Berisha: Të ndjekim modelin gjerman, punësimi i të rinjve, prioritet i PD-së

0
142

Ina Jano

berishFASTIP, model për t’u ndjekur dhe që i rezistoi krizës, madje duke krijuar edhe vende të reja pune. Do të zgjerojmë listën e bashkëpunëtorëve

 

Kryeministri Berisha bëri dje me dije se punësimi i të rinjve është prioritet i Partisë Demokratike, ndërsa theksoi edhe se do të ketë rreth 250 mijë vende të reja pune. Për numrin një të qeverisë, ndjekja e një modeli të caktuar vijon të mbetet e rëndësishme, pasi, sipas tij, aty duket efiçenca e vërtetë. Në këtë drejtim, kreu i ekzekutivit tha se modeli gjerman është ai që i rezistoi krizës dhe që hapi vende të reja pune edhe në këto kohë të vështira për të gjithë Evropën. “Për ne si forcë politike të rinjtë kanë qenë dhe do mbeten në krye të axhendës sonë. Ne kemi krijuar kushtet që secili prej tyre të ndjekë universitetit, i dhamë fund arbitraritetit zyrtar për ëndrrën e tyre universitare. Çdo i ri do të ketë të drejtë për ta bërë këtë ëndërr realitet por ky është një hap, hapi tjetër është që çdo i ri duhet të ketë të drejtë të ndërtojë projektin e së ardhmes dhe në këtë kontest ne do bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës, për përshtatjen e forcave të punës me tregun. Arsimi profesional është vendimtar dhe ka një rol të pazëvendësueshëm”, – tha Berisha gjatë tryezës së rrumbullakët me pedagogë, studentë dhe përfaqësues të kompanive partnere të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) në Durrës.

Sipas Kryeministrit, trajnimi profesional dhe lidhja e shkollës me tregun e punës janë shtylla kryesore në punësimin e të rinjve duke shtuar se arsimi profesional mbetet promotor i fuqishëm i zhvillimit rajonal. “Ne kemi universitete në shumicën e qendrave të qarqeve. E vërteta më e madhe e tyre është se roli i tyre më kryesor duhet të jetë zhvillimi rajonal, promotorë të fuqishëm të zhvillimit rajonal. Territori i një qarku në kompleksitetin e tij është sa vendi në tërësi dhe potenciali më i madh për të kontribuar është rajoni ku je. Do bëjmë çmos të orientojmë universitete drejt këtyre profileve”, – tha Berisha. Ai pohoi se në fakt duhet që të bëhet edhe më tepër lidhje me biznesin privat për ta shtuar edhe më shumë gamën e studentëve dhe të degëve, duke dhënë më shumë zgjedhje. Duke e vlerësuar universitetin e Durrësit si një shembull për gjithë universitetet e tjera, lideri i mazhorancës pohoi se duhet të shtohen bashkëpunimet e tilla. Ndërsa referuar modelit gjerman, Kryeministri deklaroi: “Ky është një rast për të falënderuar shumë përzemërsisht kompanitë, stafin akademik të fakultetit dhe universitetit, për modelin e shkëlqyer që krijuan këtu në Durrës, të përshtatjes së universiteteve tona me tregun dhe kërkesat e tij. Ky fakultet u ngrit me mbështetjen e madhe të qeverisë gjermane dhe ne i jemi shumë mirënjohës. Gjermania kryeson sot Evropën sa i përket ndofta problemit më të rëndësishëm të ekonomisë së sotme, tregut të punës. Ne jemi të prirë të bëjmë gjithçka, të mësojmë sa më shumë prej tyre dhe të aplikojmë sa më shumë elementë të asaj reforme, që i kanë bërë të mundur ekonomisë gjermane të ketë për një nivel të caktuar rritjeje ekonomike, punësimin më të lartë, të ketë për një nivel të caktuar të rënies ekonomike, shpunësimin më të ulët dhe jo një, por 3-4 herë krahasuar me vende të tjera. E gjithë shtylla më kryesore e kësaj reforme është trajnimi i vazhdueshëm profesional i punonjësve. Dua të përgëzoj gjithashtu bankat e kompani të tjera që kanë përzgjedhur FASTIP-in për kualifikimin e përgatitjen e personelit të tyre”. Të pranishmit në tryezën e rrumbullakët, u shprehën se duhet që ky bashkëpunim të vijojë edhe më tej, ndërsa falënderuan shefin e mazhorancës për të gjithë mbështetjen. Të pranishëm ishim edhe kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës dhe ai i Durrësit,të cilët premtuan mbështetjen e vazhdueshme për këtë lloj bashkëpunimi të veçantë që kanë pasur me Universitetin e Durrësit. Ndërsa ish-studentët, por edhe ata aktualë u shprehën të lumtur dhe me fat që studionin në këtë departament, pasi praktikisht ata pasi mbarojnë studimet kanë të siguruar një vend pune me kontratë.

 

 

Berisha sot në Londër, merr pjesë në funeralin e Thatcher-it

Kryeministri Berisha u nis dje për në Londër, në Britaninë e Madhe, ku do të marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e lamtumirës për nder të ish-Kryeministres Margaret Thatcher. Ceremonia, që do të mbahet në Katedralen e St. Paulit, do të ndiqet nga personalitete të larta botërora. Kreu i qeverisë e ka konsideruar ndarjen nga jeta të ish-Kryeministres Thatcher si një humbje të madhe e një prej personaliteteve më të shquara politike të Britanisë së Madhe dhe botës perëndimore, ndërsa e quajti një mike të shquar dhe të vërtetë të shqiptarëve, e cila mbështeti me vendosmëri çështjen e tyre. Ish-Kryeministrja britanike e cilësuar si Zonja e Hekurt u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, në datën 8 prill. Zëdhënësi i saj tha se ish-politikania vdiq pas një beteje të gjatë me shëndetin e dobët, ndërkohë që u përfol se ka pasur edhe humbje të kujtesës kohët e fundit. Kryeministrja e parë dhe e vetme femër në Britaninë e Madhe arriti të fitonte tri zgjedhje radhazi. Ajo kaloi 11 vite në “Downing Street”, në selinë hryeministrore, periudha më e gjatë për një Kryeministër të shekullit 20. Në vitin 1990 ajo u detyrua të largohej nga Kryeministria pas një përplasjeje për lidershipin në partinë e saj.

 

 

Arsimi profesional, Kryeministri: Ekuivalencë të diplomave me gjimnazet e përgjithshme

Nga Durrësi, Kryeministri Berisha lëshoi një tjetër mesazh të rëndësishëm, që mund të konsiderohet edhe si një premtim për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në qershor në vend. Kreu i qeverisë theksoi se duhet të bëhet gjithçka për t’i tërhequr edhe më shumë nxënësit në këto shkolla, për t’i ndërgjegjësuar ata se është interesi i tyre më i mirë. “Kjo kërkon që diplomat të kenë ekuivalencën totale. Një i ri që vendos të ndjekë shkollë profesionale duhet ta dijë se diploma e tij është e barasvlershme me çdo diplomë tjetër të viteve korresponduese të shkollimit”, – u shpreh lideri i mazhorancës edhe në prani të nxënësve dhe mësuesve. Berisha përgëzoi drejtuesit dhe stafin e kësaj shkolle për cilësinë edhe emrin e mirë që ajo ka krijuar, çka ka bërë që numri i nxënësve në këtë shkollë të shtohet me 60 për qind. Deklaratat e shefit të ekzekutivit u bënë nga shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela”, në rrethin e Durrësit. Në këtë shkollë, për vitin 2013, numri total i nxënësve është 1200, duke pasur një rritje të numrit të tyre me rreth 60 për qind. Kjo shkollë bashkëpunon me 37 biznese, në të cilat nxënësit punësohen me kohë të pjesshme gjatë shkollimit dhe punësohen me kohë të plotë pas përfundimit të shkollës. Gjithashtu, është parashikuar që programin mësimor nxënësit ta zhvillojnë 50 për qind në teori dhe 50 për qind në praktikë, sipas profileve që ndjekin. Në rrethin e Durrësit janë dy shkolla profesionale, ku ofrohen 8 drejtime kryesore të specializuara në 32 profile të reja. Shkolla “Beriq Çela” ka gjithsej 15 reparte për praktika profesionale, 5 reparte auto; reparti i teknikës së komandimit; reparti i elektroshtëpiakut; reparti teknikës së instalimit; reparti elektrikut mix; reparti axhusterisë; reparti saldaturës; reparti tornerisë; reparti makinave bujqësore; reparti hidraulikës; reparti instalimeve ngrohëse. Shkolla ka gjithsej 6 laboratorë dhe 6 kabinete. Kjo shkollë është mbështetur dhe po mbështetet me financime nga qeveria e Konfederatës Zvicerane. Në periudhën 2009 – 2013 janë realizuar investime, të cilat po zbatohen nga Swisscontact, nëpërmjet projektit AlbVET dhe vlera e përgjithshme e investimeve materiale është deri tani rreth 180.000 euro.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency