Hapet rruga për bulevardin e ri, Basha: Investimi, hov të ri punësimit dhe zhvillimit ekonomik të Tiranës

0
169

Blerta Mrishaj

mbledhjetHapet rruga për bulevardin e ri, PS kundër, brenda prillit nis zhvendosja e shinave. Tri orë mbledhje, miratohen gjashtë vendimet e Këshillit Bashkiak

 

Me 29 vota pro dhe 20 kundër të këshilltarëve të majtë hapet drita jeshile për zgjerimin e bulevardit të ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës. Falë një granti prej 7 milionë eurosh akorduar nga Emiri i Katarit, Tiranës i mundësohet ndërtimi i një prej projekteve të munguara në këto 70 vitet e fundit. Kryebashkiaku Lulzim Basha në fjalën e tij e vlerësoi projektin si një frymëmarrje për qytetin, teksa vlerësoi se do t’i japë zhvillim edhe ekonomisë së qytetit. Me hapjen e fondit brenda muajit prill, nis puna për zgjatimin e bulevardit në vendin ku sot është stacioni i trenit, zhvendosja e shtyllave të tensionit dhe hekurudhës. Megjithëse një vendim në shërbim të qytetit, u abstenua nga këshilltarët e PS-së dhe mori miratimin e të gjithë anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Vendimi

Kryebashkiaku Basha deklaroi: “Me këtë vendim, sot (dje) Këshilli Bashkiak shënon fundin e fazës përgatitore të këtij projekti dhe fillimin e fazës së investimit të bulevardit të ri të Tiranës, pjesë e projektit të bulevardit dhe lumit të Tiranës. Në sipërfaqen e tij urbane “ngërthen” pothuajse ¼ e qytetit të Tiranës. Vjen pas miratimit nga ky këshill të planit urban dhe është pjesë e përpjekjes sonë për t’i dhënë Tiranës një plan modern, evropian zhvillimi, por po kështu një plan të zbatueshëm siç tregon në rastin e këtij investimi publik edhe hapi tjetër që do të hedhim, ky i investimit të bulevardit të ri të Tiranës. Nga pikëpamja e vlerës së shtuar për kryeqytetin do të ndalesha tek dy momente. I pari, afatshkurtër, që ka të bëjë me zotimin tonë për të bërë punësimin dhe zhvillimin ekonomik çështje kryesore të axhendës të kësaj bashkie dhe në këtë pikë, pa dyshim fillimi i një investimi kaq madhor është një lajm i mirë jo thjesht për industrinë e ndërtimit, kompanitë të cilat do të përfshihen drejtpërdrejt në ndërtimin e bulevardit, por për të gjithë zinxhirin ekonomik që tërheq me vete, për zhvillimin në dy anët e këtij aksi, për vëmendjen e veçantë që ka ngjallur tek investitorët e huaj, duke filluar me vetë donatorët, ata të Katarit, të cilët po përgatisin një mision të dytë për të finalizuar investime në fushën e hotelerisë dhe qendrave komerciale në aksin e bulevardit. Natyrisht nuk janë të vetmit, pasi ka edhe shumë të tillë. Pra, hap një kapitull të ri në zemrekun ekonomik të Shqipërisë dhe mu në zemër të këtij zemreku, që është aksi veri-jug i qytetit të Tiranës”, – u shpreh Basha. Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se përveç shtetit të Katarit, ky projekt ka marrë mbështetje të gjerë edhe nga donatorë të tjerë. Puna, sipas Bashës, do të nisë me zhvendosjen e linjave të tensionit të lartë dhe hekurudhës. “Hapi i parë do të hidhet dy-tri javët e ardhshme, zhvendosja e linjave të tensionit, zhvendosja e hekurudhës dhe pastaj përmes këtij granti, ne do të nisim menjëherë nga puna për ndërtimin e komponentëve të parë të bulevardit të ri të Tiranës”.

Projekti

Faza e parë, prej 7 milionë eurosh, parashikon pjesën e parë të bulevardit, nga fillimi i stacionit të trenit deri në afro 600-700 metra thellësi, duke përfshirë këtu një vepër madhore të bulevardit, që është një parkim i madh nëntokësor publik në pjesën ku sot ndodhet stacioni i trenit, ndërkohë që me fonde të tjera të donatorëve, me një kredi me terma të butë, që është negociuar dhe është në proces përfundimi me një tjetër partner të rëndësishëm tonin, Fondi i Zhvillimit të Abu Dabit (ka kontribuar edhe për gjysmën e parave për tunelin e Kërrabës) do të plotësohen edhe komponentët e tjerë financiarë që përfshijnë pjesën tjetër të bulevardit dhe rehabilitimin e shtratit të lumit të Tiranës, ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese.

 

Miratohet

1 milion euro për të rinjtë që hapin biznes nën 35 vjeç

Të rinjtë deri në moshën 35 vjeç, të cilët kërkojnë të hapin një biznes, do të përfitojnë nga fondi prej 1 milion euro i Bashkisë së Tiranës. Për të realizuar këtë, kryebashkiaku Lulzim Basha ka dërguar për miratim në këshill projektvendimin për “Zbatimin e programit ekonomik dhe punësimit “Skema e Fondit të Garancisë” si dhe miratimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë”’. “Edhe ky projektvendim lidhet me çështjet e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, konkretisht me fondin që bashkia po vë në dispozicion si garanci ndaj bankave komerciale për të nxitur kreditimin e ndërmarrjeve të reja, bizneseve që nisin qytetarët e Tiranës në moshën 35 vjeç. Vendimi u hap rrugë bankave për dhënien e një kredie me interesa të ulët”, – tha Basha në këshill. Sipas tij, një nga 16 bankat tregtare që operojnë vend, do të përzgjidhet fituese për të ofruar shërbimin financiar për realizimin e projektit të Bashkisë së Tiranës “Skema e Fondit të Garancisë”, që do të zbatohet në kuadër të programit të zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

 

Mbledhja

Miratohen gjashtë vendimet

 

Sakaq në mbledhje janë miratuar edhe katër projektvendimet e tjera, sikurse është “Miratimi i treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2014-2016”; “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës” (i ndryshuar)”; “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 17, datë 28.2.2013 mbi “Politikën e decentralizimit të disa kompetencave ligjore pranë organeve të njësive bashkiake të Tiranës si dhe një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 20 datë 30.4.2007 “Për kalimin e disa kompetencave njësive bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të njesive bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme nr. 1 të Punëtoreve të Qytetit” (i ndryshuar)”; “Miratim dhënieje ambienti në përdorim Shoqatës Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar “Shpresa për Jetën”, me destinacion për qendër sociale.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency