Parlamenti rrit sot pagat për 1 mijë gjyqtarë e prokurorë

0
138

Sonja Caka

gjyqtaretHalimi: Vendimi, pagat e prokurorëve rriten me 20%. Përfitues nga reforma e rritjes së pagave gjyqtarë, prokurorë e oficerë të Policisë Gjyqësore

 

“Nesër në parlament rriten pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve”. Ky lançim është bërë dje në rrjetin social “Facebook” nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, institucioni i të cilit, së bashku me atë të Financave, kanë përgatitur projektvendimin për këto ndryshime. Nga kjo reformë pritet të përfitojnë mbi 1 mijë prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore. Vendimi i qeverisë për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe vënia e theksit nga ana e kryeministrit se në këtë rritje pagash duhet të shtohen edhe prokurorët, do të diskutohet dhe miratohet sot në Parlament. Përmes këtyre rritjeve, sipas ministrit Halimi, parashikohet përmirësimi i statusit të prokurorëve, ndërsa theksohet se është një nga çështjet e rëndësishme të reformës në drejtësi.

Rritja

“Pagat më të larta për aktoret e drejtësisë do të kenë impakt në rritjen e përgjeshmërisë dhe llogaridhënies” vijon në statusin e tij ministri Halimi, ndërsa shton se “nesër në parlament, pagat e prokurorëve rriten me 20%.  Pagë jo më e vogël se 1 milion lekë në muaj për prokurorët e shkallës së parë dhe pagë jo më pak se 1 milion e treqind mijë lekë për prokurorët e apelit,  dhe krimeve të rënda të shkallës së parë. Gjithashtu, pagë jo më pak se 1 milion e katërqind mijë lekë për prokurorët e Krimeve të Rënda të Apelit”. Më tej, ministri sqaron edhe rritjen në bazë të vjetërsisë për punën e çdo prokurori në detyrë, duke bërë me dije “çdo prokuror që ka një vjetërsi prej 25 vjetësh përfiton pagën e prokurorit më të lartë, edhe në rast se nuk do të ketë mundësi të promovohet për shkak të mungesës së vakancave në institucione”. Sipas ministrit të Drejtësisë, rritja e pagave parashikon një përmirësim të statusit dhe parashikohet të ndikojë në rritjen e pavarësisë dhe paanësisë së prokurorëve të Republikës nga vektorët ekonomikë, dhe do të reduktojë korrupsionin në këto Institucione, duke konsoliduar sistemin e drejtësisë.

Përfituesit

Nga reforma e rritjes së pagave në sistemin e drejtësisë pritet të përfitojnë më shumë se 1 mijë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore në vend. “Do të ndihmojë ata qindra prokurorë e gjyqtarë që sapo kanë nisur karrierën e tyre, ata qindra prokurorë e gjyqtarë që e nisin ditën e tyre me mendimin për të kryer punën me përkushtim e ndershmëri, për emrin e tyre dhe të familjes së tyre” vijon komentin e tij në rrjetin social ministri Halimi, duke e mbyllur se “ne duhet të besojmë tek drejtësia, ajo ka nevojë për besimin tonë”.

Propozimi

Propozimi i parë shkoi në qeveri vetëm për rritjen e pagave të gjyqtarëve, por, gjatë miratimit të këtij vendimi, kryeministri Sali Berisha kërkoi që në këtë vendim të përfshihen edhe prokurorët. Pasi është diskutuar rritja e pagave të gjyqtarëve dhe u ra dakord, kryeministri deklaroi se “ligjin e konsiderojmë përsëri të mangët, pasi nuk përfshin prokurorët. Në ligjet që kemi votuar në parlament, bashkë me opozitën, ne i kemi lënë ata komponentë të pushtetit gjyqësor. Në shumë vende janë pjesë e ekzekutivit, në vende të tjera dhe në Shqipëri janë shtyllë e atij pushteti. Ndaj mendoj se ligji duhet t’ju njohë edhe prokurorëve, po ato atribute që u njeh gjyqtarëve dhe mendoj se bëjmë një gjykim shumë të drejtë, në shpërblimin më të mirë të punonjësve të këtij sistemi, me besimin se do ndikojë pozitivisht në performancën e tyre, në integritetin e tyre moral, shmangien e korrupsionit, abuzimeve, në atë shkallë që mund të influencojë”.

Ndryshimet për gjyqtarët dhe kryetarin e Shkallës së Parë

Në bazë të projektligjit të miratuar dje në mbledhjen e qeverisë, paga bazë e gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë është e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga bazë e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda është e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga bazë e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë është e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi këtë pagë jepet një shtesë për drejtim në masën 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga bazë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda është e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta të punës, shtohet 10 për qind dhe për drejtimin e gjykatës shtohet 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”.

Ndryshimet për gjyqtarët dhe kryetarin e Gjykatës së Apelit

Në projektligj parashikohet një ndryshim i nenit 27, për pagën e gjyqtarit dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit. Paga bazë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit është e barabartë me 75 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e bazë e gjyqtarit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda është e barabartë me 75 për qind të pagës të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, 3 deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga bazë e kryetarit të gjykatës së apelit është e barabartë me 75 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi këtë pagë jepet një shtesë për drejtim në masën 10 për qind. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga bazë e Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe e kryetarit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda është e barabartë me 75 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta të punës, shtohet 10 për qind dhe për drejtimin e gjykatës shtohet 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”.

Detaje

1 milionë lekë Prokurori i Shkallës së Parë

1 milionë e 300 mijë lekë Prokurori i Apelit dhe i Shkallës së Parë për Krime të Rënda

1 milion e 400 mijë lekë për prokurorët e Krimeve të Rënda të Apelit

25 vjet vjetërsi në punë si prokuror përfiton pagën e prokurorit më të lartë, edhe në rast se nuk do të ketë mundësi të promovohet për shkak të mungesës së vakancave në institucione

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency