Kush po e vjedh Shqipërinë dhe punëtorët e rafinerisë?

0
167

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me protestën e naftëtarëve të Fierit e Ballshit në Tiranë:

Në ditët e fundit të vitit është shumë e trishtueshme të shohësh se si një qeveri që punon për klientelën e saj të bëj kurban mbi 1000 familje vetëm për t’i dhënë mundësi një biznesmeni të lidhur ngushte me qeverinë.

Punonjësit që sot u takuan me ministrin Gjiknuri janë të njëjtët që një vit më parë iu premtua e ardhmja e ndritur sepse kompaninë ARMO e kish blerë miku dhe klienti i kryeministrit Rama, i famshmi Besnik Sulaj. Paturpësisht, siç edhe zakoni ia do, kryeministri dhe ministri gënjyen punonjësit e rafinerisë duke i premtuar një kompani amerikane. Por e vërteta ishte se pas kompanisë që morri me qera ARMO-n ishte një kompani offshore që lidhej ngushtësisht me mikun e afërt të kryeministrit.

Kompania IRTC sh.a (Ionian Refining & Trading Company) që aktualisht zotëron aksionet dhe që nuk ka paguar naftëtarët ështëgjithashtu edhe një prej kompanive që brenda 11 muajve (nëntor 2016-shtator 2017) ka krijuar një borxh tek tatimet prej 3.7 mld lekësh. Ky detyrim nëse i shtohet dhe vlerës prej 9.5 mld lekësh të ARMOS jep totalin e 13.2 mld lekësh detyrime të prapambetura të cilat kompania i detyrohet buxhetit të shtetit.

Vitin e shkuar, në emër të opozitës e kam denoncuar skemën korruptive dhe klienteliste që kryeministri përdori për t’i dhuruar klientit të preferuar një pasuri kombëtare. Fatkeqësisht ajo çfarë parathamë si opozitë u materializua këto ditë. Paralajmëruam vjedhjen dhe mospagimin e rrogave, paralajmëruam mospagimin e taksave dhe përdorimin e kompanisë offshore që këto taksa mos të paguhen. Ja ku jemi sot! Në atë periudhë mazhoranca vazhdoi orkestrimin e sulmeve pa iu përgjigjur asnjë akuze të ngritur nga opozita ndërsa sot për fatin e keq qeveria jo vetëm ka lënë në mëshirë të fatit gjoja investimin amerikan por u ka falur detyrimet tatimore kompanisë offshore. Ndërkohë që punonjësve që nuk kanë marrë rrogë ministri i sorollat me premtime boshe dhe pa zgjidhje reale.

Fatkeqësisht, punonjësit që sot janë edhe dhunuar nga policia janë viktimat që qeveria e korrupsionit dhe oligarkisë rilindase përdor për t’i dhuruar pasuri kombëtare miqve të kryeministrit nëpërmjet skemave offshore. Shqiptarët ndërkohë vazhdojne pagesën e taksave te rritura, bizneset e vogla mbyllin qepenat që kompanitë offshore te lidhura me qeverine te mos paguajnë, pasi është shumë e kuptueshme që 30 milionë euro që IRTC nuk ka paguar taksa për një vit do ta paguajnë shqiptarët përmes taksave të rritura.

Të vetmit që përfitojnë nga e gjithë kjo situatë janë kryeministri Rama dhe bizneset prane tij. Janë ata që përfitojnë ndërkohë që qindra familje vazhdojnë të marshojnë për të drejtat e tyre përballë një qeverie të zhytur në luksin dhe makutërinë që korrupsioni dhe oligarkia prodhon!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here