Perandoria e librit

0
138

Lindita Arapi

ali pashaLetërsia shqipe u prezantua në Panairin e Librit në Lajpcig me autorë nga Shqipëria e Kosova. Ata ishin pjesë e familjes së madhe të më shumë se 40 shkrimtarëve nga Juglindja e Evropës në këtë event të botës së librit. “Dielli i dytë” ishte lirika që i kushtoi poetit Visar Zhiti dhjetë vite burg në kohën e diktaturës në Shqipëri. Asokohe i vetmi diell që duhej të ndriçonte ishte ai i Partisë së Punës. Poeti përmend akuzën: Përmes një dielli të dytë, Visar Zhiti aludon për një parti tjetër, pra për pluralizmin politik në Shqipëri. U desh të kalojnë disa dekada që pikërisht kjo poezi t’i dhurojë poetit duartrokitjen e zgjatur të publikut gjerman në Panairin Ndërkombëtar të Librit (14.3.2013 – 17.3.2013) në Lajpcig. Me gjithë temperaturat minus, shkrimtarët e botuesit shqiptarë erdhën me ndihmën e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Lajpcig. Stenda shqiptare që mund të kishte mbajtur shumë më tepër libra sesa kishte nga autorë shqiptarë bashkoi studiuesin e njohur Artan Fuga, poeten e re Alma Papamihali, Visar Zhitin, shtëpitë botuese “Papirus” dhe “Gjergj Fishta”, por edhe shkrimtarët nga Kosova Jeton Neziraj e Blerina Rogova – Raxha. Edhe shkrimtari Beqë Cufaj, që jeton në Gjermani, por që në veprat e tij gjithmonë ndërlidh dy botët, atë të Kosovës me Gjermaninë, ishte i ftuar i panairit. Me romanin e tij të dytë “project@party”, Cufaj tërhoqi edhe më shumë vëmendjen e publikut gjerman gjatë ditëve të panairit.

Familja ballkanike e shkrimtarëve

Autorët dhe botuesit shqiptarë ishin pjesë e familjes së madhe të më shumë se 40 shkrimtarëve nga Juglindja e Evropës, nga Sllovenia në Bullgari, nga Rumania deri në Bosnje e Mal të Zi. Leximet autoriale, debatet, bisedat e shkëmbimet mes autorëve dhe shtëpive botuese, por edhe filmi, muzika, Nata e Adriatikut dhe ajo Ballkanike ishin pjesë e një programi të ngjeshur të rrjetit “Traduki”, partner zyrtar i Panairit të Lajpcigut. Në fokus sivjet – vendi që do ta pasurojë BE-në nga 1. Korriku me 1.000 ishujt e tij, Kroacia. Programi i posaçëm, “Kroacia kreative” solli para publikut gjerman kulturën e sotme kroate, me vetëdijen e një trashëgimie kulturore të pasur, por edhe vetëkritike e eksperimentuese.

 

“Dëshirë për bashkëjetesë e integrim evropian”

Studiuesi i njohur Artan Fuga, krenar që u ka shpjeguar për herë të parë studentëve shqiptarë filozofët e njohur gjermanë, Kantin e Hegelin, ndien në Lajpcig erën e re që po fryn mes vendeve të Evropës Juglindore. “Një trevë e gjerë kulturash me origjina shumëkulturore, shumëfetare, histori politike, identitete territoriale e pjesëmarrëse në perandori të ndryshme, por të gjitha me një dëshirë për bashkëjetesë e integrim evropian”. Artan Fuga, i njohur me librin e tij “Rënia e qytetit”, libri i vitit në Panairin e Tiranës 2012, në një forum diskutimi me autorë të tjerë ballkanikë theksoi vështirësitë e urbanizimit të sotëm shqiptar, por edhe rolin emancipues që ka pasur në këto vite eksodi rural brenda shqiptar.

 

“Atdheu në valixhe”

Ndërsa shkrimtari dhe dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj prezantoi botimin në gjermanisht të librit “Atdheu në valixhe” i botuar në 2007 në Kosovë, me bashkautor historianin e ri Timon Perabo, një përmbledhje rrëfimesh të emigrantëve nga Kosova në Gjermani. “Mall në valixhe” – titulli në gjermanisht – nuk është thjesht një historik i vogël i emigracionit kosovar, ai është më shumë – një pasqyrë tronditëse e sfidës së emigracionit, duke filluar nga konfliktet që shoqërojnë jetën e emigrantit që mbart me vete modelin e jetës arkaike në botën moderne, deri tek paragjykimet që përballet ai në vendin mikpritës. Jeton Neziraj shpjegon nevojën e botimit në gjermanisht të “Atdheut në valixhe”. “Ka pasur interesim që ai libër të botohet. Këto janë tregime të emigrantëve kosovarë në Gjermani. Dy perspektiva: Si e shohin ata jetën në Gjermani, por si e shohin jetën në Gjermani këta emigrantë. Të dyja palët perspektivat i kanë të bazuara në shumë stereotipa”.

 

“Perandoria e librit”

Krahas Jeton Nezirajt, një zë i ri i poezisë kosovare tërhoqi për herë të dytë vëmendjen në Lajpcig. Blerina Rogova – Raxha, me një gjuhë të guximshme dhe ekstravagante ajo kritikon problemet sociale në Kosovën e paspavarësisë. Megjithëse e vetëdijshme se po shkel territore të rrezikshme, Rogova nuk do t’i mbulojë plagët e vendlindjes, korrupsionin, keqqeverisjen, gjendjen e vështirë sociale derisa ato të shërohen. Arma e saj nuk është vetëm gazetaria, por edhe poezia.

Panairi i Lajpcigut 2013 – ishte një festë e vërtetë shumëngjyrëshe e librit, me stenda pafund, një lumë njerëzish që këtë vit të përmbyste dhe me forume diskutimi e lexime autoriale nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ishte ky intensitet që la impresione tek poeti Visar Zhiti, i cili e vizitoi për herë të parë Lajpcigun. “Më duket sikur jam në perandorinë e librit. Ka gjallëri, lexues të të gjitha moshave, të interesuar. Në fakt këtu gjendet edhe tjetri, këtu vjen kultura e popujve të tjerë”.

Të tërheqësh lexuesit në një ansambël të tillë kaq gjigant nuk është e lehtë. Por me sa duket kur cilësia bëhet traditë, atëherë edhe lexuesit vijnë. Kjo ndodhi në të gjitha aktivitetet e rrjetit “Traduki” që prezantuan për katër ditë me radhë potencialin shumëkulturor të familjes ballkanike. Brenda kësaj familjeje të ftuarit nga Shqipëria e Kosova ditën të zinin vendin e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency