Rituali në Filipine, njerëzit kryqzojnë veten

0
152

filipine

Dhjetëra filipinas janë ngulitur të premten me gozhda nëpër kryqe, në kuadër një rituali të së Premtes së Mirë, e cila paraqet një shfaqje ekstreme të devotshmërisë, të cilën Kisha Katolike e sheh si një formë të besimit popullor, por që duket e pafuqishme ta ndalojë. Ridemonstrimi i pasionit të Jezu Krishtit tërheq me mijëra turistë në rajonin e Pampangas, në veri të kryeqytetit, për të shikuar pendestarët këmbëzbathur të fshikullojnë veten si dhe një seri kryqëzimesh në një kodër artificiale.  Praktika, e cila ka filluar të implementohet në këtë krahinë rreth 60 vjet më parë si një formë e zotimit fetar për të varfrit që kërkojnë mëshirim, kurim për sëmundje dhe përmbushje të dëshirave të tjera, shkruan Reuters. Kryepeshkopi Paciano Aniceto ka thënë se praktika e përgjakur ishte shtrembërim i predikimeve të Krishtit për dashurinë dhe shërbimin vetëmohues. Mirëpo konstatoi se Kisha nuk mund ta ndalojë ritualin, të cilin e përshkroi si “një devotshmëri popullore”.  Një tjetër peshkop tha se njerëzit duhet ta kuptojnë se katolicizmi popullor praktikohet me të madhe në Filipine, shtetin me popullatën më të madhe të krishterë në Azi. Rreth 80 për qind e 96 milionë banorëve të saj janë të krishterë.  “Nuk jemi në një pozitë që t’i shtypim ata”, ka thënë peshkopi i Auxiliary, Pablo Virgilio David. “Nuk e di nëse është e drejtë që t’ua mbyllim dyert tërë atyre, vetëm për shkak se janë më të joshur nga këto praktikat popullore se sa nga liturgjitë tonë romane, të cilat mund t’i shohin si tejet të huaja dhe intelektuale”.

Si bëhet kryqëzimi?

Besimtarët e devotshëm, duke insistuar se janë të gatshëm të përballojnë dhembjen si një pendesë, i kishin ngulitur gozhdët 150 centimetërshe në duart e tyre. Më pas, për disa minuta, ata varen nëpër kryqe prej druri. “E bëjmë këtë për shkak të besimit tonë, jo për shkak se paguhemi për këtë”, thotë Ruben Inaje, një bojaxhi që e ka luajtur rolin e Jezu Krishtit për 27 vjet resht. “Dy vjet më parë, thash se kjo do të ishte hera e fundit që e bëj këtë gjë. Por sa herë që e them, bashkëshortja ime sëmuret. Supozoj se Zoti do që unë ta vazhdoj këtë sakrificë deri në fund të jetës”, ka thënë ai, para se ta kapë kryqin rreth 50 kilogramësh dhe të niset shtegut të kryqëzimit. Një atmosferë e ngjashme me cirkun mbizotëron në këtë ditë me diell të fortë.  “Është hera e parë që i dëshmoj kryqëzimit të një njeriu”, ka thënë Charlotte Johansen (26), punëtore e një organizata norvegjeze joqeveritare, ndërsa fotografohet me miqtë e saj.  Fshati i Cutud e ka ndërtuar një kodër me tri kryqe vetëm për ceremoninë kryesore të kryqëzimit, edhe pse ceremoni të ngjashme organizohen edhe në dy fshatra të tjera të afërta.  Shitës të suvenireve dhe ushqimit e rrethojnë malin ndërsa njerëzit që shesin akullore dhe pije të gazuara bredhin në mes të turmës. “Kryqëzimet këtu janë shndërruar në ngjarje ekskluzivisht turistike”, tha një zyrtar nga rajoni, i cili i menaxhon akreditimet për turmën e gazetarëve, të cilët paraqiten për çdo vit për ta mbuluar ngjarjen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency