Akti terrorist ndaj shtyllave të tensionit, 62 vjet burg grupit kriminal

0
150

Sonja Caka

shtyllate tensionitApeli lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Prokuroria: Të pandehurit rrezikuan kolapsin energjetik

 

Një vit më parë rrezikuan kolapsin energjetik në vend, pasi kishin montuar kallëpe tritoli poshtë dy shtyllave të tensionit të lartë në Balldren të Lezhës, të cilat shpërthyen pjesërisht. Nëse do arrinte të kishte një shpërthim total, ashtu sikundër ishte planifikuar nga grupi i të rinjve, atëherë vendin do e pushtonte një kolaps i vërtetë energjetik. Gjykata e Apelit ka vendosur dje të lërë në fuqi vendimin e kolegëve të Shkallës së Parë për grupin e të rinjve të pandehur, duke i dënuar përfundimisht me 42 vjet burg. Akuza që rëndon ndaj grupit të të rinjve nga Shkodra është për terrorizëm, pasi tentuan të lënë pa energji elektrike gjithë vendin në prag të festave të fundvitit të kaluar.

Vendimi

Sipas Gjykatës së Apelit, një ditë para ndërrimit të viteve 2011-2012, të akuzuarit e kësaj çështjeje tentuan të shpërthenin me tritol dy shtylla të tensionit të lartë në fshatin Balldren të rrethit Lezhë. Shtyllat pësuan dëme të pjesshme, por nuk u rrëzuan, pasi nuk shpërtheu i gjithë eksplozivi i montuar. Shkatërrimi i plotë i tyre do të sillte për pasojë zhytjen në errësirë totale të gjithë Shqipërisë dhe dëme shumë të rënda në ekonominë e vendit. Po sipas gjykatës, të pandehurit Mhill Thepi, Besmir Lugina, Xhevahir Lugina, Kastriot Gjeloshajt dhe Ernest Preçi shpallen fajtorë për kryerje të “Veprave penale për qëllime terroriste”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim nëpërmjet shkaktimit të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të rrjetit kombëtar, duke sjellë destabilizim serioz të strukturave ekonomike e sociale të shtetit shqiptar dhe dënimin e tyre me nga 15 vjet burg. Për të pandehurin Ernest Preçi u kërkua dënim me 2 vjet burg për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse”. Por, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, katër të pandehurve me masë dënimi nga 15 vjet u mbeten vetëm 10 vite burg dënim përfundimtar, ndërsa për të pandehurin Preçi, dënimi përfundimtar me 18 muaj burg. Sipas gjykatës, e cila u referohet hetimeve të akuzës dhe provave të sjella prej saj para gjykatës, identifikimi i të rinjve si autorë të dyshuar të vendosjes së lëndës plasëse në dy shtyllat e tensionit të lartë u realizua gjatë disa përgjimeve ambientale për llogari të një hetimi tjetër. Teksa ishin të dyshuar për disa vjedhje në Shkodër, dy prej të pandehurve diskutuan në lidhje me shpërthimin e shtyllave. Organi i akuzës nuk mundi të identifikojë organizatorin e shpërthimeve dhe për këtë vijon hetimi në një procedim të veçuar. Sipas gjykatës, pasi kanë montuar kallëpet e tritolit në dy shtyllat e tensionit, të pandehurit te njëra prej tyre kanë varur një flamur të Partisë Socialiste dhe te shtylla tjetër një flamur kombëtar.

Dënimet e gjykatës

Mhill Thepi dënohet me 15 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 10 vjet

Besmir Lugina dënohet me 15 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 10 vjet

Xhevahir Lugina dënohet me 15 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 10 vjet

Kastriot Gjeloshaj dënohet me 15 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 10 vjet

Ernest Preçi dënohet me 2 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 18 muaj

 

Masa

Përdhunoi 13-vjeçaren, “Arrest me burg” abuzuesit

Gjykata e Korçës la dje në burg 26-vjeçarin e akuzuar se ka përdhunuar një 13-vjeçare po nga ky qytet. I riu e ka mohuar akuzën me pretendimin se me vajzën kishin disa muaj lidhje dhe se ka shkuar me dëshirë me të. I akuzuari Nikolin Samara u arrestua të dielën, pas denoncimit që minorenia së bashku me familjen, i bënë në policinë e Korçës. Vajza ka pretenduar se forcërisht është dërguar në një shtëpi të braktisur në fshatin Mborje, ku dhe u përdhunua. I riu Samara i tha prokurorisë se ka pasur një lidhje sentimentale me vajzën dhe nuk e ka përdhunuar. Sipas tij, ai me vajzën kanë qenë të lidhur për një periudhë prej 11 muajsh. 13-vjeçarja M. Grazhdani ka rrëfyer në praninë e prindërve dhe një psikologu gjithë ngjarjen dhe ka akuzuar 26-vjeçarin Nikolin Samara se e ka përdhunuar për orë të tëra, duke e kërcënuar. Ndërkohë, që 26-vjeçari ka mohuar akuzat se vajza gënjen nga frika e prindërve dhe se kishin një lidhje prej 11 muajsh. Ekspertiza mjekësore nxori rezultatin se 13-vjeçarja është përdhunuar dhe se ka shenja të dukshme të keqtrajtimit të saj.

 

Gjyqi

Tërhiqet nga mbrojtja e Aldo Hoxhës avokati Qeleshi

Avokati i të pandehurit Aldo Hoxha është tërhequr dje nga mbrojtja e klientit të tij, duke detyruar trupin gjykues të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor për t’i caktuar një mbrojtës të akuzuarit. I pandehuri ka refuzuar të zgjedhë një tjetër avokat me pretendimin se nuk ka kryer krim dhe do mbrohet vetë, ndërsa ka shtyrë dëshminë e dëshmitares kyç të ngjarjes, motrës së viktimës Fatbardha Tafa, Lumturi Gjanës. Dëshmitarja ka qenë vetë e pranishme në gjykatë, por dëshmia e saj nuk u bë e mundur për shkak të tërheqjes së avokatit Arben Qeleshi. Gjykata ndërpreu seancën dhe caktoi një datë tjetër, ndërsa njoftoi se do t’i caktojë një tjetër mbrojtës të pandehurit Hoxha, nëse nuk do t’i zgjedhë një familja.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency