Turqia llafazane

0
197

turqiaWinston Churchill ka thënë: “Historia do të jetë e këndshme me mua, sepse kam ndërmend ta shkruaj”. Por, Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, është më i padurueshëm. Ai e do shtypin, i cili tradicionalisht ofron draftin e parë të historisë, të jetë i këndshëm me të.

Gazetarët që nuk marrin parasysh këtë dëshirë, paguajnë çmim të lartë. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në Nju Jork, thotë se Turqia është “gardiani më i keq në botë” i gazetarëve. Së paku 49 reporterë janë prapa grilave.

Me këtë hyrje nis një shkrim në të përditshmen britanike “Times”. Gazeta vë në pah se diskutimi i politikave kurde në Turqi ndiqet penalisht, në bazë të ligjeve të hartuara për kriminalizimin e propagandës terroriste. Dhe, Tayip Temel është një viktimë tipike. Kryeredaktori i së përditshmes kurde, Azadiya Welat, përballet me më shumë se 20 vjet burgim, nën akuzën e të qenët anëtar i një organizate të ndaluar kurde.

Qeveria ka përdorur punën e publikuar të Temelit, së bashku me bisedat e përgjuara telefonike me kolegë dhe burime të lajmeve, si prova kundër tij.

“Times” shkruan se një mënyrë tinëzare e represionit në shtyp është edhe vesi i qeverisë për të ushtruar presion mbi shefat e mediave, që të shkarkojnë gazetarët kritikë ndaj politikave të saj. Disa gazetarë të profilit të lartë në Turqi janë pushuar në muajt e fundit.

Vetëm dy javë më parë, gazeta “Milliyet” ndërpreu bashkëpunimin me Hasan Cemal-in, njërin nga shkrimtarët më të respektuar në vend. Cemal është përjashtuar nga bosët, pasi Kryeministri Erdogan ka kritikuar atë për publikimin e një shkrimi në lidhje me procesin e paqes me kurdët.

Këto janë tatëpjeta të shëmtuara, represive dhe të pashpresa drejt autoritarizmit, në një vend që renditet si ekonomia e 17-të e botës dhe që, nën Erdoganin, dukej se lëvizte drejt demokracisë, shkruan “Times”.

Sipas gazetës, reformat e Kryeministrit, që dikur kanë impresionuar liberalët turq dhe kanë fituar duartrokitje nga miqtë e Ankarasë në Perëndim, duket se janë avulluar si uji në një tigan të nxehtë.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e zotit Erdogan nuk ka arritur të kuptojë se “liria e shtypit nuk është vetëm e rëndësishme për demokracinë, por është demokraci”, – shkruan “Times”, duke cituar thënien e gazetarit amerikan, Walter Cronkite.

Ky është fakt se si qeveritë në mbarë botën luftojnë për të qëndruar. Në Argjentinë, vijon artikulli, Presidentja Cristina Fernandez de Kirchner është akuzuar se ka bërë përpjekje të censurojë ata që guxojnë të raportojnë të vërtetën e inflacionit marramendës të Argjentinës dhe ekonominë e tmerrshme.

Strategjia e saj për të dëmtuar gazetat financiarisht, duke detyruar reklamuesit të bojkotojnë publikimet që kritikojnë atë, është censurë nga dera e pasme.

Britania ka qenë vendi ku gazetarët nga vendet si Turqia dhe Argjentina kanë kërkuar mbështetje morale. Është e turpshme se ajo mund të humbasë këtë licencë, pasi liritë e saj të shtypit janë dredhuar, shkruan “Times”.

 

 

Thirrje Prishtinës e Beogradit të arrijnë marrëveshje

 

Kosova dhe Serbia nuk duhet të lëshojnë rastin e arritjes së një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut aktual që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal me seli në Sarajevë, Goran Svilanoviç. Ish-ministri i Jashtëm jugosllav mori pjesë në një debat lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe integrimet të organizuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë.

Me këtë rast, Svilanoviç inkurajoi të dyja palët që të arrijnë deri te marrëveshja.

“Serbia që nga viti 2000 është duke ecur përpara në rrugën drejt BE-së, por në vazhdimësi çështja e Kosovës e ka penguar në këtë rrugëtim”, – ka thënë Svilanoviç.

Sipas tij, një marrëveshje eventuale midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte qenësore për rrugën e saj drejt integrimeve.

Svilanoviç ka thënë po ashtu se marrëveshja që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë e lehtë për asnjërën nga palët.

Mirëpo, sipas tij, pikërisht momenti i arritjes së marrëveshjes do të mund të ishte shembull për të gjitha vendet e rajonit.

“Përreth nesh në rajon ka pasur disa mundësi që janë lëshuar dhe zakonisht pastaj kërkohen vite që të arrihet sërish në pikën ku palët të jenë në gjendje të flasin sërish me njëra tjetrën dhe të bëjnë marrëveshje. Prandaj shpresoj që nuk do të humbet ky rast”, – ka deklaruar Svilanoviç.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, tha se marrëveshja për fusnotën e arritur në dialogun teknik midis Prishtinës dhe Beogradit i ka mundësuar Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal.

Sipas tij, bashkëpunimi ndër-fqinjësor është një prej standardeve që kërkohet në kuadër të integrimeve. “Bashkëpunimi rajonal është edhe si gur-themel i integrimit evropian apo çfarëdo integrimi tjetër, është pikërisht aty ku fillon çdo gjë dhe mbi të cilën ndërtohet çdo gjë. Prandaj është faktorë kyç për stabilitetin politik për siguri për prosperitet ekonomik dhe social”, – ka thënë Zbogar. “Ky bashkëpunim, – vijoi ai, – është katalizator për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndihmojë për tejkalimin e problemeve nga e kaluara”.

Bashkëpunimi rajonal është pjesë e politikave integruese evropiane. Në rastin e Kosovës, dialogu me Serbinë ka sjellë deri te një marrëveshje, sipas të cilës, Kosova përfaqësohet në nisma e konferenca rajonale, por përmes një fusnote poshtë emrit të saj.

Fusnota ishte pasojë e kundërshtimeve të vazhdueshme të Serbisë rreth pranisë së Kosovës të cilën nuk e njeh si shtet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency