Baronesha Ashton në Tiranë: BE mbështet integrimin, zhvilloni zgjedhje me standarde

0
153

Florenc Drizari

ashtonKryediplomatja e Bashkimit Evropian u takua me krerët më të lartë të politikës shqiptare

“Zgjedhjet e 23 qershorit, testi për Shqipërinë, do të jenë testi për integrimin në Bashkimin Evropian”

 

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë së cilës u takua me krerët më të lartë të politikës shqiptare si me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama. Në kuadër të turit të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor, baronesha Ashton zhvilloi takime më vete me secilin prej liderëve politik shqiptar ku thelbi i bisedimeve ishin zhvillimet e fundit politike në vend dhe mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare brenda standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Në përfundim të takimeve, baronesha Ashton përcolli mesazhin e Brukselit për Shqipërinë, ku thelbi ishte garancitë për një proces të drejtë zgjedhor dhe ulje të retorikave nacionaliste.

Takimi i parë i saj ishte me kreun e shtetit, Bujar Nishanin, më pas me Kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama. Pas takimit me këtë të fundit, baronesha Ashton mbajti edhe një konferencë për shtyp duke përcjellë mesazhe të qarta për liderët politik në vend. Pas vizitës së saj në Malin e Zi dhe së fundmi në Shqipëri, Ashton do të vizitojë Maqedoninë.

BARONESHA ASHTON

Në fjalën e saj kryediplomatja tha se BE po ndjek me vëmendje çdo zhvillim në përgatitjen e procesit zgjedhor ndërsa garantoi se ndërkombëtarët do monitorojnë procesin zgjedhor.

“Jam vërtet e lumtur që gjendem në Tiranë për këtë vizitë, sapo jam takuar me z.Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, z Edi Rama, me të cilët pata diskutime të rëndësishme. Vizita ime në Shqipëri ndodh sot një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve, ju kemi ndjekur me vëmendje dhe sot unë e kam bërë pozitën time të qartë në të gjitha palët. Për BE është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ky do jetë test për integrimin e mëtejshëm në BE”, – deklaroi Ashton. Në fjalën e saj, kryediplomatja e BE-së komentoi edhe lëvizjet e fundit politike që sollën edhe zëvendësime anëtarësh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Dje ne shprehëm publikisht shqetësim tonë për pasojat e mundshme të votimit në Kuvend, tek besimi në procesin zgjedhor, se është detyrë e institucioneve që të krijohet besim në këtë proces, duhet të ketë besim në këtë proces. BE është i angazhuar për të monitoruar dhe mbështetur një proces të lirë e të ndershëm me standarde evropiane dhe ndërkombëtare”, – tha ajo.

Gjithashtu Catherine Ashton uroi që shqiptarët të punojnë për perspektivën evropiane pasi mbështetja nga Brukseli nuk mungon. “Në përgjithësi gjatë viteve të shkuara, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm. Shqipëria është sot një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, i Organizatës për Siguri në Evropë si dhe e NATO-s. Po, ashtu BE është vërtet i përkushtuar dhe shumë i përkushtuar në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe BE dëshiron që Shqipëria të ecë përpara në progres. Por progresi në rrugën drejt BE është në duart tuaja. Elementet kyç për progres janë një element kyç për gjetjen e kompromiseve. Ne kemi nevojë të shohim historik të qëndrueshëm veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit e krimin e organizuar, siç është thënë në konkluzionet e KE në dhjetor. Komisionieri Fule për të cilin kam respekt është tërësisht i angazhuar për t’ju ndihmuar dhe po ashtu ka mbështetjen e plotë nga ana ime”, – deklaroi Ashton.

 

 

Takimi me Ashton, Berisha: Garantojmë zgjedhje me standarde

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimi Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, baroneshën Catherine Ashton. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e parë të baroneshës Ashton si një vizitë tepër e rëndësishme dhe një kontribut i çmuar në marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe një shprehje e qartë e angazhimit dhe mbështetjes së BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE. Baronesha Ashton e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i pohuar se edhe për të është një kënaqësi e veçantë që ndodhet sot në Shqipëri. “Kam dashur të vija edhe më parë në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe jam sot, këtu, për t’ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Shqipërisë është e mbetet Bashkimi Evropian”, – u shpreh zonja Ashton. Në përgjigjen e tij, Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Ashton se për të dhe për qeverinë shqiptare, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, marrja e statusit të vendit kandidat dhe të gjitha hapat e tjera të lidhura me këtë proces janë dhe mbeten prioritet absolut i punës së qeverisë. Gjithashtu Berisha siguroi zonjën Ashton se qeveria shqiptare është e vendosur që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, sipas standardeve ndërkombëtare.

 

 

Takimi me Baroneshën, Nishani: Sfidë mbetet kapërcimi i sjelljes së partive në zgjedhje

Pas takimit që kreu i shtetit Bujar Nishani zhvilloi me baroneshën Ashton në Presidencë, zyra e shtypit e kësaj të fundit zbardhi takimin mes tyre. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Evropian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër. Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian theksoi se ndihet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi evropian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen. Nga ana e tij Presidenti Nishani garantoi baroneshën Ashton se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet evropiane. Ai theksoi se sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve. Mësohet se një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja evropiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Tragjedia e Bostonit, Berisha dhe Topalli ngushëllojnë familjarët dhe Obamën

Shpërthimi i dy bombave në qytetin Bostonit në Amerikë, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë, solli edhe reagimin e politikanëve shqiptarë që shprehën ngushëllimet e tyre për familjarët e prekur nga tragjedia dhe Presidentit Barak Obama. “Kryeministri Berisha dënon me forcë aktet e terrorit çnjerëzor e të shëmtuar të shpërthimit të dy bombave ne Boston të Shteteve të Bashkuara te Amerikës gjatë kohës së zhvillimit të maratonës se Bostonit, të cilat shkaktuan vdekjen tragjike të disa qytetareve të pafajshëm dhe plagosjen e qindra të tjerëve. Kryeministri Berisha i shpreh familjeve te viktimave, Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, dhe kombit amerikan mik të madh e të çmuar të shqiptareve, ngushëllimet më të ndjera për humbjen tragjike te jetëve te pafajshme njerëzore si dhe urimet me te sinqerta për shërimin e plote te të plagosurve si pasoje e këtij akti te shëmtuar”, – thuhet ne mesazhin e kreut të qeverisë. Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli në mesazhin e saj shprehet se “Bostoni u trondit nga shpërthimi i dy bombave në fund të një maratone, ku deri tani lajmet flasim për tre viktima, ndër të cilët një fëmijë tetë vjeçar, si dhe dhjetëra të plagosur. Jam e tronditur, e shokuar dhe zemërthyer nga kjo tragjedi, që nuk i përket vetëm Bostonit e Amerikës, por të gjithë botës. Me bindjen e thellë se hetimet për këtë tragjedi të tmerrshme, do të nxjerrin përpara drejtësisë ata që i morën jetën viktimave të pafajshëm dhe shkaktuan një dhimbje të jashtëzakonshme në familjet e tyre, shpreh ngushëllimet e mia për familjarët dhe uroj me gjithë zemër shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Ngjarje të tilla ekstreme kërkojnë veprime ekstremisht të forta ligjore, por mbi të gjitha kërkojnë që të jemi të gjithë bashkë për të përballuar dhimbjen! U prehshin në paqe ata që humbën jetën e Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre!”, – shprehet Jozefina Topalli.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency