Jo dënimit me vdekje Berisha: Sterilizim për pedofilët, masa të rrepta në Kodin Penal

0
227

Ina Jano

berisha.Kryeministri: Shqipëria, anëtare e KE-së, nuk lejohet dënimi me vdekje. Nuk respektohet Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut

 

Kryeministri Berisha, nga mbledhja e qeverisë e ditës së djeshme, u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre të cilët gjithë këto ditë ishin duke qarkulluar mendimin se duhet të kishte rikthim të dënimit me vdekje. Kreu i mazhorancës është shprehur se nuk do të ketë një ndërmarrje të tillë, duke shpjeguar edhe se Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe heqja e dënimit me vdekje është një kusht i pranuar paraprakisht. Por ndërkohë që u dha fund këtyre zërave, kryetari i ekzekutivit pohoi se do të ketë një projektligj, i cili do të sanksionojë masa më të rrepta për gjithë këtë kategori. Berisha tha se sterilizimi kimik është një mundësi e cila është duke u menduar që të përfshihet në Kodin Penal dhe është duke u shqyrtuar. “I siguroj qytetarët që do të bëhet gjithçka për përgjigjen më të merituar kriminalitetit, krimit dhe veprave penale të cilat janë me të vërtetë jashtëzakonisht të rënda dhe serioze. Duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga një traditë mesjetare e gjakmarrjes. Duhet të ndahemi, duhet të largohemi me shpejtësi se asnjëherë nuk ka qenë në traditë vrasja e gruas. Kjo vepër ka qenë e ndaluar në kodin dhe në moralin e shqiptarëve. Por kjo shfaqe duhet të marrë përgjigjen e merituar. Pedofilia duhet të marrë ndëshkimet më madhore, por edhe ata që nuk qëndrojnë dot duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Janë jo në vitin 900, por 2-3 vjet më parë janë propozuar metoda shumë të veçanta qëndrimi ndaj pedofilëve deri në sterilizimin e tyre kimik, ç’ka e vërteta është se ne edhe në këtë paketë do të shprehim të gjithë qëndrimet, por masa ndaj dhunës dhe krimeve të shëmtuara ndaj fëmijëve do të njohin një rreptësi shumë më të madhe”, – tha Berisha. Kjo paketë shkëput Kodin dhe Procedurën Penale nga disa praktika më të buta të mëparshme, duke i dhënë përgjigje ligjore më të përshtatshme disa fenomeneve dhe shfaqjeve të kriminalitetit. “Në këtë paketë ligjore parashihen ndryshime në kohën ose afatin e dënimeve maksimale, përveç dënimit përjetë, që është dënimi më maksimal dhe mbetet, por vitet nga 25 shkojnë në 40, nga 20 në 28, pra afatet ligjore të dënimeve”, – sqaroi Kryeministri. Ky i fundit bëri të ditur se ndëshkime shumë më te rrepta do të meritojnë dhuna ndaj fëmijëve, e gruas por edhe vrasja e policëve si dhe gjakmarrja. Berisha ishte i ashpër dhe u ktheu një përgjigje të prerë të gjithë atyre të cilët deri më tani kanë përdorur shprehje të tilla, si “mori fund shoqëria” apo “mori fund shteti”. Për kreun e mazhorancës këto janë deklarata totalisht të papërgjegjshme. “Një shtet i cili ka shkallën më të lartë të zbulimit, një shtet i cili ka shkallën më të lartë të ndëshkimit në përputhje me ligjin, dëshmon para qytetarëve të vet se ligji funksionon”. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi punën e organeve policisë në zbulimin dhe kapjen në kohë të autorëve, duke theksuar se këto organe dëshmojnë transparencën më të plotë dhe shkallën e zbulimin më të lartë, në realizimin e misionit të tyre.

 

Bregu: Koha që opozita të kthejë fjalët në vepra, votë për Kodin Penal

Ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, ka reaguar në rrjetin social Facebook për miratimin e Kodit Penal. Ajo i ka bërë thirrje opozitës që të votojë të gjitha ligjet për ndryshimet në kod të cilat do të kalojnë pas disa ditësh në Parlament. “Kodi kërkon votën me 3/5-at në Parlament. A do ta votojë opozita paketën e ashpërsimit të dënimeve ndaj çdo keqbërësi të shoqërisë?! Apo do të vazhdojnë të flasin vetëm me slogane e fjalë kundër krimit e kriminelëve? E falënderoj edhe një herë ministrin Halimi që përfshiu në këtë paketë 8 propozimet që i përcolla, për dënime më të rënda për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë fizike e psikologjike ndaj asaj që na dhemb më shumë: familjes, nënës, motrës, fëmijës… Në këtë projektligj krimi makabër i pedofilisë, kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur e që s’kanë mbushur 14 vjeç, dënohej me burgim nga 7-15 vjet. Me votimin e këtij kodi bëhet nga 28-40 vjet deri në burgim të përjetshëm. Për monstrat ka vetëm një dënim: më maksimalin që njeh ligji ynë. Ftoj opozitën të mos e bllokojë edhe këtë herë votimin e kësaj pakete ligjore, që është përgjigjja më e ashpër ndaj krimit e dhunës! Ftoj prokurorë e gjyqtarë të zbatojnë me forcë këtë Kod Penal, sapo të hyjë në fuqi!”, – shprehet zëdhënësja e qeverisë, Bregu.

 

 

Kryeministri: Energjia e rinovueshme, prioritet edhe në mandatin e ardhshëm

Duke folur për një nga projektligjet më të rëndësishme të mbledhjes së djeshme, shefi i qeverisë u shpreh se energjia e rinovueshme do të jetë një nga prioritetet e qeverisë, që për më tepër synon edhe të dyfishojë numrin e vendeve të punës. Nga mbledhja e kabinetit që drejton kreu i mazhorancës theksoi se ndërtimi i HEC-ve është një proces i cili gjeneron me mijëra vende pune, ashtu siç është faktuar nga viti 2007 e deri më sot, kohë në të cilën qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve, në mbarë vendin. “Unë mund tu them se gjatë këtyre viteve janë punësuar dhe paguar rreth 50 mijë punonjës, inxhinierë, teknikë dhe punonjës të tjerë në fushën e studimit, projektimit dhe me gjerë. Dhe këto HEC-e kanë punësuar shqiptarë në zona më të varfra të vendit, nga Vithkuqi, në Martanesh, në Lurë, në Luginën e Drinit dhe kudo në Dardhë, pra në zona nga më të thellat.” u shpreh Kryeministri. Ky i fundit bëri të ditur se me kaskadën e Devollit, do të punësohen së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë, duke e bërë atë veprën më gjigante në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Berisha theksoi se me nisjen vitin e ardhshëm, të dy projekteve gjigante, kaskadës së Devollit dhe gazsjellësi TAP, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi qeveria parashikon të dyfishojë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve. Kryeministri gjithashtu theksoi se në çdo sektor do të ketë rritje të punësimit, të cilat do të jenë të përllogaritura mbi baza realiste dhe terma konkrete.

 

 

Programi “Një ditë lider”, Berisha të rinjve: Jeni të gjithë liderë

Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetin dedikuar edukimit të të rinjve për gatishmëri dhe aftësim në punë “Drejtues për një ditë, drejtues të së ardhmes”, një nismë e programit Junior Achievement (Arritja Rinore). Berisha falënderoi fondin shqiptaro-amerikan të ndërmarrjeve, presidentin e tij, bordin e këtij fondi, të cilët janë iniciatorë kryesore të implementimit të praktikës amerikane në Shqipëri. “Sot në Kryeministri unë kam pritur dy anëtarë të rrjetit tuaj që ju kanë përfaqësuar juve me dinjitet të madh”, – tha Berisha. Duke iu drejtuar nxënësve të shkollave të mesme, Berisha shtoi: “Guximi juaj është besim i merituar tek vetvetja. Në lidership guximi është kusht themelor pa të cilin nuk frymëzoni dot njeri. Misioni i liderit është të frymëzojë ekipin e tij. Lideri udhëheq me shembullin personal, guximi është njëra anë, përkushtimi është i domosdoshëm. Ti mund të jesh një udhërrëfyes shumë i mirë me një kusht që të pranosh punën në ekip”. Kreu i qeverisë nënvizoi edhe njëherë se qeveria e tij, do bëj gjithçka për të garantuar punësimin e të rinjve. “Nuk ka më të rëndësishme se sa angazhimi i të rinjve në sipërmarrjen e lirë. Do bëjmë një ligj që të heqë për çdo të ri të punësuar taksat për tre vjet”, shtoi ai. Ndër të tjera Berisha tha se të gjithë janë lider të merituar. “Le ta vazhdojmë së bashku këtë nismë, nuk do jeni më 7100, do ta shtrijmë këtë kurrikul në të gjitha shkollat e vendit. Të gjithë jeni liderë të merituar”, – përfundoi shefi i mazhorancës. Ndërsa ai u shpreh edhe në mbledhjen e qeverisë se programi për punësimin do të jetë një nga më të rëndësishmit, në këto zgjedhje, program që do të fillojë të zbulohet pak nga pak.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency