Vrasja e balerinës Tafa, policia në kërkim të autorit Artur Kuliçi

0
137

Sonja Caka

tafaPolicia: Arrestohet bashkëpunëtori Bajraktari, provat filmike dhe dëshmitë provojnë se 34-vjeçari Kuliçi është autori i dyshuar

Hetimi, në momentin e debatit brenda lokalit, Kuliçi i shoqëruar edhe nga një femër dhe miku i tij

 

Identifikohet autori i dyshuar për vrasjen e balerinës Sonila Tafa (Dervishi) dhe shpallet në kërkim nga policia e kryeqytetit, ndërsa në pranga ka rënë bashkëpunëtori i tij. Dëshmitë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe puna hetimore e policisë së Tiranës bënë që brenda një kohe të shkurtër të identifikojnë autorin, i cili dyshohet se është 34-vjeçari Artur Kuliçi, ndërkohë që është vënë në pranga bashkëpunëtori i tij Endon Bajraktari, 244 vjeç. Policia është vënë në kërkim të të riut nga Tropoja dhe me banim në Tiranë, duke kërkuar ndihmën e familjarëve dhe uniformave blu të vendit të origjinës së Kuliçit. Gjithashtu, policia bën me dije se është në bisedime me familjen e të riut, të cilës i ka kërkuar të negociojë me 34-vjeçarin për t’u dorëzuar. Ndërkohë, policia bën me dije se ka arrestuar vetëm bashkëpunëtorin e Kuliçit, 24-vjeçarin Bajraktari, në banesën e të cilit u gjet makina me të cilën kanë lëvizur natën e ngjarjes dhe armën automatike me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi.

Arrestimi

Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në lokalin natës në autostradë “Dream City”, policia e Tiranës jep detaje rreth identifikimit dhe kapjes së autorëve të dyshuar. Sipas burimeve policore, nga administrimi i provave materiale të sekuestruara, si pamjet filmike, disa gëzhoja armë zjarri pistoletë, kqyrja e një mjeti, etj., rezulton se autor i dyshuar i kësaj ngjarje është 34-vjeçari Artur Kuliçi, banues në Tiranë, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij. Më tej në deklaratën e saj për shtyp, policia e Tiranës bën me dije se gjatë kryerjes së hetimeve të mëtejshme, mbi bazën e provave u bë edhe kapja e arrestimi i 24-vjeçari Endon Bajraktari, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të banesës iu gjend dhe sekuestrua një mjet tip BMË, me targa të huaja, i cili ka shërbyer për largimin e autorit nga vendi i ngjarjes. Po kështu, sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën shtetasit Endon Bajraktari i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një armë  automatike. “Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje” parashikuar nga neni 79/dh dhe 278/2 të Kodit Penal”, përfundon njoftimin policia e kryeqytetit.

Hetimi

Grupi hetimor që po heton krimin e rëndë të ndodhur në lokalin e natës ku humbi jetën aksidentalisht 24-vjeçarja Sonila Tafa, me profesion balerinë, ka shoqëruar e pyetur një numër të konsiderueshëm personash, që kishin dijeni për ngjarjen. Gjithashtu, menjëherë u bë administrimi i provave materiale të sekuestruara në vendngjarje, si pamjet filmike, disa gëzhoja armë zjarri pistoletë, kqyrja e një mjeti tip BMV. Nga kqyrja e këtyre provave, policia mundi të zbardhte edhe identitetin e autorit të dyshuar të krimit, nga ku rezulton se bëhet fjalë për 34-vjeçarin Artur Kuliçi, me origjinë nga një fshat i Tropojës dhe banues në Tiranë. Por, për dhënie ndihme në largimin e autorit të krimit dhe bashkëpunim në krim është arrestuar edhe 24-vjeçari Endon Bajraktari, të cilit në banesë iu gjet një armë automatike dhe makina tip BMV, me të cilën janë larguar nga vendi i ngjarjes ai dhe autori i dyshuar Artur Kuliçi. Policia është duke punuar për kapjen e tij, ndërsa ka filluar negociatat me familjarët për dorëzimin e 34-vjeçarit. Ndërkohë, policia ka dorëzuar armën automatike të gjetur në banesën e 24-vjeçarit Bajraktari për të ekzaminuar nëse plumbat që i morën jetën balerinës Tafa kanë dalë nga kjo armë apo jo.

Ngjarja

Krimi i rëndë ku mbeti e vdekur nga një plumb rikoshiet 24-vjeçarja Sonila Tafa (Dervishi) ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të së shtunës në ambientet e jashtme të lokalit të natës “Dream City”, pranë mbikalimit të Kamzës. E reja, e cila kishte përfunduar studimet e larta në Akademinë e Arteve, për balerinë mësohet se nuk ka qenë balerinë në diskotekën “Dream City”, por në këtë klub nate viktima ka qenë si kliente së bashku me bashkëshortin e saj dhe disa miq të saj. Pasi kanë qëndruar disa orë nën shoqërinë e tingujve të muzikës, ata kanë dalë nga lokali dhe kanë qenë në pritje të një prej miqve, për t’u larguar më pas me dy automjetet e tyre. Sapo ata kanë dalë në derën e jashtme, një breshëri automatiku është dëgjuar rreth orës 03:30 në zonë, ku e vdekur në vend ka mbetur shtetasja Sonila Tafa, ndërkohë që mësohet se e plagosur lehtë në këmbë ka mbetur një shoqe e viktimës, balerina Romina Kaso. Balerina e tv Klan ka dëshmuar se kanë qenë duke u larguar kur kanë dëgjuar të shtënat dhe janë shtrirë përtokë dhe vetëm kur kanë ngritur kokën kanë parë shoqen e tyre Sonilën të mbuluar nga gjaku. Ajo ka rrëfyer se as vetë nuk e ka kuptuar se ishte plagosur në këmbë, pasi sapo kanë dëgjuar të shtënat janë përpjekur të shpëtojnë nga ndonjë plumb.

 

Zënka që shkaktoi një viktimë

Nga dëshmitë e marra nga personeli, dëshmitarë dhe roje të sigurisë, mësohet se autori ka nisur një debat me një tjetër tavolinë. Nisur nga kjo situatë, mes dy tavolinave ka lindur një debat, që më pas është shoqëruar me përplasje fizike mes të pranishmëve. Të gjendur përballë kësaj situate, kanë ndërhyrë rojat e sigurisë të diskotekës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e konfliktit. Për të lënë të qetë klientët e tjerë, truprojat kanë vendosur të nxjerrin jashtë të dyja palët, me argumentin se ishin persona të padëshirueshëm në diskotekë, pasi krijonin gjendje kaotike dhe shqetësonin klientët e tjerë. Për pasojë të parët që kanë dalë kanë qenë autorët e krimit, të cilët janë larguar me shpejtësi nga diskoteka dhe kanë shkuar të marrin një automatik. Pasi ka marrë armën e krimit, i dyshuari Artur Kuliçi ka qëlluar me breshëri në drejtim të derës së lokalit të natës, kundër rojeve që i nxorrën jashtë. Për pasojë, dy plumba kanë kapur 24-vjeçaren Tafa, njëri në kokë dhe tjetri në trup.

 

Policia: Kuliçi e Bajraktari, me një femër në tavolinë natën e ngjarjes

Policia e Tiranës ka zbardhur të tjera detaje rreth natës së ngjarjes. Mësohet se atë natë, autori i krimit Artur Kuliçi ka qenë nën shoqërinë e Endon Bajraktarit dhe një femre kur ka nisur debati me personat e një tjetër tavoline. Të gjendur përballë kësaj situate, personat e sigurisë të klubit të natës i kanë nxjerrë nga lokali autorin, shokun e tij dhe femrën që kishin me vete. Në këtë moment, 34-vjeçari ka shkuar te makina dhe ka marrë një armë zjarri duke qëlluar në drejtim të personave të sigurisë së Pub-it “Dream City”. Dy nga plumbat kanë kapur balerinën, e cila me grupin e miqve kishin dalë nga lokali në ato momente. Gjithashtu, e plagosur ka mbetur edhe shoqja e saj e fëmijërisë, edhe kjo balerinë, Romina Kaso, e cila është plagosur lehtë në këmbë.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency