Kompensimi i ish-të përndjekurve Berisha: Rama kërkon të kthejë kohën e Ramiz Alisë

0
163

berisha---Kreu i qeverisë, vlerësimet më të larta për ministrat e rinj të kabinetit. U uron suksese në detyrë

 

Nga mbledhja e përjavshme e kabinetit qeveritar, kreu i mazhorancës, Berisha, akuzoi kryesocialistin Edi Rama për çështjen e kompensimit të ish-të përndjekurve politikë. Lideri i qeverisë tha se kreu i opozitës kërkon që të kthejë kohën e Ramiz Alisë, por kjo nuk është e mundur. Duke iu referuar mënyrës se si do ta bëjë kompensimin e kësaj kategorie me anë të gjyqeve, kreu i qeverisë tha se kjo do të thotë që në vend të rikthehet harta e Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh kundër edhe përcaktimeve që Rama ka bërë për Spaçin, duke e quajtur atë një pasuri të vërtetë. “Nuk mund të mos bëj një koment këtu tek shoh përpara Visar Zhitin, kur dëgjoj përçartjet e përditshme të zotit Rama, i cili pasi shkoi në hell mësues, infermierë e fëmijë, tani tha se Spaçi ka qenë një pasuri e madhe. Spaçi ka qene një ferr i vërtetë, sigurisht ishte pasuri për bllokmenët, se garantonin pushtetin duke burgosur e internuar kundërshtarët e tyre. Për etërit e Ramës, natyrisht, por për shqiptarët dhe ata që vuanin aty ka qenë një superferr. Spaçi ka qenë kulaku më i egër që ka ekzistuar në hapësirën ish-komuniste. Teoria e tij që do të bëjë shpërblimin e të përndjekurve politikë, duke u bërë proceset gjyqësore është absolutisht një rikthimi i një harte të sigurimit të shtetit, në hetuesi, prokurori e gjykata në mënyrë që të zbatojë doktrinën e etërve ndaj tyre, që nuk do të ndodhë kurrë, por në këto përçudnime u ndala sepse janë lënduese për një shoqëri të tërë, jo vetëm për shtresën e të përndjekurve politikë që u premton edhe njëherë procese gjyqësore nga ata që i kanë dënuar herën e parë dhe jo nga të tjerët. Zoti Rama duhet ta dijë se ligje ky vend dhe është para Partisë së Punës, para shndërrimit të saj në Parti Socialiste, sepse ka qenë Parti Pune në vitin 1991, kur ne kemi përcaktuar ligjin e njohjes së persekutimit politik, kemi përcaktuar parimet kryesore. Tani ky do të rikthehet në kohën e Ramiz Alisë, por nuk mund të rikthehet. Por le të vazhdojë këto përçartje edhe pak kohë se e vërteta është që ora po afron, dita po afron, energjitë po e lëshojnë, këto janë punë të tij, nuk janë çështje të miat se unë çështjet i kam me zgjedhësit”, – nënvizoi në fjalën e tij zoti Berisha. Komentet e tij lideri i mazhorancës i bëri referuar ministrit të ri të Kulturës, zotit Visar Zhiti, i cili ka vuajtur dënim në burgun e Spaçit.

Ministrat e rinj

Në sallën e mbledhjeve të kabinetit qeveritar, për herë të parë në karrigen e ministrit u ulën zoti Halim Kosova, në krye të dikasterit të Shëndetësisë dhe zoti Visar Zhiti në postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa pavarësisht se edhe në krye të ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës është Florion Mima, ky i fundit nuk mundi të merrte pjesë në mbledhje për shkak të axhendës së punës, që e diktoi të ishte jashtë vendit. Në karrigen e tij, mbledhjen e djeshme ishte ulur Eno Bozdo, numri dy i ministrisë. Pikërisht për zotin Mima, Berisha rezervoi fjalët më të mira, duke e thënë se ai është një bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe një reformator i madh. “Shkëlqen me mungesën e tij ministri i Ekonomisë, zoti Florion Mima, i cili është i ngarkuar me një detyrë jashtë shteti për momentin. Edhe ky është një reformator i shquar, emërimin e të cilit bota e biznesit e ka pritur me kënaqësi të veçantë. Dua të theksoj këtu se zoti Mima ka një kontribut shumë të rëndësishëm në të gjitha reformat e kryera gjatë këtyre viteve nga qeveria e PD-së dhe koalicionet e saj”, – tha Berisha. Duke u ndalur tek figura e zotit Kosova, Kryeministri vuri në dukje aftësitë e tij menaxheriale, ndërsa për zotin Zhiti tha se ai është njëri prej rezistentëve të pamposhtur të regjimit diktatorial, i riu i cili zgjodhi në mbrojtje të vlerave të lirisë, kundërshtimin e një regjimi barbar, midis bulevardeve zgjodhi Spaçin për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

 

 

Miratohet heqja prej 10% për taksën e tokës bujqësore dhe përgjysmimi i takës së makinave

Dy nga vendimet më të rëndësishme të mbledhjes së djeshme ishte ai për përgjysmimin e taksave të makinave, një vendim ky që ishte zbardhur edhe me herët nga media, por gjithashtu edhe ai i heqjes së taksës prej 10 për qind për tokat bujqësore. Në lidhje me këto vendime Kryeministri u shpreh: “Përjashtojmë tokën bujqësore që shitet për qëllime bujqësore nga taksa 10%. Kjo bëhet në mënyrë që të hapet mundësia e tregut të tokës dhe ky treg të jetë sa më i lirë. Kjo bëhet në përgjigje të kërkesës së fermerëve të cilët janë të vendosur të zmadhojnë fermat e tyre, të rrisin punësimin. Një vendim tjetër i rëndësishëm për taksat kombëtare, përgjysmim i plotë i taksave për makinat e përdorura dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga i cili përfitojnë ata që kanë më pak dhe mendoj se është një vendim shumë i drejtë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency