Skandali me OJF-të KQZ: 54 organizata vetëm për mediat, 40 prej tyre pa adresë!

0
206

Florenc Drizari

lefteriKQZ publikon kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Monitorues të Medias

 

Në Shqipëri rezultojnë 54 organizata jofitimprurëse për mediat, por vetëm 14 prej tyre kanë adresë. Pamundësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ngritur Bordin Drejtues të Monitorimit të Medias për fushatën zgjedhore që po afrohet, ka nxjerrë në pah jo vetëm një numër të konsiderueshëm organizatash jofitimprurëse që operojnë në fushën e Medias, por edhe mungesën e vend ndodhjes së tyre. Për këtë KQZ i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës numrin e saktë të OJF-ve që operojnë në vendin tonë për fushën e medias, dhe pasi gjykata i dorëzoi komisionit listën prej 54 organizatash të regjistruara me vendim gjyqësor, KQZ-ja vendosi t’i njoftojë këto organizma për krijimin e bordit drejtues të medias me anë të Postës Shqiptare. Por kjo e fundit në pamundësi për të gjetur saktë vend ndodhjen e OJF-ve, ka njoftuar KQZ për mungesën e lajmërimit të subjekteve të kërkuara. “Nga 54 organizata 40 prej tyre sipas përgjigjes nga Posta Shqiptare nuk e kanë marrë njoftimin e KQZ-së arsye të largimit të subjektit/ subjekti është i panjohur/ adresë e gabuar/ nuk njihet/ adresë e pamjaftueshme”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Ndërkaq, administrata me e lartë e administrimit zgjedhor në vend, ka vendosur që të bëjë njoftimin e këtyre organizatave jofitimprurëse nëpërmjet mediave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën me dije se është i angazhuar të ngrejë Bordin e Monitorimit të Medias i cili do të monitorojë fushatën zgjedhore. Në zbatim të nenit 85 të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, listën e organizatave jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias nga ku rezultojnë 54 organizata të regjistruara. Pas njoftimeve të këtyre organizatave sipas emrit dhe adresës të përcaktuar në vendimin e regjistrimit në gjykatë, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me anë të postës, për njoftimin e tyre që të sjellin propozimet për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias ngre shqetësimin se një pjesë e organizatave jofitimprurëse nuk e kanë marrë njoftimin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pamundësi të komunikimit shkresor me këto organizata ju bën thirrje me anë të kësaj deklarate për shtyp që të gjitha organizatat jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias, të sjellin pranë KQZ-së propozimet e tyre për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias sa më shpejt mbi bazën e këtyre kritereve të përcaktuara në Rregulloren “Për përbërjen, mënyrën e ngritjes dhe të funksionimit si dhe procedurat që ndjek Bordi i Monitorimit të Medias”.

 

 

Kriteret e anëtarëve të BMM

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se anëtarët e Bordit Monitorues të Medias pranë KQZ-së, duhet të plotësojnë këto kritere:

a) Të jenë me arsim të lartë;
b) Të kenë përvojë pune, si gazetarë, jo më pak se tre vjet në median vizive ose atë të shkruar apo të jenë analistë ose studiues të mediave;
c) Të mos jenë dënuar për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) Të mos kenë qenë anëtar të forumeve drejtuese të partive politike ne 3 vitet e fundit.

 

 

Krijimi i BMM sipas Kodit Zgjedhor

Sipas nenit 85 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar në 2012-ën, krijimi i Bordit Monitorues të Medias nga KQZ-ja, bëhet 40 ditë përpara fillimit të fushatës zgjedhore. KQZ ngre Bordin e Monitorimit të Medias, i cili ka për detyrë monitorimin e zbatimit të dispozitave të këtij Kodi për fushatën zgjedhore në radion dhe televizionin publik dhe ato private.
“Bordi i paraqet KQZ-së çdo ditë raport për përfundimet e monitorimit për ditën pararendëse. Raporti shoqërohet, sipas rastit, me propozimet për masa administrative. Bordi kolegjialisht ose secili nga anëtarët e tij ka të drejtë të propozojë marrjen e masave administrative. Monitoruesit vendorë raportojnë përpara KZAZ-së ku janë vendosur. Kopja e raportit, së bashku me opinionin e KZAZ-së, i dërgohet menjëherë Bordit të Monitorimit të Medies dhe bëhet pjesë e raportit ditor për KQZ-në. Bordi i Monitorimit të Medias përbëhet nga 7 anëtarë. Secili nga anëtarët e KQZ-së cakton një anëtar të Bordit të Monitorimit të Medias nga lista e propozuar nga organizatat jofitimprurëse kombëtare të mediave, sipas procedurës së mëposhtme”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

 

 

Zgjedhjet, Meta: LSI kërkon të përmirësojë qeverisjen

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në prag të zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit, vlerëson se është ende herët të flitet për koalicione zgjedhore, duke sqaruar se qytetarët nuk votojnë koalicionin, por forcën politike. “LSI është forcë konstruktive që punon për stabilitetin dhe integrimin. LSI ka filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të konfliktit. LSI kërkon të përmirësojë qeverisjen”, – shprehet Meta. Nga Berati, ku zhvilloi takimin elektoral të radhës, Meta në një prononcim për “News 24” shprehet i bindur për fitoren e LSI në këtë qytet, teksa shton se rezultati do jetë pozitiv dhe më i mirë nga të gjitha zgjedhjet.

 

Medalje edhe nga ministrat, Fino: Të propozojnë edhe vendorët me kryetarët e partive

Projektligji i ri për medaljet parashikon se dhënia e tyre nuk do të jetë më ekskluzivitet i Presidentit, por edhe i Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe ministrave. Drafti i qeverisë i heq shoqërisë civile të drejtën të propozojë emra për t’u dekoruar apo marrë tituj nderi. Propozimet mund të vijnë këtej e tutje vetëm nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat apo dhe krerët e gjykatave dhe të Akademisë së Shkencave. Socialistët në komisionin e ligjeve kërkuan që në këtë listë të përfshihen dhe kryetarët e partive, kërkesë e cila nuk u pranua. “Mos keni harruar me vetëdije drejtuesit te pushtetit vendor që mund të bëjnë propozime pranë Presidentit për të dhënë dekorata. Është shumë e domosdoshme që të vihet dhe kjo. Mos duhet bërë në këtë projektligj edhe propozimi që mund të bëjnë kryetarët e partive politike të cilat janë një aset i rëndësishëm në Shqipëri, sepse nga ato dalin të gjitha, President, prokuror etj.”, – u shpreh deputeti socialist Bashkim Fino. Nga ana tjetër dekoratat dhe titujt e nderit do të vijojnë të mbeten ekskluzivitet i Presidentit, pasi konsiderohen si shpërblim për akte të veçanta merite apo trimërie ndaj kombit shqiptar dhe interesave të tij. Ligji parashikon dhe njohjen e titujve dhe dekoratave të dhënë në kohën e komunizmit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency