Politika bullgare, partia e djathtë pro taksës së sheshtë

0
3940

 Ervin Kaduku

taksa– Socialistët kërkojnë progresiven, ndërkohë që norma prej 10% e taksës së sheshtë të Bullgarisë e bën atë vendin me normën më të ulët të tatimit personal mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian

 

Duket se taksa unike, me një shkallë taksimi, po fiton gjithnjë e më shumë terren, kryesisht në vendet që kanë qenë më parë në regjime të ekonomisë së kontrolluar nga shteti. Në kuadrin e fushatës elektorale parlamentare, që po zhvillohet në vend, ish-partia qeverisëse e Bullgarisë GERB ka konfirmuar dje planet për të mos e hequr taksën e sheshtë prej 10%, nëse rizgjidhet në detyrë. Siç shihet, edhe ajo ka adoptuar të njëjtin nivel taksimi sa edhe koalicioni i djathtë qeverisës në Shqipëri.

“Futja e taksës së sheshtë është një nga sukseset e tranzicionit të Bullgarisë dhe GERB nuk do ta heqë atë në qoftë se zgjidhet në një mandat të dytë”, – thuhet në programin parazgjedhor të partisë.

Qëndrimi përforcon deklaratën e ish-ministrit të Financave, Djankov Simeon, i cili ka pohuar se taksa e sheshtë do të qëndrojë në fuqi të paktën për 10-15 vitet e ardhshme, në mënyrë që të ndihmojë vendin të arrijë në nivelin e shteteve të tjera anëtare të BE-së.

Ndërkohë, rivali më i fortë i GERB, Partia Socialiste, që e kishte vendosur taksën e sheshtë pesë vjet më parë, kur ishte në pushtet, bëri një kthesë prej 180 gradësh tashmë për anulimin e saj. Taksa e sheshtë dha rezultate të mira, por në këtë moment nuk është e përshtatshme, ndërkohë që Bullgaria po përballet me formimin e shtresave shoqërore dhe padrejtësi, thanë socialistët.

Tani Partia Socialiste është duke bërë thirrje për kthimin e tatimit progresiv mbi të ardhurat, në mënyrë që familjet me të ardhura të mira si dhe të pasurit të taksohen më shumë se të varfrit.

Socialistët propozojnë një “shkallë” treshtresore të thjeshtë – tatim zero për të varfrit, 10% për të ardhurat mesatare bullgare dhe taksë më të lartë për të ardhurat, të cilat tejkalojnë një kufi të caktuar, por padyshim jo 70% si në Francë.

Sipas socialistëve është e logjikshme që partia t’u kërkojë të pasurve të mbajnë barrën më të rëndë të krizës, ndërkohë që ata me të ardhura të ulëta duhet të përjashtohen nga taksat.

 

Reforma

Që nga 1 janari i vitit 2008, Bullgaria futi në sistemin e saj taksën e sheshtë 10% të zbatueshme për të gjitha nivelet e të ardhurave. Ajo zëvendësoi sistemin e mëparshëm, i cili kombinonte normat e taksave të ndryshme – midis 20 dhe 24%, në varësi të të ardhurave.

Norma prej 10% e taksës së sheshtë të Bullgarisë e bën atë vendin me normën më të ulët të tatimit personal në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Bullgaria gjithashtu ka normën më të ulët të sigurimeve shoqërore, e cila e shoqëruar me një normë të sheshtë prej 10%, e bën atë shumë tërheqëse për sipërmarrjet, punonjësit dhe investitorët e mundshëm.

Gjatë një dekade e gjysmë, disa vende futën së sistemet e tyre taksimin e sheshtë dhe Bullgaria kryesonte në vitin 2008.

Kjo politikë ka shumë anë pozitive, disa nga të cilat janë: barazia, barra e ulët e taksave, si dhe prirja e përgjithshme për të rritur të ardhurat buxhetore, ndërkohë që gjithmonë e më shumë kompani largohen nga “ekonomia informale”.

Në Bullgari, ndryshimi konsistonte në faktin se ithtarët e masës ishin socialistët, ndërkohë që zakonisht janë partitë e qendrës së djathtë ato që nxisin në mënyrë më agresive për reforma tatimore. Por, këta ithtarë të pazakontë, e lanë në mes të rrugës reformën, që rezultoi tepër e suksesshme, psh në Shqipëri.

Pjesë e arsyes se pse taksa e sheshtë ka qenë një mjet efikas në zvogëlimin e “ekonomisë informale” në vendet e tjera, duke përfshirë vendin tonë, është vullneti i qeverive për ta shoqëruar atë me masa të rrepta për të goditur evazionin fiskal.

Bullgaria, nga ana tjetër, ka qenë tejet e ngadaltë me luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency