Propozimi në qeveri Letrat me vlerë, shtyhet afati i përdorimit deri në 2015-ën

0
134

Ina Jano

keshilli......Kryeministri Berisha kërkoi nga ministrat që javën që vjen të sjellin në qeveri propozimet e reja apo amendimet e mundshme të ligjit aktual për përdorimin e letrave më vlerë

 

Afati i përdorimit të letrave më vlerë do të shtyhet deri në vitin 2015, por njëkohësisht edhe do të dyfishohet përdorimi i tyre. Sipas kreut të qeverisë, ky veprim do t’i japë një frymëmarrje të re dhe një nxitje të re tregut të letrave me vlerë. Zoti Berisha u kërkoi ministrit të Financës, atij të Punëve Publike dhe Transportit, por edhe të Ekonomisë që për të mërkurën e ardhshme, ditë kur mblidhet përsëri kabineti qeveritar, të kenë gati propozimet për ta bërë realitet këtë propozim. “Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti ministër i Financave dhe i Ekonomisë! Në mbledhjen e ardhshme duhet të përgatisim vendimin apo ndërhyrjen në ligj të dyfishimit të përdorimit të letrave me vlera. Aty ku janë 20, aty do të jenë 40, aty ku janë 30, do të behet 60. Zoti ministër i Financave, duhet që vendimi të vijë në qeveri për të shtyrë afatin e përdorimit të tyre edhe gjysmën e parë të mandatit të ri. E kam theksuar dhe e theksoj se letrat me vlerë nuk janë lekë, por janë në të vërtetë letra me vlerë, detyrim i qeverisë ndaj qytetarëve, detyrim ndaj të cilit ne qëndrojmë plotësisht”, – nënvizoi kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, ai tha se qeveria është e vendosur që të bëjë përpjekjet maksimale për të nxitur biznesin, por nga ana tjetër edhe për të rregulluar me mjete dhe propozime të ndryshme të gjithë tregun në vend. Për liderin e ekzekutivit, janë pikërisht këto vendime të cilat do t’i japin një hov të ri dhe nxitje të re të gjithë hapësirës ekonomike shqiptare. Kryeministri ftoi qytetarët që pas këtij vendimi, i cili do t’i japë një nxitje të madhe tregut të letrave me vlerë, të bëjnë çdo përpjekje për përdorimin e letrave të tyre me vlerë, në të gjithë gamën e cila mund të zgjerohet edhe më shumë. “Ndaj, të dashur qytetarë, ju lutem pas këtij vendimi, i cili do t’i japë një nxitje të madhe tregut të letrave me vlerë, të bëni çdo përpjekje për përdorimin e letrave tuaja me vlerë, në të gjithë gamën, e cila edhe mund të shtrihet më tej. Ndërtesat e sipërmarrjeve private, të cilat kanë qenë pronë publike, ato mund të shiten ose sipërmarrësi mund të paguajë me letra me vlerë, ose dhe në destinacione të tjera. Ne duhet të bëjmë gjithçka për gjallërimin e përdorimit të tyre. Asnjë ligj nuk pengon sepse përkundrazi në qoftë e se e konceptojmë këtë si një borxh ndaj qytetarëve shqiptarë, kjo prevalon dhe le të bëjmë ne gjatë kësaj jave të gjithë amendimet e nevojshme në mënyrë që tregu i letrave me vlerë të kenë një frymëmarrje të madhe”, – përfundoi Kryeministri Berisha.

 

 

Vendimi

Zyra këshillimore juridike falas qytetarët

Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, kreu i mazhorancës, Berisha, deklaroi se në të gjithë vendin do të hapen zyra këshillimore që do të funksionojnë falas për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në qendrat që do të shtrihen në të gjitha qytetet e Shqipërisë, do të ketë avokatë falas që do të ofrojnë ekspertizën e tyre për ata që nuk kanë mundësi që të paguajnë një të tillë. Numri një i qeverisë i dha porosi ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi që këto zyra të jenë të lidhura me të gjitha sistemet e informatizuara që i duhen specialistit të zyrës për të këshilluar qytetarin.“Sot (dje) ne vendosim në këtë mbledhje edhe për hapjen e zyrave këshillimore juridike në mbështetje të qytetarëve në nevojë. Qytetarët shqiptarë do të kenë këshillim juridik falas në të gjitha qarqet e vendit. Do të kenë jo vetëm këshillim për çështje specifike, sepse ka prej tyre që nuk i afrohen dot avokatëve për shkak të tarifave që duhet të paguajnë, pasi kështu është rregulli. Ato do të kenë zyrat juridike, ndihmës juridike ku do të marrin këshilla falas. Këto zyra, zoti Halimi, duhet të jenë të lidhura me të gjitha sistemet e informatizuara që i duhen specialistit të zyrës për të këshilluar qytetarin. Pra, ngritja e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme”, – tha zoti Berisha.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency