LSI, në opozitë për koalicionin, në mazhorancë për anëtarin e KQZ-së

0
132

Florenc Drizari

muhoDebate dhe akuza të ashpra dje në Komisionin e Ligjeve për lirimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho

“Ligjet” lirojnë nga detyra anëtarin e LSI-së në KQZ. Sot pritet votimi i dy kandidaturave të PR-së, Klement Zguri dhe Patriot Çobo

 

Largimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni me Partinë Demokratike po shoqërohet me zëvendësimin e përfaqësuesve të saj edhe në komisionet e pavarura.

Mazhoranca miratoi një ditë më parë kërkesën e Partisë Republikane për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së, duke votuar dy kandidaturat për këtë post, Klement Zgrurin dhe Patriot Çobon. Komisioni i Ligjeve votoi me 13 vota pro nga deputetët e mazhorancës dhe 10 kundër nga deputetët socialistë për lirimin nga detyra e anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirian Muho. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të PD-së dhe PS-së. Përfaqësuesit e së djathtës thanë se largimi i LSI-së nga koalicioni solli mungesë të balancës në pushtet dhe për këtë është i domosdoshëm zëvendësimi i figurave që janë zgjedhur në emër të saj, ndërsa homologët e tyre të majtë e quajtën këtë nismë të rrezikshme për mbarëvajtjen e punës në institucionet e pavarura. Një vendimmarrje antiligjore e quajti edhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço, i pranishëm si deputet pa të drejtë vote në Komisionin e Ligjeve.

FATMIR XHAFAJ

“Kërkesa e PD-së është një skandal, nuk ka një nen të Kodi Zgjedhor që t’i referohet”. Kështu e quajti vendimin e Partisë Demokratike për lirimin e anëtarit të LSI-së në KQZ nënkryetari socialist në Komisionin e Ligjeve Fatmir Xhafaj. “Ky është një precedent, sipas të cilit, kur ne të vijmë në pushtet, t’i fshijmë. Po luani me vullnetin e popullit, ftoj deputetët e mazhorancës të reflektojnë”, – është shprehur deputeti socialist, Fatmir Xhafaj. Sipas tij, kjo është një lëvizje e rrezikshme që pritet të ketë përgjegjësi individuale për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Kjo nuk do t’i bëjë ndonjë gjë procesit zgjedhor, se është vullneti i popullit. Dhe kësaj radhe kush luan me vullnetin e popullit, luan me jetën e tij. Kjo, sepse vota është themeli dhe shqiptarët tashmë e kanë kuptuar rëndësinë dhe vlerën e votës së tyre dhe nuk kanë për ta falur një gjë të tillë. Dhe kjo që po ndodh nuk është e rëndë për rezultatin, por për modelin dhe për precedentin që po krijon. Është mirë që të reflektoni për këtë gjë”, – deklaroi Fatmir Xhafaj.

ILIR RUSMALI

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, e justifikoi zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së me balancimin e pushteteve që pas largimit të LSI-së nga koalicioni i djathtë. “Kodi Zgjedhor thotë se partitë politike kanë akses të papenguar në proces, jo kontroll mbi procesin. Kontrollin e procesit e bën kush e administron procesin. Po kush e administron procesin? Partitë politike të mazhorancës dhe opozitës në baraspeshë me njëra-tjetrën”, – tha Rusmali. Sipas tij, nëse Partia Socialiste dëshiron, mund ta rikthejë sërish z. Muho në postin e anëtarit të KQZ-së, si partia e dytë më e madhe në opozitë.

NASIP NAÇO

I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, edhe pse pa të drejtë vote në këtë komision, mbajti një fjalim të shkurtër në të cilin kundërshtoi vendimmarrjen e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të saj nga KQZ-ja. “Balancimi politik u bë sipas ligjit dhe anëtarët u zgjodhën sipas ligjit. Çfarë duhet të bëjmë sot, ç’bëjmë? Dua t’ju falënderoj që për shkak të një bashkëpunimi katërvjeçar me ne, jeni treguar pak tolerantë. Nuk keni thënë zëvendësim apo shkarkim, por keni thënë lirim nga detyra, pavarësisht se keni përdorur nenin 14. Dua t’ju falënderoj për këtë, jeni treguar korrekt me ne dhe do të vazhdojmë të jemi korrekt”, – deklaroi Nasip Naço.

 

 

 

Kërkesa e PD-së: Janë prishur balancat politike, të zëvendësohen anëtarët e LSI-së në të gjitha nivelet

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi dje një kërkesë për lirimin e anëtarit të LSI-së në KQZ-së, Ilirian Muho, me argumentimin se pas largimit të kësaj force politike, janë prishur balancat në këtë komision. Në kërkesën e tyre deputetët e djathtë kërkojnë zëvendësimin e anëtarëve edhe në nivele të tjera më të ulëta. “Kodi Zgjedhor përcakton se parimet dhe rregullat për ndërtimin e administratës zgjedhore të të gjitha niveleve, nga KQZ, deri tek niveli më i ulur i saj. Në të gjitha përcaktimet ligjore, Kodi bazohet në një parim themelor, atë të baraspeshimit politik mazhorancë parlamentare – opozitë parlamentare. Baraspeshimi është themeli i kompozimit të KQZ-së, i secilës KZAZ-je, KQV-je apo grupi numërimi. Baraspeshimi është parimi themelor, që rregullon ndarjen e barabartë të kontrollit të mazhorancës vendimmarrëse të komisionerëve zgjedhorë, ku gjysma e komisionerëve të secilit nivel kontrollohet nga mazhoranca qeverisëse dhe gjysma kontrollohet nga opozita parlamentare.

Ky parim është shtylla kurrizore që mban në këmbë të gjithë administratën zgjedhore, duke filluar nga KQZ-ja e deri në bazë.

Ju kërkoj zonja Kryetare që Kuvendi të lirojë nga detyra anëtarin e KQZ-së, z. Ilirjan Muho, të emëruar si anëtar të KQZ-së në anën e mazhorancës qeverisëse, me propozim të LSI-së, si dhe të nisë pa vonese procedurën për zëvendësimin e vakancës së krijuar, në përputhje me parimin e baraspeshimit politik dhe rregullat e tjera të përcaktuara në Kodin Zgjedhor”, – shkruhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së.

 

ZBARDHJE DEBATESH TEK “LIGJET” PËR ZËVENDËSIMIN E ANËTARIT TË LSI-SË NË KQZ

Pandeli Majko: Arsyetimi për të larguar z. Ilirian Muho është çështja e baraspeshimit politik. Në të gjithë këtë histori miqtë e mi ju keni ardhur me një formë të shkruar se një njeri thjesht se është propozuar nga LSI mund të kthehet në garant të manipulimit të zgjedhjeve duke sfiduar të gjithë kodin dhe mund të bëhet nën qeverisjen tuaj, me ministrin tuaj të Brendshëm, me Kryeministrin tuaj, garant i manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Tani, ne besoj se jetojmë në botë reale dhe jo në botë ëndrrash.
Dashnor Sula: Nëse janë të vërteta titujt e gazetave, sidomos për z. Majko do të ishte mirë që të heshte, sepse nuk mund të thotë dot derrit “dajë”, ndërsa sot po i thotë dhe hallë. Kam parë që z. Rama ditët e fundit është dorëzuar për gjithçka vetëm e vetëm për të qenë Kryeministër. Ka kthyet edhe kurrizin vetëm e vetëm për të ngrënë ngjala. Nuk kërkojmë shumicë absolute, por balancim politik në KQZ.
Saimir Tahiri: Z. Sulaj pas shqetësimit që pate u konsultova me z. Xhafaj dhe me kolegët që kam afër, mos ki merak se nuk të gjen asgjë e keqe, ne s’kërcënojmë njeri për jetë dhe për këtë rast, ruju nga ato garat e gjelave… ose vetëm kur të jesh në stadium se mos të vjen ndonjë rioshet nga ato që gjuan… Jeni duke u treguar provincial, arrogant, dallkauk, çetë kartonësh, vetëm e vetëm që në mendjen tuaj të shpëtoni nga data 23. Rrini mirë,nuk shpëtoni dot, s’kemi si t’ju shpëtojnë në këtë.
Ilir Rusmali:
Ndërhyrja jote ishte e mbushur me fyerje ndaj kolegëve. Unë konstatoj me shumë kënaqësi që asnjë nga kolegët këtu që u përpoqët t’i fyes me gjithçka që të mbante goja, nuk u ndje i fyer prej teje dhe e gjitha kjo flet në dëmin tënd. Nuk të konsideron njëri në këtë botë sado që të lehësh.
Tritan Shehu:
Ne jemi mazhoranca (debate jashtë mikrofonit mes deputetëve të PD-së dhe PS-së për deklaratat e Tahirit)
Ilir Rusmali
: Saimir, mos më detyro që të ndërpres mbledhjen.
Fatos Hoxha:
S’jemi marrë as me kontrabandë e as me evazion fiskal Saimir. Ti e do pushtetin për të vjedhur, ndërsa unë jo.
Ilir Rusmali:
Dakord, e mbyllim këtu këtë debat.
Bashkim Fino:
Se ti s’ke bërë tetë vjet ti… ajo qeveria jote.
Fatos Hoxha:
Kush është çeta? E çetës së tij.
Ilir Rusmali:
Ore ju lutem shumë na lejoni të vazhdojmë mbledhjen. Zoti Shehu e ka fjalën.
Tritan Shehu:
Faleminderit kryetar. Unë ju bëj thirrje ju dhe nënkryetarit, dy deputetë të vjetër pikërisht për të evituar fyerjet dhe insinuatat me njëri-tjetrin. Gjithsecili ka pasionin e vet, ka mendimin e vet, do të votojë dhe kjo është demokracia. Sot jemi mazhorancë, jemi mazhorancë e qartë.
Bashkim Fino:
Me 68 deputetë.
Tritan Shehu
: Jemi mazhorancë në bazë të marrëveshjeve reciproke.
Bashkim Fino
: Po të ikin ata të katër?
Fatos Hoxha
: Ne s’i mbajmë me zor. E dhanë votën për integrimin.
Bashkim Fino
: Po këta nuk ikën për integrimin këta.
Ilir Rusmali:
Faleminderit z. Shehu por një pjesë e diskutimit tuaj u shoqërua me diskutime pa lidhje me rendin e ditës. Mesa duket mes kolegëve ka njerëz që kanë energji tepër dhe duan ta harxhojnë për gjëra të tjera. Zoti Naço ka kërku fjalën.
Nasip Naço:
Ata që nuk se kanë vlerësuar LSI-në në 2005 dhe nuk ia dhanë komisionerin, vazhduan për katër vjet në opozitë. Ata që ia hoqën prapë në 2009, vazhduan për katër vjet të tjera. Besoj se këtë radhë është radha juaj që doni t’ia hiqni anëtarin në KQZ. Shkaqe ligjor nuk ka se neni 18 përcakton qartë se kur zëvendësohet anëtari i KQZ-së.
Enkelejd Alibeaj: Vota e Partisë Socialiste dhe vota e LSI nuk ishin për qeverinë. Ky është kriteri i vetëm parlamentar i cili parashikon se kush është qeveri dhe kush është në opozitë. Nisuni nga ky kriter dhe kushdo do gjej zgjidhjen dhe pasojat të cilat janë automatike dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si sintezë e këtyre formacioneve politike.
Ilir Rusmali:
Kodi Zgjedhor thotë se partitë politike kanë akses të papenguar në proces, jo kontroll mbi procesin. Kontrollin e procesit e bën kush e administron procesin. Po kush e administron procesin? Partitë politike të mazhorancës dhe opozitës në baraspeshë me njëra-tjetrën.

 

Berisha për KQZ-në: Askush s’mund të marrë institucionet në shpinë

Gjatë një daljeje publike të bërë pasditen e djeshme, Kryeministri i vendit komentoi edhe vendimin e fundit të grupit parlamentar të PD-së, për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në KQZ. Sipas kreut të qeverisë, kjo bëhet për të balancuar pushtetet dhe për të shmangur bllokimin e procesit zgjedhor.

“Në vitin 2003, me ndërmjetësim të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, me ekspertët më të mirë të këtij komuniteti, është firmosur marrëveshja mes ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, në të cilën është vendosur që KQZ të jetë e balancuar dhe për balancë është vendosur raporti që dikton Kushtetuta e vendit, atë që qeveria është shumicë dhe pakica kontrollon. Është vendosur raporti 4:3 dhe i është dhënë fuqi bllokuese pakicës. Ky ishte ndërtimi i KQZ-së në 2005-ën. Ne erdhëm në pushtet dhe opozita u tregua e arsyeshme, e respektoi plotësisht këtë marrëveshje, KQZ u riformatua 4:3 në favor të shumicës. Kjo ndodhi edhe në 2007-ën dhe në zgjedhjet e 2009-ës, sepse janë zbatuar kodet. Kjo që ndodhi për zgjedhjet e 2013-ës është balancë. Forcat politike bëjnë marrëveshjet e tyre sipas vlerësimeve që ato bëjnë. Nuk mundet që ajo që përcakton Kushtetuta, është marrëveshja politike, e cila në vlerat e saj është e barasvlershme me normat kushtetuese. Unë e kuptoj pozicionin, por askush nuk duhet të mendojë se mund të marrë institucionet në shpinë”, – deklaroi Kryeministri Berisha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency