Taksat nga celulari, risia e reformës fiskale shqiptare. Si mund të paguhet nga banka dhe nga kompjuteri

0
152

taksatMjafton të kesh një telefonon (touch screen), sipas modelit Android, për të bërë të mundur si fillim shkarkimin e programit, për të pasur mundësi të shikosh nga celulari gjendjen e taksave, çfarë është paguar dhe kur duhet paguar

 

 

Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha përuroi shërbimet m-Tax dhe e-Pagesa, në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve, dy shërbime këto më inovativet në administratën shqiptare, në atë tatimore në veçanti.

Shërbimi m-Tax, taksat nga celulari, është aplikacioni i parë qeveritar për platformat celulare Apple (iPhone, iPad) dhe Android. Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 13 milionë lekë, me anë të të cilit çdo tatimpaguesi i mundësohet të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular, si dhe e ndihmon tatimpaguesin të deklarojë dhe paguajë në kohë detyrimet tatimore, pa qenë e nevojshme të paraqitet në sportelet e shërbimit të administratës. Në këtë mënyrë, reduktohen ndjeshëm kostot administrative të biznesit dhe krijohet sporteli i shërbimit Tatimor në dorën e tatimpaguesit.

Shërbimi i dytë është e-Pagesa, pagesa elektronike, është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 10 milion lekë. Sistemi i pagesës elektronike lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë për të realizuar pagesat nga biznesi, për llogari të administratës tatimore. Ky shërbim shkurton kohën që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, si dhe ul kostot administrative të tij, rrit transparencën dhe cilësinë e shërbimeve të administratës tatimore ndaj bizneseve.

Kryeministri Berisha u shpreh se me këto shërbime bëhet hapi i parë i madh drejt projektit të katër viteve që vijnë, projekt i cili do të konsistojë në m-Albania. “M-Albania, tha Kryeministri, – synon t’u japë në dorë, në celularin e tyre, qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të gjitha shërbimet e kësaj administrate, të gjithë informacionin që prodhon kjo administratë”.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që edhe doganat të adaptojnë me shpejtësi shërbimin e-Pagesa. “Unë i garantoj qytetarët se shërbimi e-Payment do të jetë një realitet i prekshëm nga të gjithë shqiptarët brenda vitit 2013”, – tha Kryeministri.

“Le të kalojmë ne gradualisht tek monedha elektronike. Është pa diskutim monedha më e pastër, më e sigurt, monedha më qytetare në kuptimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën për të kaluar në këtë monedhë, e cila do të çojë Shqipërinë dhe tregun në tërësi shumë më përpara”, – u shpreh Kryeministri Berisha.

Po çfarë të rejash presim nga aplikimi i “parasë elektronike”?

 

Fillimet

Në vitin 2007, për herë të parë, administrata tatimore nisi aplikimin e deklarimit të detyrimeve me anë të formatit elektronik. Fillimi ishte i vështirë. Kishte shumë skepticizëm. Në vitin e parë, ishin 900 subjekte që deklaruan online detyrimet tatimore, si TVSH, sigurimet, TAP-in, Tatimin mbi Fitimin etj. E cilësuar si e-Filing, ky sistem tashmë përdoret nga 125 mijë subjekte. Me kalimin e viteve, administrata tatimore investoi në forcimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave, duke futur në 2010-n, aplikimin e-Books (deklarimi elektronik i librave të shitje-blerjes).

Dhe kështu me radhë, deri te realizimi i aplikimeve të fundit, përtej imagjinatës së biznesit të para disa viteve, ku çdo veprim kryhej dorazi. Me pak fjalë, tatimet kanë mundur që nga telefoni celular të kontrollohet gjendja e situatës tatimore të subjektit, madje të paguhet, duke u lidhur direkt me bankën, nëse aty ka gjendje llogarie. Aktualisht janë dy banka, por po punohet për ta shtrirë shërbimin edhe te bankat e tjera. Në fillim sistemi bankar ishte skeptik, por së fundmi, po e kërkojnë të gjithë.

Lloji i celularit duhet të jetë i Apple dhe modelet Android.

Synimi është që biznesit t’i bëhet puna më e lehtë, pa kosto financiare dhe të kohës, ndërsa qeveria, nga ana tjetër, minimizon kontaktin e tatimorit me subjektin privat.

Me këto shërbime, me realizimin e tenderëve duke aplikuar online, madje duke parë edhe gjendjen/veprimet e thesarit të shtetit për shpenzimet e kryera, gjithnjë nga kompjuteri i zyrës, duhet thënë se ky sektor po ecën me ritme të shpejta. Natyrisht, këto hapa kërkojnë të njëjtin ritëm edhe për kapacitetin transmetues të internetit, ku duhet thënë se pavarësisht zhvillimeve me 3G, ende ka punë, pasi jo të gjithë e disponojnë për shkak të kostove të larta dhe mungesës së konkurrencës.

 

m-Tax (gjendja elektronike e taksave)

Mjafton të kesh një telefonon (touch screen), sipas modelit Android, për të bërë të mundur si fillim shkarkimin e programit, për të pasur mundësi të shikosh nga celulari gjendjen e taksave, çfarë është paguar, kur duhet paguar, etj.

Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 13 milionë lekë, me anë të të cilit çdo tatimpaguesi i mundësohet të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular, si dhe e ndihmon tatimpaguesin të deklarojë dhe të paguajë në kohë detyrimet tatimore, pa qenë e nevojshme të paraqitet në sportelet e shërbimit të administratës.

Çdo subjekt që do të realizojë veprime mbi gjendjen e taksave, natyrisht duhet të jetë i regjistruar në tatime, përmes NIPT-it që kanë dhe password-it. Më poshtë gjeni rrugën se si mund të realizohet ky aplikacion.

 

Procedura

Në fillim futesh te https://play.google.com për telefonat Android

Më pas kërkoni me emrin mTax (në kutinë search).

Nga lista që do t’ju shfaqet, selektoni programin (mTax) Tatimet e Mia.

Pastaj klikoni te butoni instalo.

Për të instaluar, duhet loguar në adresën email (sikurse ndodh me aplikacionet).

Më pas, do të keni të shkarkuar programin në telefonin tuaj, model Android.

 

E-pagesa (nga banka përmes celularit)

Ashtu siç mund të shikohet nga celulari gjendja e detyrimeve të paguara apo të papaguara, tashmë mund të kryhet edhe pagesa nga banka, aty ky subjekti ka gjendjen financiare. Edhe pagesa elektronike është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 10 milionë lekë. Duhet thënë se projektet e para janë financuar nga amerikanët e USAID. Sistemi i pagesës elektronike lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë për të realizuar pagesat nga biznesi, për llogari të administratës tatimore.

 

Procedura

Futesh në faqen e internetit www.tatime.gov.al

Kliko te rubrika tatimet e mia dhe pastaj lidhu (NIPT dhe password)

Do të shfaqen deklaratat elektronike.

Zgjidh njërën, pastaj shtyp butonin (sipër faqes së ueb) Paguaj.

Do të shfaqet një tabelë me bankën nga do të realizosh pagesën.

Shtyp butonin Tjetër, del një tabelë, ku duhet futur kodi Iban.

Me shtypjen sërish të butonit Tjetër, procedura mbyllet.

 

Doganat, ende “dorazi”

Nëse tatimet kanë avancuar duke i ofruar biznesit shërbimet e deklarimit përmes kompjuterit, pa qenë nevoja të shkosh në sportelet e kësaj drejtorie, ndryshe paraqitet situata te doganat. Të rëndësishme po aq sa tatimet, administrata doganore nuk ka ende një sistem deklarimi online, por punojnë me dërgimin e materialeve dorazi.

Ky fakt është pranuar me shqetësim edhe nga Kryeministri Sali Berisha, duke premtuar se edhe këtij institucioni do të vihet si detyrim modernizimi i shërbimeve.

“Doganat janë në shqyrtim dhe është e domosdoshme që të kalojmë edhe atje në e-Payment. Pra ky sistem i pagesës të adoptohet me shpejtësi edhe nga doganat”, – u shpreh Kryeministri.

Planet e qeverisë synojnë që brenda vitit 2013, pothuajse çdo shërbim do të ofrohet elektronikisht, natyrisht pasi të mbulohet i gjithë vendi me rrjetin e transmetimit me internet.

“Le të kalojmë gradualisht tek monedha elektronike. Është pa diskutim monedha më e pastër, më e sigurt, monedha më qytetare në kuptimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën për të kaluar në këtë monedhë, e cila do të çojë Shqipërinë dhe tregun në tërësi shumë më përpara”, u shpreh Berisha.

 

 

 

Programet

DEKLARATAT ELEKTRONIKE

 

  • e-Filing ka filluar zhvillimin në vitin 2007 duke i shërbyer 900 subjekteve. Sot ky sistem mund të përdoret nga 125,000 tatimpagues (përdorues) për të deklaruar elektronikisht. Ky sistem përdoret nga Biznesi për të deklaruar TVSH, SIG, TAP, TABV dhe TF. Ky projekt u financua nga USAID me programin “Sfida e Mijëvjeçarit”.
  • e-Books (deklarimi i librave të shitje-blerjes) është një nënsistem për deklarimin e librave të shitjes-blerjes elektronikisht. Ky projekt u financua nga buxheti i shtetit me vlerë 6 milionë lekë në vitin 2010.
  • e-Ledger është një nënsistem i cili përdoret nga bizneset për të parë transaksionet dhe situatën tatimore (për deklaratat, pagesat, borxhet etj.) Ky projekt u financua nga USAID me programin “Sfida e Mijëvjeçarit”.
  • TaxCRM është një modul i inkorporuar i eFiling, QKR Buffer dhe Sistemit të Integruar të Tatimeve. Ky modul është pika lidhëse biznes–administratë. Nëpërmjet këtij moduli regjistrohen rastet, ankesat, kërkesat dhe lëshohen vërtetimet e ndryshme. Ky projekt u financua nga USAID me programin “Sfida e Mijëvjeçarit”.
  • e-Payroll (deklarimi i listëpagesave elektronike) është një nën-sistem i cili përdoret për deklarimin elektronik të listëpagesave, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky projekt u financua nga buxheti i shtetit, 24 milionë lekë në 2011-ën.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency