Doris Pack: Politikanët të njohin rezultatin pas zgjedhjeve

0
142

Florenc Drizari

dorisEurodeputetja: Politikanët duhet të bëjnë, para së gjithash, zgjedhje të mira, të lira e të ndershme dhe ta pranojnë rezultatin e tyre.

 

Eurodeputetja Doris Pak i bën thirrje klasës politike shqiptare që të sigurojnë një proces me standarde të larta dhe në të njëjtën kohë të njohin rezultatin paszgjedhor. Ish-kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, theksoi se udhëheqësit e partive politike në Shqipëri të organizojnë zgjedhje të drejta e të pranojnë rezultatin e tyre ndërsa tërheq vëmendjen se retorika nacionaliste është e dëmshme në rastin e Shqipërisë.  “Përsa u përket zgjedhjeve, sigurisht që ne jemi shqetësuar, deri tani kemi folur  gjatë për problemet e tyre, por unë them se duhet të vazhdojmë ta bëjmë. u bëj thirrje të gjithë politikanëve, sidomos kryetarëve të partive, të sillen me të vërtetë si demokratë e evropianë. Ata duhet të bëjnë, para së gjithash, zgjedhje të mira, të lira e të ndershme dhe ta pranojnë rezultatin e tyre. Kjo është gjëja më e rëndësishme”- tha Pack. Sipas eurodeputetes politikanët nuk duhet të punojnë për partinë, por për votuesit e qytetarët në mënyrë që vendit të sigurojë integrimin në Bashkimin Evropian. “Jam prej shumë kohësh në politikë, herë në opozitë e herë në qeveri. I kam ndryshuar këto role vërtet shumë shpesh në jetën time. Por nuk kam punuar për partinë, kam punuar për të bërë më të mirën për zgjedhësit e mi, për qytetarët gjermanë, që më kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar. Ideja ime është se nëse mendon të zgjidhesh, kjo do të thotë se njerëzit të mbështesin për të punuar për ata, jo që të merret një post, por për t’i ndihmuar të kenë rrugë të mira, të kenë edukimin e duhur për fëmijët, për t’i zgjidhur atyre problemet që kanë. Dhe kjo gjë pritet të bëhet jo vetëm për shqiptarët,  por për të gjithë evropianët, sidomos kur synon të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian”- tha Pack.
|Gjithashtu eurodeputetja nuk la pa përmendur edhe debatet për retorikat nacionalistë mes disa prej liderëve politik në vendin tonë. Sipas saj Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën e integrimit evropian dhe deklarata të tilla janë të panevojshme.
“Sigurisht që edhe unë jam e shqetësuar dhe nuk arrij ta kuptoj këtë. Kanë kaluar, të paktën, njëzet vjet dhe nuk është dëgjuar të flitet për këtë retorikë nacionaliste. Asnjëherë. Unë kam menduar se kjo nuk do të ndodhte asnjëherë në Shqipëri. Kurse po ndodh tani, njëzet vjet më vonë, kur vendi është futur në rrugën e integrimit evropian. Kjo retorikë nuk është e dobishme. Shumë njerëz jashtë Shqipërisë nuk arrijnë ta kuptojnë  këtë. Për dikë kjo mund të jetë me përfitime, por jo për Shqipërinë. Asnjë vend anëtar  i BE-së nuk duhet të përdor retorikë nacionaliste”- tha Pack.

Politikanët europianë në Bruksel vlerësojnë përkrahjen e fuqishme që qytetarët shqiptarë i japin integrimit evropian të vendit e i bëjnë thirrje drejtuesve të politikës t’i përgjigjen këtij vullneti të përgjithshëm. Pas mungësës së gjetjes së një konsensusi mes palëve për votimit e tri ligjeve të integrimit, moment kyç për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian mbeten zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, nga ku pritet të varet edhe fati statusit të vendit kandidat për në BE.

 

 

 

 

Rama prezanton Evis Kushin si kandidate për Elbasanin

Kreu i PS-së Edi Rama si çdo të dielë vazhdon prezantimin e kandidatëve të PS-së në listat e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Nga qyteti i Elbasanit, kryesocialisti Rama tha një ditë më parë se angazhimi i dekanes së fakultetit ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Evis Kushi në PS është një shembull i shkëlqyer për botën akademike për tu përfshirë në programin për një “Rilindje Shqiptare” Rama gjithashtu theksoi se PS-ja ka programin më të qartë që e bën të qartë zgjedhjen e shqiptarëve më 23 qershor. “Kemi pas asnjë dyshim programin më të detajuar qeverisës. Kemi programin e vetëm për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për ta rilindur vendin tonë. Kemi programin që e bën më të qartë zgjedhjen e shqiptarëve, mes rrënimit të mëtejshëm apo për një rilindje shqiptare, mes shqipërisë që sakatohet përditë dhe ku vijnë mbetje të shumta dhe një Shqipërie të pastër ku pasuritë kombëtare mbrohen” tha Rama. Ndërsa dekania Evis Kushi është shprehur se do të angazhohet që të japë kontributin e saj në fitoren e 23 qershorit. “Jam përpjekur të jap kotributin tim në Fakultetin Ekonomik. Sot jam shumë e lumtur që PS më jep mundësinë që ky kontribut të jetë më shumë se sa kaq. Kontributi do të jetë për Universitetin dhe qytetin tim, Elbasanin. I kam qëndruar larg politikës, për shkak të problematikave që ka shfaqur, apo paragjykimeve që opinioni publik ka për klasën politike në Shqipëri. Sot jam e bindur që nuk duhet të tërhiqem. Duhet që patjetër që me anë të politikës dhe sidomos me anë të alternativës së PS të japim një kontribut të madh, me besimin e patundur në fitoren e 23 qershorit”- u deklaroi Evish Kushi.

PD, Alolli: Rama ofendoi të gjitha gratë dhe infermieret shqiptare në 5 sekonda

Partia Demokratike reagoi dje lidhur me disa deklarata të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama të bëra dy ditë më parë për gjendjen e mjekësisë në vendin tonë. “Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, ofendon në 5 sekonda çdo grua dhe çdo infermiere shqiptare”,- tha dje në një deklaratë për shtyp, Ledina Alolli, deputete e Partisë Demokratike. Alolli duke reaguar ndaj akuzave të lëshuara nga kreu i selisë rozë një ditë më parë, theksoi se “dje, Rama korri një rezultat të rrallë, ai ofendoi çdo grua dhe çdo infermiere shqiptare në 5 sekonda, duke thënë se “burrat duhet të marrin gratë me vete në spital për t’i mbrojtur ata nga infermieret”. Për t’i mbrojtur nga infermieret?! A mendon seriozisht Rama se infermieret janë më të fokusuara në vjedhjen e burrave, se sa në trajtimin e pacientëve?”. A mendon vërtet Rama se infermieret e trajtojnë spitalin si një shërbim për takime e njohje dhe jo si një vend pune?”, pyeti ironikisht Alolli. Sipas saj, ky Edi Rama është i njëjti person, që detyroi deputetët e tij të votojnë kundër dyfishimit të pagës së infermiereve. Dhe i njëjti Edi Ramë që i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit të ndërtimit dhe riparimit të 400 spitaleve dhe qendrave shëndetësore. “Dhe tani, shtoi ajo, është krejtësisht e qartë, se z.Rama nuk e ka idenë fare se çfarë bëjnë infermieret. Ne e dimë se infermieret punojnë shumë çdo ditë për të ofruar kujdes për pacientët e tyre dhe ne jemi të fokusuar të ndihmojmë infermieret për të përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe jo t’i përdorim ato si pjesë të një shakaje të keqe elektorale”, përfundoi Ledina Alolli, deputete e Partisë Demokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency