që janë në nevojë dhe nuk kanë punë, t’u shtohen edhe këto 45 milionë dhe të shkojnë tek rreth 100 milionë dollarë ndihmë, të cilën ne ta kthejmë nga një lëmoshë që e dini mirë që përdoret për të mbajtur peng njerëzit më të varfër, në emër të lidhjes me pushtetin. Ne jo vetëm do ta bëjmë këtë, por jemi të bindur se nuk e ekzagjerojmë, përkundrazi e kemi detyrim ndaj publikut që të zotohemi se nga vënia nën kontroll rigoroz, shtetëror të vendburimeve të naftës, nga rivënia në punë e gjithë linjës së përpunimit të naftës në vend, nga goditja pa mëshirë e kontrabandës dhe evazionit në tregtimin me pakicë të naftës, të krijojmë të paktën 200 milionë dollarë më shumë për ekonominë kombëtare dhe në funksion të rritjes së punësimit, punësimit, punësimit, mirëqenies, mirëqenies, mirëqenies”, – tha Rama.  Po ashtu, kreu socialist tha se vendi ka të domosdoshëm një plan kombëtar për zhvillimin dhe një plan strategjik për energjinë. “Dua të theksoj domosdoshmërinë e një plani të përgjithshëm kombëtar sepse duhet tu japim fund veprimeve kuturu të tokës që po heq çdo muaj pasuritë e përbashkëta dhe po e kthen në truall të ndërtuar jashtë çdo kushti. Dhe për t’i dhënë një drejtim të qartë vendit në rrugën e zhvillimit… Është e nevojshme që ne të kemi një plan strategjik për energjetikën, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në mënyrë që në të gjithë hapësirën shqiptare të mund të garantohet jo vetëm furnizimi me energji, jo vetëm e ardhmja e këtij furnizimi, por me çmime të arsyeshme”, – tha Rama.

 

Presidenti i PPE: Bojkoti i KQZ-së nga opozita i papranueshëm, ekuilibri i domosdoshëm

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Wilfried Martens, nëpërmjet një deklarate për situatën politike në Shqipëri, e cilësoi si të papranueshëm bojkotin e KQZ-së nga opozita. Duke shprehur mbështetjen për Partinë Demokratike lidhur me qëndrimin e saj për KQZ-në, Martens tha se çdo përpjekje për të ndryshuar balancën e dakorduar është një përpjekje për të destabilizuar tërë sistemin zgjedhor. “Unë kam ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në Shqipëri, që kur partneri i vogël i koalicionit, LSI, e la koalicionin qeverisës për t’u bashkuar me opozitën. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet gjithashtu të reflektojë riorganizimin e koalicionit qeveritar. Kjo është e një rëndësie të madhe për të ruajtur ekuilibrin brenda KQZ-së, e cila është përcaktuar në marrëveshjet ndërpartiake dhe në ligjet mbi zgjedhjet, nën ndërmjetësimin e OSBE-së dhe OSBE/ODIHR-it të implementuara dhe të konsoliduara nga viti 2004 deri më sot. Çdo përpjekje për të ndryshuar balancën e dakorduar – katër anëtarët e KQZ-së propozohen nga qeveria dhe tre nga opozita – është një përpjekje për të destabilizuar tërë sistemin zgjedhor dy muaj para zgjedhjeve. Nën këto rrethana, tërheqja e anëtarëve socialistë të KQZ-së është e papranueshme. Është e panevojshme të thuhet, PPE mbështet fuqishëm Kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike dhe është e bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojnë një hap vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, – shprehej Presidenti Martens në mesazhin e tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency