Aleanca PS-LSI Nuk ka as “pse”, as “si”, Rama: Jo humbjes me “moral”

0
157

ramaKritikat, kreu i PS-së: Moralizma të palogjikshëm, përmes 23 qershorit zgjidhim 21 janarin

 

Kreu i Partisë Socialistë, Edi Rama, u përgjigjet zërave kritikë për koalicionin parazgjedhor PS-LSI, duke pohuar se pa një aleancë të tillë, fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit do të vihej në dyshim. Nëpërmjet një shkrimi në blogun e tij (edirama.al) me titull “21 janari varet vetëm nga 23 qershori”, kreu socialist e justifikon bashkimin me LSI-në si të domosdoshëm e ndërkohë i cilëson kritikat për aspektin moral si të palogjikshme. “Të parët, kundërshtarët e bashkimit, nuk i mirëkuptoj. Por ama i respektoj në të drejtën e tyre që të ngrenë stuhi në gotën bosh të “moralit të humbur” të fitores së afërt të PS-së me Metën, pavarësisht se do të doja të mos qorroheshin përballë të vërtetës se 23 qershori duhet të sigurojë në radhë të parë humbjen pa apel të Saliut. Pa ekuivok. Pa kushte. Pa “pse” as “si”. Sepse pa diskutim që këtë herë nuk ka asnjë lloj humbjeje të mundshme “me nder” për opozitën. Çdo humbje në emër të “moralit”, sado “heroike”, do të ishte thjesht çnderuese për Shqipërinë. Madje, ende më shumë, do të shkatërronte jo moralin qeverisës që sot nuk ekziston, por edhe ato thërrime të mbetura morali shoqëror pas tetë vjetësh rrënimi të vazhdueshëm”, – tha Rama.

 

Reagimi

Në shkrimin e tij, kryesocialisti i ndan reagimet ndaj aleancës PS-LSI në tri pjesë: ata që janë kundërshtarët fanatikë të këtij bashkimi, të cilët kanë qenë përkrah me Ramën në protestat opozitare, ata që janë manipulatorët e Kryeministrit dhe së treti mbështetësit e vërtetë të Partisë Socialistëve. Duke iu drejtuar këtyre të fundit, të cilët të shumtë në numër kanë shprehur shqetësimin e tyre koalicionin me LSI-në, Rama thekson se prioritet për PS-në mbetet largimi i PD-së dhe Kryeministrit Berisha. “Që 21 janari të mos mbetet siç është sot, një plagë e hapur që lëndon vijimësisht popullin opozitar dhe që po ushqen këto ditë me gjak opozitar mediat e regjimit që vrau katër protestues të pafajshëm, duhet fitorja e 23 qershorit. E ja pra ku kthehemi përsëri tek e njëjta pikë: Pa larguar Saliun dhe partinë e tij familjare, gjithçka tjetër mbetet përshpirtje jashtë realitetit. Dhe për të larguar të Keqen e Njohur duhet medoemos bashkimi ynë me LSI, si edhe gatishmëria jonë për të bërë koalicion me çdo forcë tjetër politike përveç PD-së. Ne jemi plotësisht të gatshëm për këtë”, – shkruante Rama. Duke theksuar se 23 qershori nuk është një ballafaqim normal elektoral për të zgjedhur mes dy alternativash, por një betejë e madhe sipas Ramës për të mos lejuar përsëritjen e qershorit 2009 dhe 8 majit të Tiranës 2011, lidershipi socialist pohoi se zërat kritikë nuk duhet të mbyten në gotën bosh të moralizmave të palogjikshëm. “As nuk duhet të bjerë pre e zagarëve të gjahut mediatik të pushtetit. Por duhet të votojë pa asnjë mëdyshje Partinë Socialiste në 23 qershor. 23 qershori është dita që opozita të marrë pikërisht hakun moral për 21 janarin, duke e degdisur me votë jashtë zyrave të shtetit Kryeministrin e 21 janarit dhe partinë e tij familjare. Vetëm paskëtaj fillojnë ditët kur do të vihet në provë morali i qeverisë që ne, të bashkuar, PS-LSI dhe të tjerë do të krijojmë për të rilindur Shqipërinë. E vetëm atëherë do të vihet në provë edhe vërtetësia e zotimit tim për të krijuar kushtet që dëshmorët tanë dhe familjet e tyre ta marrin edhe hakun e ngrënë ligjor”, – përfundoi shkrimin e tij, kreu i PS-së, Edi Rama.

 

Pitella takon Ramën dhe Metën: Bashkimi siguron qeverisjen

Zëvendëspresidenti i parë i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, përgëzoi kreun e PS-së, Edi Rama, dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, për arritjen e marrëveshjes për bashkimin e së majtës shqiptare. Pas takimeve të ndara me secilin prej tyre, Pitella zgjodhi selinë e LSI-së për të dhënë mesazhin e tij publik, ku theksoi se bashkimi i së majtës është garanci për krijimin e një qeverie të re, që siç tha ai, do të përshpejtojë procesin e integrimit. “Ne kemi vlerësuar vendimin e marrë nga partitë e majta në Shqipëri, për bashkimin forcave për t’i garantuar Shqipërisë një të ardhme më të mirë. Problemet në Shqipëri janë të shumta, që lidhen me punësimin dhe borxhin publik dhe kjo do të thotë që zgjidhja më e mirë për këto probleme në vend është bashkimi i te gjitha forcave dhe brenda këtij bashkimi të madh të kombit duhet parë edhe bashkimi i të majtëve në vend. Kjo është një lloj garancie që do të garantojë një qeveri të re që do të jetë e perënduar tek procesi i integrimit evropian”, – u shpreh zëvendëspresidenti i parë i PE-së, Gianni Pittella.

 

 

Besnik Baraj: Pakti Meta-Rama si Çurçilli dhe Stalini kundër Hitlerit

Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, deklaron se aleanca e PS-së me LSI-në është e njëjtë me atë të Rusveltit, Çurçillit dhe Stalinit në luftë kundër Hitlerit. “Sot, një gazetar më pyeti: – Mund të bëhet fjalë për një dështim të opozitës, me këtë ftesë? A dështoi aleanca e Ruzveltit, Çurçillit me Stalinin për të luftuar Hitlerin? A nuk ishin të ndryshëm tre të parët! Mund të duket i ekzagjeruar ky paralelizëm, por është shembulli kur ndodh një bashkim përtej moralit që predikonin, përtej konceptit për pronën, për demokracinë, për të drejtat e njeriut. Ajo aleancë e shpëtoi njerëzimin. Zgjerimi ynë do ta shpëtojë vendin nga katastrofa që ndien çdo shqiptar sot në fushën e arsimit, shëndetësisë, pasigurisë, papunësisë të shkatërrimit të mjedisit. Do nisë një etapë krejt e re, do futemi në shtratin e zhvillimeve normale të vendeve evropiane”, – tha deputeti i PS-së.

 

Braçe: Nuk tërhiqemi prej Metës për taksën progresive

Deputeti socialist Erion Braçe vazhdon të mbetet një ndër kritikët kryesorë brenda radhëve të grupit parlamentar të PS-së sa i përket aleancës së fundit mes forcës ku ai bën pjesë dhe LSI-së. Në një reagim në rrjetin social, ai bëri të ditur se pavarësisht faktit se kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka shprehur qëndrimin e tij kundër taksës progresive, kjo e fundit do të mbetet të jetë pika kryesore e programit të PS-së. Po ashtu, anëtari i kryesisë socialiste bëri të ditur se 21 janari do të rihetohet dhe se në të, sipas tij, do të përfshihen edhe politikanët e përfshirë. “Besoj që PS nuk do tërhiqet nga asnjë prej angazhimeve programore, veçmas për taksimin. Nëse zotnia se pranon rritjen e taksës për vete aq më bën, PS duhet ti shkoj deri në fund, do apo s’do ai. E dyta, kush tha që politikanët nuk duhet të ndëshkohen? PS nuk duhet të afrojë koalicionin për këtë, pavarësisht kush është, të shkojë e të përgjigjet për veprimet e tij para një prokurori dhe gjykatësi, si çdo keqbërës tjetër. 21 janari duhet rihetuar, duke përfshirë urdhërdhënësit, ekzekutuesit, shkatërruesit e provave e cilindo që është përfshirë. Për pjesën tjetër i takon udhëheqjes që mori vendimet të bëj detyrën, të zgjidhë problemet që krijoi”, – shkruante Braçe në FB.

 

Malaj: Tri ligjet, detyrim

Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka komentuar dje zhvillimet më të fundit brenda selisë rozë, duke theksuar qëndrimin e tij të shprehur edhe më parë, ku sipas të cilit, tri ligjet e integrimit duhen votuar për interesin kombëtar të vendit. “Unë besoj se votim i tre ligjeve dhe marrja e statusit kandarit është detyrimi i politikës ndaj qytetarëve shqiptarë. Integrimi evropian do ketë sfidë më të vështirë ë do jenë zgjedhjet. E rëndësishme është që pas vullnetit për të votuar të tre ligjet, do të kemi dhe një të mirë në politikën shqiptare, nuk do të kemi më armiq, për ata që kanë kërkuar në mënyrë këmbëngulëse dhe kanë qenë shumë kolegë edhe të Partisë Socialiste që kanë kërkuar në mënyrë këmbëngulëse, që politika shqiptare duhet të dilte nga ngërçi i mos votimit të tre ligjeve dhe për më tepër i plotësimit të çdo standardi që e përshpejton cilësinë dhe shpejtësinë e proceseve integruese të vendit, sfida kryesore do të mbeten zgjedhjet”, – tha Malaj. Po ashtu deputeti socialist ka reaguar edhe lidhur me largimet në PS, duke bërë të ditur se ndjen keqardhje që deputeti në Qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani dhe ai Qarkut të Lezhës Gjovalin Kadeli nuk do të jenë më pjesë e grupit parlamentar të PS-së. “Ndjej dhimbje shoqërore pasi janë kolegë që kemi punuar me ta. Çdo largim që bën të ndihesh keq. Problemi nuk është sa dëmton njëri apo tjetri, por si të gjithë bashkë të kontribuojmë me shumë për fitore të PS, për t’u shpëtuar krizave ekonomike dhe politike”, – u shpreh Malaj.

 

Programi në Durrës, Rama irritohet me thirrjet brenda sallës: Dilni jashtë, nëse doni muhabet

Partia Socialiste ka prezantuar dje në qytetin e Durrësit programin për shërbimet publike, ku kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi se e majta nuk do ta shohë kurrë shtresën në nevojë si burim votash, por do i garantojë ndihmën e nevojshme. Sipas Ramës, qeveria sot i bën shantazh kësaj shtrese duke e mbajtur peng për vota. “Janë 50 milionë dollarë që janë fond i konsiderueshëm, një shumë parash që dalin nga xhepat e popullit dhe pas 23 qershorit nuk do të shpenzohen për qëllime politike në dëm dhe cenim të dinjitetit të shqiptarëve të varfër dhe të papunë. E dini shumë mirë familjet e varfra që janë pjesë e kësaj skene të ndihmës ekonomike dhe janë mbi 100 mijë familje në nevojë. E dini fare mire se çfarë ndodh para 4-5 muajve para zgjedhjeve sesi kryetarët e njësive vendore të partisë në pushtet e mbajnë pa dhënë këtë ndihmë ekonomike si peng për votën ashtu sikundër e përdorin emrin e të varfërve për të bërë shantazh për votën”, – tha ai. Por në takimin e djeshëm në qytetin e Durrësit nuk kanë munguar incidentet, ku në sallë pati zëra zhurmues ndërsa përfaqësues të PS-së po zhvillonin prezantimin e programin “Rilindja kombëtare”. Në këto moment, ka ndërhyrë kryesocialisti, i cili i irrituar me zhurmat theksoi se asnjë nuk është ftuar me listë në takimet e PS-së. “Ne nuk kemi në sallë njerëz që kanë ardhur me zor apo me listë. Ju lutem dëgjoni prezantimin e programit deri në fund. Secili këtu ka ardhur këtu me dëshirën e tij, ju lutem të ndjekim paraqitjen e detajuar të programit për shërbimet publike, ndërsa ata që janë të dëshiruar të bëjnë muhabet me njëri-tjetrin, ju këshilloj ta bëjnë në ajër të pastër”.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency