Jeta bosh e një pensionisti amerikan

0
174

Çelo Hoxha

 

pensionistiJohn Withers II, ambasador i SHBA-së në Shqipëri, 2007-2010, po kalon ditë të mërzitshme në pension, shumë kohë në dispozicion dhe jo shumë gjëra për të bërë. Pak a shumë këtë gjendje reflektojnë intervistat e tij të gjata që ai jep, sa herë që partitë e majta shqiptare kanë nevojë, mediet e majta shqiptare. Thelbi i tyre gjithmonë ka qenë i njëjtë: sulme të drejtpërdrejta kundër liderit të së djathtës shqiptare dhe Kryeministrit të Shqipërisë.

Intervista e tij e fundit, e botuar dje në gazetën “Shqip”, fillon me një falënderim për drejtorin e gazetës, “që më tha [duhet “dha”] mundësinë për këtë intervistë”. Në Amerikë atij nuk ia ofron njeri këtë mundësi. Aty nuk gjen intervista as me ambasadorët në detyrë, le pastaj me ish-ambasadorët në një vend ish-komunist, që shumica e amerikanëve nuk e dinë – edhe nëse e kanë dëgjuar si emër – se në ç’kontinent ndodhet. Falënderimi për gazetarin është i mirëkuptuar, mirësjellje e domosdoshme.

Zoti Withers i njeh dhe i respekton ligjet e vendit të tij. Ai nuk harron të vendosë në një kontekst real, para se t’u përgjigjet pyetjeve, peshën e mendimeve të tij për Shqipërinë, kur thotë: “Unë nuk jam më një diplomat dhe mendimet e mia nuk reflektojnë ato të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Këto janë mendimet e mia si një amerikan privat”. Persona privatë në Amerikë ka gjithsej 315.688.000 (llogaritje e vitit 2013, të paktën sipas Wikipedia-s). Sikur të intervistonte çdonjërin prej tyre, “Shqip”-i mund të kishte rreth dy milionë artikuj, nëse do t’i botonte, si intervistën e zotit Withers, në dy numra (llogaritjet janë të përafërta, pa përdorur makinë llogaritëse). Një numër i tillë artikujsh do të mbulonte një gjatësi historike nga themelimi i Trojës e deri në ditët tona ose nga sot e në fund të pesë mijë vjetëve.

Zoti Withers erdhi në Shqipëri me mision diplomatik, në shërbim të një vendi me demokraci autoritare dhe, nëse nuk do të ishte përzier në punët e brendshme të Shqipërisë pas largimit, atëherë fjala e tij do të kishte pasur peshë, po qe se dikush e intervistonte rastësisht. Por intervistat e tij janë bërë normë. Sa herë që Edi Rama inatoset me Sali Berishën, ata që e dinë se deri ku shkon imagjinata e medieve të majta, vënë bast se kur do të shfaqet intervista me ish-ambasadorin që disa e mbajnë mend për një përrallë të rrëfyer në një emision fëmijësh.

Ajo që ka po ndodhur me emrin e ish-ambasadorit amerikan, përdorimi nga mediet e majta, ka histori 70-vjeçare në Shqipëri dhe ka nisur nga baballarët ose gjyshërit e të majtëve të sotëm. Në fillim përdorej emri i ambasadorit jugosllav, pastaj atij sovjetik, pastaj me atë kinez, gjithnjë në varësi të aleancës servile që krijonte kupola e diktaturës, pasi prishte marrëdhëniet me tutorin e mëparshëm. Të majtët funksionojnë me autoritetin, atyre u pëlqen shtypja, jo bindja, një nevojë që ua imponon natyra mazokiste e shijimit të jetës.

Akuzat e ish-ambasadorit ndaj Kryeministrit shqiptar nuk ndryshojnë nga ato që bëjnë në Shqipëri kundërshtarët e tij politikë: diktator, armik i lirisë, dhunues i gjykatave etj. Këto akuza ka filluar t’i artikulojë (përsëri, pas një pauze 4-vjeçare në pushtet) edhe ish-aleatja e PD-së, LSI, shumë nga njerëzit e të cilës ende s’kanë bërë dorëzimet në detyrat administrative, ngaqë duan të përdorin sa më shumë të mundin karburantin e shtetit për të përmbysur “diktaturën” e Sali Berishës.

“Nuk është vendi im për të bërë avokati për ndonjë parti politike apo ndonjë udhëheqës, – thotë Withers, – por u them këtë votuesve shqiptarë: 23 qershori është dita juaj. Dita për t’i thënë “jo” diktaturës”. Ai e ndien se ato që thotë shkojnë në favor të opozitës shqiptare dhe gjoja bën të pavarurin. Kjo s’është asgjë e re, as autoritative. Këtë gjë e kanë thënë disa ish-prokurorë të diktaturës komuniste, të cilët pasi kanë punuar në prokurori dhe gjatë “diktaturës” së Berishës, pak javë më parë u futën në listat për deputetë të PS-së. Në ato lista është futur dhe ndonjë gazetar “i pavarur”. Dhe të gjithë kanë deklaruar se do të punojnë me mish e me shpirt për të larguar nga pushteti “diktatorin” Berisha. Diktatura ekziston në mendjen e tyre. Ata e urrejnë Berishën, ngaqë janë të bindur se ai ka zënë vendin e Enver Hoxhës, të cilin duan ta imitojnë vetë.

“Shqipëria shumë rrallë ka zhvilluar zgjedhje që kanë plotësuar kushtet themelore dhe universale të të qenët të lira dhe të ndershme”, – shprehet zoti Withers. Këtë deklaratë mund ta bëjë kushdo, problemi është kush i ka minuar këto zgjedhje. Në 1996 i minoi PS, e cila tërhoqi komisionerët, në 1997 i minoi PS, e cila organizoi (jo e vetme) trazirat haxhiqamiliste që çuan në zgjedhje. Në 2001 i minoi PS që i mbushte kutitë me fletë votimi si të ishin gjethe fiku. Kurse nga 2005 e këtej, Shqipëria s’ka bërë zgjedhje më të diskutueshme se zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në SHBA.

Në Shqipëri ka një masë të madhe shqiptarësh – përfshi Sali Berishën – që i duan me shpirt SHBA-të. Mes tyre ka nga ata që – vetë ose paraardhësit e tyre – janë ekzekutuar ose dënuar me burg pse donin Amerikën. Ata donin (dhe vazhdojnë ta duan, e kështu do të vijojnë) politikën amerikane, në shenjë vlerësimi të kontributit të saj për çështjen shqiptare. Zoti Withers nuk e përfaqëson atë Amerikë. Ai flet për atë pjesë të shqiptarëve, të cilët, kur luhet ndeshja e futbollit SHBA-Rusi, bëjnë tifozllëk për ekipin rus. Pavarësisht nga pritshmëria e të interesuarve, intervista e zotit Withers nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. E shumta që ajo mund të bëjë është: t’i heqë atij të drejtën që – si një ish-ambasador amerikan në Tiranë – të qëndronte me dinjitet në një cep të kujtesës së shqiptarëve që i duan realisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency