Durimi i ashpër s’ikte aq lehtë

0
160

durimiNjë ovalë lirikash që e kthejnë kontrastin e ndjesive në një pasqyrë fjalësh, të kulluara, burimore, zhdërvjelltësi stili; si imagjinatë e munguar poezitë e ardhura mbajnë kompleksitetin shpirtëror gjithnjë në kërkime të ashpra, që ngjisin realitetin poetik dhe i japin vlerë estetike mendimit dhe ndjenjës

 

 

FRANÇOIS VILLON (1431-1463)

BALADA E BLUASË

 

Ulur ndanë burimi etjen dot s’e shuaj,

ndanë një vatre eshtrat m’i përshkon acar,

në mëmëdheun tim ndjehem si i huaj,

rrethuar nga gjindje, askush nuk ma var,

trashëgimi lakmoj, ndonëse jam qyqar,

ndonëse i brengosur, sajoj ndonjë hokë,

me mendje shoh dritë, terr me kokërdhokë,

dimrin ndjej në trup, ndonëse në shpirt pranverën,

nuk kam asnjë gram dhe ëndërroj me okë,

më ftojnë në gosti dhe nuk më hapin derën.

 

Ç’duket mëse qartë, unë mezi e shquaj,

ç’është e padyshimtë, më bën dyshimtar,

gjënë mëse të thjeshtë e pleqëroj një muaj,

gjënë e ndërlikuar s’e vë në kandar,

fitoj një kacidhe dhe humbas thesar,

në të aguar them «mbrëmani, o shokë»,

se fluturoj pandeh, kur shtrihem përtokë,

korr gjithnjë stuhinë, dhe pse nuk mbjell erën,

ndjehem pasanik, sa herë që mbetem trokë,

më ftojnë në gosti dhe nuk më hapin derën.

 

Kokëçarje nuk kam, por prapë mendime bluaj

sesi të përfitoj prej punësh pa qar,

kush më thur lëvdata, më fyen pothuaj,

çdo njeri i çiltër më ngjan gënjeshtar,

unë rrenë e të vërtetë i shoh barabar,

nga gjithë njerëzia, mik e bëj për kokë

veç atë që mjellmën e beson stërqokë,

kur më pihet verë, kam gotën, jo verën,

kur lutem për diell, hedh dëbora flokë,

më ftojnë në gosti dhe nuk më hapin derën.

 

Princ i mëshirshëm, ti që gjykon me qokë,

çka zemra më ndjen, s’mund truri të ma rrokë,

porse ligjit ia njoh peshën edhe vlerën,

nuk kërkoj prej teje veçse një copë tokë,

më ftojnë në gosti dhe nuk më hapin derën.

Përktheu: Romeo Çollaku

 

 

***

Ndoc Gjetja

DASHURISË

 

O perëndeshë e gjithëpushtetshme

e universit mashkull-femër!

Bëj ç’të duash me veten time

jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhembje

dhe shqetësime pa mbarim

po s’jam ankuar kundër teje

as me gojë e as me shkrim.

 

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem

gjersa në botë të jem i gjallë

ndën pushtetin tënd të përbotshëm

më pëlqen të jem skllav

 

Ma ktheve gjuhën në përçartje

më bëre plak me shpirt fëmijë

herë më hodhe qefinin krahëve

herë më ngrite gjer në yje.

 

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!

Më hidh në baltë, më hidh në hon!

Veç të lutem mos më lër…

në atë vend ku ti mungon.

 

 

***

 

MUHAMET ADEMI

Pranë shtratit

 

Në dhomën e mkatit,

pranë shtratit

frushulloi fustani

e ra pa jehonë,

si pika e gjakut

prej plagës së njomë.

Bardhësia e shtratit

rri në vorbullën e mkatit.

N’pasqyrë u fiksuem

lavirë cullake,

të dy në fytyrë u zbemë.

Shpirtënt tonë s’u pushtuen,

mishrat tonë u shkrumuen,

Vrag tretme e u mekue.

1943

 

***

 

Hesht,

Mos fol, mikeshë!

Ndër buzët tona,

Fjalët kanë jehona

që t’shastisin.

 

Hesht,

mikesha ime!

Gjethet shushurisin,

Buzët tona murmurisin

të përjetshmen melodi.

 

 

Shpeshtim

Durimi i ashpër s’ikte aq lehtë,

egërsohej edhe urrejtja,

por s’i mjekonte plagët

qe më forconin qëndresën.

 

Çdo gja vjetrohej:

edhe hapat e përqafimet,

grusht mblidheshin gishtat

e goditnin gabimet e mia.

 

Shpresa e besimi, të gënjyem,

lehtë gjunjëzoheshin

e binin në laqe.

 

Boshllëku u zëvendsue

për aq e kaq vite

me gënjeshtra, mashtrime.

 

***

 

ALI ASLLANI

Do t’i shtrydh të dy sytë

 

Un’ jam un’, saksi e vjetër!

Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër

Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa

dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

 

Nëpër vapëz i dhash’ hijem nëpër hije er’ e shije

i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie

gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije

ar’ e diellit me tallaze, ar’ e hënës fije-fije

dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

 

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,

syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?

Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj

edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

 

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,

dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër

plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

 

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë

i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’

i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr

që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’

këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj

do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurma të asaj!

 

***

 

Lasgush Poradeci

Kujtimi

 

Edhe në mungove,

Edhe në ndryshove,

Edhe në dredhove,

Në më gjarpërove:

 

Kujt ja dhè mungimin?

Kujt ja dhè ndryshimin?

Kujt ja dhe dredhimin?

Ku ja gjarpërimin?

 

Mungime-e ndryshime,

Mungime-e dredhime,

Dh’ato gjarpërime-

Hon për zemrën t’ime.

 

Zemr’ e mall i parë,

Zemërëz’ e vrarë

Kujton dyke qarë,

Pushton me llaftarë

Lulen e pavdarë,

Trupin e pangarë.

 

Pa ri pshoj qetuar

Dyke ëndëruar

Ndaj po puth nër duar-

Si ndaj koh’ e shkuar-

 

Fort i dëshëruar,

Fort i dhëmshëruar,

Fort i lumtëruar,

Ballin dritë-qëruar

Syrin qjell-kulluar,

Gjirin-vajzëruar,

Trupin-qumështuar

 

 

Dëgjimi i Zemrës

 

Kur të më kujtosh,

Kur të vish të shkosh,

Kur të shkosh këtejza pranë

Që të çmallërosh

 

Ç’po dëgjon kur shkon?

Kur vjen e përgjon?

Ç’përgjon zemra në kët’anë

Fund në këtë hon?

 

Zemra jote sot,

Zemra jote mot,

sot e mot në ç’mallërime

Zemra që s’fle dot

 

Seç të ndjen këtaj,

Seç të ndjen pastaj,

Seç dëgjon ndaj vetes s’ime

(Si ndaj vet’e saj):

 

Mall e vrer që mbaj

Qaj, moj zemër, qaj.

 

Vrer e mall që flas

Plas, moj zemër, plas.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency