Fatos Nano: Jo më në politikë, do “vdisja” i kënaqur nëse do bëhesha President

0
140

 nanoThemeluesi dhe udhëheqësi i parë i Partisë Socialiste, ish-kryeministri i vendit Fatos Nano deklaron se nuk do të kthehet më në jetën politike aktive. I ftuar në emisionin “Bugajski Hour” në “AS”, Nano theksoi se nuk do të kthehet më prapa në politikën partiake. Po ashtu, Nano komenton procesin e integrimit të vendit, çështjet rajonale dhe nacionalizimin. Ish-kreu i PS-së bën të ditur se ëndrra e tij mbetet Presidenca…

 

 

Jam i sigurt se kanë për të ngjallur interesin jo vetëm të publikut shqiptar, por edhe të publikut ndërkombëtar po ashtu. Më lejoni të hidhem drejt e te pyetja që them se shumë njerëz po bëjnë aktualisht, sidomos teksa zgjedhjet po afrohen. A do të ktheheni aktivisht në politikë? Cilat janë planet tuaja? Cilat janë aspiratat tuaja politike të paplotësuara?

 

Kjo është një pyetje e mirë që shumëkush po e bën. Dhe një gjë është e sigurt, unë duhet t’i qëndroj besnik historisë sime politike, si dhe familjes sime politike, e cila përbëhet nga komuniteti i votuesve dhe militantëve të qendrës së majtë në Shqipëri. Por karriera ime politike është në fakt një shprehje e hapur dhe publike jo thjesht e një politikani partiak. Unë kam preferuar dhe kam nxitur shpeshherë e vazhdimisht krijimin e një standardi dhe të një tradite edhe në këtë demokraci të brishtë: Hapje ndaj kundërshtarëve dhe ndaj opozitës, nisma gjithëpërfshirëse që mund të ofrojnë zgjidhje më të gjera e të qëndrueshme nga zgjidhjet e pjesshme militante. Dhe, pa dyshim, është e një rëndësie jetike, që opozitës t’i jepet kontrolli mbi disa institucione të rëndësishme të shtetit, si p.sh. Kontrolli i Lartë i Shtetit apo mbi Komisionet Parlamentare që bëjnë të mundur që qeveria të ketë një llogaridhënie më të madhe dhe të jetë më transparente në veprimet e saj. Sipas kësaj filozofie, mua më duhet të jap një përgjigje që fillon duke shmangur atë që nuk do të ndodhë. Unë nuk do të kthehem më prapa në politikën partiake.

 

Ju nuk do të ktheheni, pra!

 

Nuk do të kthehem! Pra, nuk dëshiroj të luaj sërish atë rol vendimtar dhe relevant të karrierës sime vetëm në njërën anë, sepse unë jam tashmë i angazhuar – mund t’ju jap shembullin e filozofisë sime politike, e cila është përqafuar gjerësisht dhe që ende çmohet nga publiku – të luftoj kundër bllokimit me kokëfortësi të rifreskimit të elitave politike dhe të nxis bashkëjetesën ndërmjet gjeneratave politike në politikë dhe në qeveri. Sigurisht, unë do të vijoj të jem jashtëzakonisht aktiv në nismat jopartiake, si një paqebërës, si një paqeruajtës, si një promovues euroatlantik i vlerave dhe si mbrojtës i standardeve moderne që kanë vërtetuar se janë frytdhënëse në shoqëritë tuaja.

 

 

Po lidhur me zgjedhjet presidenciale, si thoni, duhet të jenë zgjedhje direkte apo…

 

Në këtë optikë, po! Përgjigjja ime është përfundimisht po! Për shkak se ne kemi nevojë për institucione më autoritative, të cilat duhet të kenë po ashtu një mbrojtje kushtetuese, për t’u larguar nga konfliktualiteti tradicional partiak, i cili periodikisht e shpie Shqipërinë drejt ngërçeve.

 

Po kalojmë te politikat e jashtme, te çështjet e jashtme. Dua të di këndvështrimin tuaj për gjendjen aktuale të politikës së jashtme shqiptare, sidomos, e prekët edhe pak më herët, për retorikën nacionaliste që po futet në debatin politik gjatë fillimit të fushatës elektorale dhe pastaj kritikat e ardhura nga jashtë për sa u përket retorikave nacionaliste brenda Shqipërisë. Cili është këndvështrimi juaj për këtë zhvillim?

 

Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, nëse këto sëmundje tradicionale rishfaqen në këtë rajon ende të pastabilizuar. Por nuk duhet ta ekzagjerojmë. Sigurisht që ka një ton më të përforcuar nacionalizmi në shtete të ndryshme ballkanike. Edhe pse, në mënyrë paradoksale, po konkurrojnë dhe nuk duhet ta reshtin konkurrencën për integrimin euroatlantik, që në të vërtetë, është krejt e kundërta e ushtrimit absolut të sovranitetit kombëtar brenda kufijve kombëtarë. Më lejoni të gjej një përgjigje më të kënaqshme, për të mos thënë të arsyeshme dhe më stimuluese për atë çka po ndodh. Kuptohet se tonet nacionaliste që janë rishfaqur në shtetet e ndryshme ku banojnë shqiptarët janë pasoja të krizës, ose të paaftësisë së elitave politike që kontrollojnë qeveritë për të trajtuar çështjet më të rëndësishme si integrimi dhe konkurrueshmëria me realitetin global.

 

 

A është Shqipëria gati të anëtarësohet në BE? Duhen plotësuar ende kushtet për të marrë statusin kandidat.

 

Praktikisht, jo vetëm potencialisht, përgjigjja është po, për mendimin tim. Disa reforma dhe faza të fundit duhen plotësuar që do e bëjnë një fakt të tillë jo vetëm më të kuptueshëm nga vetë Evropa, apo nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe do pranohej më mirë nga shqiptarët dhe faktorët shqiptarë. Mendoj se gjithçka duhet të fillojë nga politika, se politika po shkakton ngërçin dhe vonesat në procesin e një marrëdhënieje kontraktuale të nevojshme mes Shqipërisë dhe BE-së. Që të mund ta ndihmojmë politikën të lëvizë nga ai pozicion i rrezikshëm që po bllokon procesin, duhet të kthehem tek ato që thashë, çka është e domosdoshme për vendin: Të veprojmë në mënyrë jopartiake dhe të punojmë bashkërisht për të vënë në zbatim një axhendë integrimi, reforma jetësore që ende mungojnë, që vendit i nevojiten për ta finalizuar procesin e zhvillimit të kapaciteteve kombëtare për bashkëjetesë dhe integrim në BE. Sigurisht që kemi potenciale, sigurisht që kemi përvojë, sigurisht që kemi tradita. Duhet të gjejmë një model tjetër për të integruar vlerat tona që të mbijetojmë si një nga vendet e BE-së. Duhet të jemi konkurrues dhe të ofrojmë vlera, jo vetëm të marrim. Në thelb është i njëjti proces që e ndihmoi Shqipërinë të anëtarësohej në NATO dhe te zhvillohej nga një vend që konsumonte siguri e mbrojtje komunitare në një vend që kontribuon në sigurinë globale.

 

Kemi ardhur në fund të pyetjeve. Flasim për ambiciet dhe aspiratat tuaja personale. I vetmi post që nuk keni mbajtur është ai i Presidentit të Shqipërisë. A i keni ende këto aspirata dhe siç e thotë shprehja “do vdisni i kënaqur nëse e ushtroni edhe këtë post”?

 

F. Nano: Dashtë Zoti, përgjigjja është po. Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende, unë ndihem vital për shkak të mbështetjes së gjerë të publikut, gjë që pa dyshim është domosdoshmëri për një kryetar shteti efikas që të ushtrojë autoritetin e vet. Nëse do vazhdojë si më parë, një zgjedhje partiake, një nga anëtarët e mazhorancës ose një individ i paidentifikueshëm që do të gjejë mbështetje të nënkuptuar të të dyja palëve, se është i paaftë, ai nuk ka të ardhme. Me kandidim ose jo, me fitore ose jo, unë do vazhdoj të shërbej me këtë filozofi që shpjegova.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency