Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar sot SPAK-ut të hetojë pse nuk po iu dorëzohen pamjet filmike të KZAZ-ve.
Ish-deputetja Silva Caka nga selia e LSI tha “se 10 ditë pas procesit zgjedhor, ende nuk na janë vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit. Madje, në informacionet tona edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ende nuk është pajisur me këto pamje filmike”, nënvizoi ajo.
Deklarata e plote
“Prej disa ditësh i kemi kërkuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pamjet filmike të procesit të numërimit për disa KZAZ, ku janë vërejtur shkelje të rënda, të cilat kanë të bëjnë me tjetërsimin e votës së shqiptarëve, – tha Caka në deklaratë. – Duam të përmendim faktin se ka patur vonesa në vendosjen në dispozicion të pamjeve filmike për KZAZ-të nr. 66 në Berat, 25 në Shijak dhe 70 në Maliq.
Kompania që disponon pamjet filmike, R&T, në pronësi të Renis Tërshanës, bashkëpunëtor dhe ish ortak me Samir Mane-n, vonon enkas dorëzimin e pamjeve filmike, pikërisht në KZAZ-të ku tjetërsimi i votës, ka marrë përmasa kriminale.
Në kuadër të ruajtjes së votës së çdo shqiptari, Lëvizja Socilaiste për Integrim është e vendosur në denoncimin e çdo parregullsie dhe paligjshmërie të procesit të 25 prillit.
I bëjmë thirrje Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, të nisë menjëherë hetimin për arsyen e vonesës së dorëzimit të pamjeve filmike, të cilat sipas ligjit, duhet t’i vendosen pa vonesë në dispozicion, çdo subjekti politik të interesuar,” përfundoi Caka.