Takimi me akademikë të shkencave bujqësore Berisha: Heqim taksën 10% për shitblerjen e tokës, 10-fishimin e prodhimit bujqësor

0
128

Ina Jano

berisha..Projekte ambicioze për zhvillimin rural, mbështetje për kërkimin shkencor

Vaditja dhe kullimi, projektet kryesore për mandatin e ardhshëm

 

Kryeministri Berisha u takua dje me akademikë dhe pedagogë të shkencave bujqësore për të konsultuar me ta programin e Partisë Demokratike sa i përket zhvillimit rural. Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij paraprakisht u shpreh se synimi i tij është që gjatë mandatit të ardhshëm të arrihet dhjetëfishimi i të gjitha prodhimeve bujqësore në rang vendi. “Në projektin tonë për një zhvillim rural dhe bujqësi moderne, në projektin tonë për një përpjekje të madhe, natyrisht jo afatshkurtër, e cila synon në dhjetëfishimin e prodhimit bujqësor dhe të fushës në tërësi në Shqipëri, ne llogarisim si kusht Sine qua non, udhëheqjen tuaj të këtij procesi me studimet, me kërkimet shkencore, llogarisim, besojmë dhe mendojmë se ju do të jeni arkitektët më të mirë të këtij projekti ambicioz, por plotësisht të mundshëm për tu realizuar, siç kanë faktuar vende të tjera dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për një Shqipëri, vend i zhvilluar”, – tha Berisha. Sipas liderit të mazhorancës, kjo është tërësisht e mundur që të arrihet, pasi të gjitha projektet dhe reformat janë projektuar për të dhënë një rezultat të tillë. Zoti Berisha gjithashtu njoftoi edhe një nismë tjetër që qeveria e drejtuar nga ai, do të kalojë në parlament brenda këtij sesioni. Bëhet fjalë pikërisht për heqjen e taksës prej 10 për qind, e cila paguhet në rast kur shitet apo blihet toka, dhe që për kreun e ekzekutivit ajo është edhe bllokuese. “Fermerët më shtruan problemin e taksës 10 për qind për shitblerjen e tokës. Ne do ta heqim atë dhe këto ditë çojmë në parlament ligjin që transaksioni për tojën bujqësore do të jetë free, nuk do të ketë taksë. Ata u ankuan se kjo po i pengon në zgjerimin e sipërfaqeve, pasi i rëndon në blerje. Unë jua premtova dhe kam biseduar me Ministrinë e Bujqësisë. Të jemi realistë, ajo e bllokonte tregun bujqësor dhe shpresoj që edhe iniciativa e lirë të funksionojë më mirë e të çojë në krijimin e fermave më të mëdha”, – u shpreh Kryeministri. Por nga ana tjetër ky i fundit i falënderoi akademikët për bashkëpunimin e ofruar ndaj qeverisë, ndërsa këta të fundit nga ana e tyre parashtruan një sërë sugjerimesh dhe ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe ngritjen në një nivel të ri të arsimimit në fushën e bujqësisë, me mbështetjen më të madhe te studentëve që zgjedhin për të studiuar në këtë fushë, me fuqizimin e rolit të kërkimit shkencor, me nxitjen më të madhe dhe promovimin e prodhimeve bujqësore vendase, etj. Kreu i mazhorancës tha gjithashtu se deri më tani janë ndërtuar 8 mijë km rrugë, ndërsa pritet që në 2-3 vitet e para të mandatit të ardhshëm të përfundojë e gjithë infrastruktura. Po ashtu zoti Berisha është ndalur edhe për shkak të interesit të akademikëve në formën e subvencionimit, por edhe të mbështetjes së studentëve me anë të bursave për të studiuar në këtë lloj fushe. “Të përpiqemi me studime të veçanta, të bëjmë që kjo tokë të prodhojë kudo. Të zhdukim konceptin “tokë e pafrut”. Një tokë plot diell e plot ujë nuk mund të jetë e pafrut. Nuk do të ndalojmë trendin e urbanizimit të vendit. Do bëjmë gjithçka të nxisim prodhimin në çdo metër katror të vendit”, – u shpreh Kryeministri. Berisha u ndal edhe tek problemet e shumta të peshkimit, duke nisur që nga flota e amortizuar e deri tek problemet me karburantin. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të hartoi shumë shpejt një plan të posaçëm vetëm për sektorin e akuakulturës, ndërsa vuri theksin tek projektet e vaditjes dhe të kullimit, që do të fillojnë të implementohen së shpejti.

 

Berisha në pub me FRPD-në: Të rinjtë, arkitektët e fitoreve tona

E mërkura, një ditë e ngjeshur me aktivitete për Kryeministrin Berisha, duket se është mbyllur në mënyrë vërtet speciale. Kryetari i qeverisë ka shkruar dje në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, se në orët e vona të mbrëmjes ka qenë në një pub me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së. Në cilësimin e numrit një të qeverisë, të rinjtë janë arkitektët e fitoreve të selisë blu, por edhe e të gjithëve reformave, të ndërmarra nga ta. “Të dashur miq, pas një dite të ngjeshur pune që filloi me vizitën time në kompaninë e përpunimit të peshkut “Koral” dhe u mbyll me dorëzimin tek Presidenti i Republikës të propozimeve për ministrat e rinj, pata kënaqësinë e veçantë të jem i ftuar i të rinjve të Forumit Rinor të Fakultetit Juridik që festonin së bashku, në një takim elektoral, në një pub afër shtëpisë sime. Atmosfera festive, entuziazmi dhe optimizmi i madh për mandatin tonë të ri, bisedat e shkurtra, por të gëzueshme dhe mbresëlënëse, për mua bënë që unë të largohesha prej tyre i çlodhur dhe i frymëzuar. Për ne rinia është arkitektja e fitoreve dhe reformave tona!”, – shkruante dje Kryeministri në Facebook.

 

 

 

 

Shqipëria, 4 vjet në NATO

Berisha: Pas pavarësisë, ngjarja më e rëndësishme, Arvizu: Shqipëria, kontribuuese edhe në zonat më të rrezikshme

 

Shqipëria mbush 4 vjet që nga dita kur u bë anëtare e aleancës politiko-ushtarake më të madhe në botë, NATO, me të drejta të plota në të. Me këtë rast në kryeqytetin shqiptar janë zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe konferencash në të cilat kanë marrë pjesë edhe Kryeministri Berisha, por edhe ambasadori amerikan Alexander Arvizu. Kryeministri e cilësoi anëtarësimin në NATO ngjarjen më të rëndësishme për Shqipërinë pas pavarësisë së saj. “Shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj vendeve aleate e mike, në veçanti SHBA. Anëtarësimi ishte një proces rreth 18-vjeçar në të cilin shqiptarët hodhën themelet e një sistemi të bazuar mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë, transformuan Forcat e Armatosura sistemin e tyre të sigurisë”, -tha Berisha. Sipas liderit të mazhorancës NATO është një aleancë e bazuar tek vlerat e lirisë, demokracisë dhe shoqërive të lira. “Anëtarësimi moment historik. NATO është organizatë frymëzuese. Ne jemi të vendosur të përmbushim çdo detyrim që rrjedh nga anëtarësimi, është i admirueshëm reformimi i Forcave të Armatosura në këto vite, kalimi në sistemin e ushtrisë profesioniste”, – tha Berisha. Ai vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve edhe për procesin e demilitarizimit të municioneve të vjetra. Objektiv për Shqipërinë, tha Kryeministri, më tej mbetet integrimi në Bashkimin Evropian. Duke folur për zgjedhjet ai shtoi se ne do ndërmarrim çdo reformë, ne do bëjmë gjithçka që të nderojmë vlerat, votën dhe standardet më të mira në këtë proces zgjedhor. “Është kënaqësi që përfaqësoj SHBA-në në këtë aktivitet përkujtues”, – tha në nisje të fjalës së tij ambasadori. Ambasadori Arvizu deklaroi gjatë kësaj konference se kjo aleancë përveç përfitimeve ka edhe detyrime për një vend anëtar. Sipas tij, Forcat e Armatosura Shqiptare kanë kontribuar për NATO-n edhe në vende të rrezikshme. ”Sot përjetojmë 4 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, marrëdhëniet tona mbeten të spikatura. Forcat e Armatosura kanë shërbyer globalisht në disa prej vendeve më të rrezikshme nën komandën e NATO-s, si si Bosnje, Irak e Afganistan. Anëtarësimi përveç përfitimeve ka edhe detyrime, kur them se vlerësoj marrëdhënien e hapur me Shqipërinë nënkuptoj që ne do vazhdojmë ta mbështesim Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare. Angazhohemi që të punojmë së bashku për përparimin e vendit, për përparimin e Shqipërisë në NATO”, – përfundoi ambasadori.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency