Rama prezanton Celibashin si deputet në Fier, PD: Ai vodhi votat e Ngjelës në 2003

0
162

Gëzim Saliu

rama..Kreu i PS: Celibashi garantoi me ndershmëri rotacionin, ish-kreu i KQZ: Shembull për ndryshimin e politikës

 

Ish-kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u prezantua dje nga kreu socialist Edi Rama si prurja më e re në Partinë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. I zgjedhur si kandidat për deputetet në qarkun e Fierit, Celibashi u vlerësua nga kryesocialisti si personi që garantoi rotacionin e pushtetit ndershmërisht në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2005. “Skuadra jonë ngrihet mbi vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe të bashkuar me qëllimin e madh për të ‘Rilindur Shqipërinë’. Sot skuadrës sonë kombëtare për ‘Rilindjen e 23 qershorit’ i bashkohet njeriu që mbahet për garantimin me ndershmëri të të vetmit rotacion pa dhunë në vend, Ilirjan Celibashi. Jam i lumtur që pas thirrjes sime për 2 vite që t’i bashkohet dhe ai ma shprehu vetë vullnetin për t’u bashkuar, me ne. Ai është një shembull për faktin se ndër të tjera me 23 qershor shqiptarët do zgjedhin mes pushtetit të një njeriu të vetëm dhe një skuadre njerëzish që janë këtu jo për të fituar për të përfituar, por për të dhënë në rrugën e një fitoreje ku do fitojë çdo shqiptar pa dallim partie”, – u shpreh Rama. Nga ana e tij, kandidati për deputet Ilirjan Celibashi pohoi se angazhimi i tij do jetë shembull për politikën, e cila sipas ish-kreut të KQZ-së duhet të ndryshojë thellësisht. “Dua të përcjell me kandidimin tim mesazhin që qytetarët shqiptarë këtë radhë të mbështesin pa asnjë lloj ngurrimi alternativën e PS-së, pasi mendoj se kjo është alternativa më e mirë për të qeverisur Shqipërinë për 4 vite të ardhme. Kontributi mi do jetë modest, por besoj se të gjitha ata që shprehin nevojën që ky vend duhet të ndryshojë duhet të angazhohen politikisht. Angazhimi im në politik do jetë shembull që politika shqiptare nuk duhet të jetë një mjet dhe profesion që nuk siguron realizimin e interesave të ngushta të atij që merret me politik por mjeti për të ndryshuar shoqërinë njerëzore. Mendoj se politika në Shqipëri mund dhe duhet të ndryshojë”, – tha Celibashi.

 

Reagimi i PD-së

Partia Demokratike ka reaguar dje pasi kreu socialist Edi Rama prezantoi ish-kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, si deputetin socialist për qarkun e Fierit. Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi se ishte pikërisht Celibashi së bashku me Ramën ata të cilët i vodhën mandatin e kryebashkiakut të Tiranës Spartak Ngjelës në garën e lokaleve të vitit 2003. “Doli para mediave dhe njoftoi zëvendësimin e Gramoz Ruçit si kryelistë në qarkun e Fierit me ish-kryetarin e KQZ-së, famozin Ilirjan Celibashi me të cilin i vodhi mandatin Spartak Ngjelës, si rival që e kishte për kryetar bashkie”, – tha Vorpsi. Ndërkohë, PD me pretendimin se ka të dhëna për përfshirjen e ish-kryeprokurores Ina Rama dhe elementëve të dikurshëm të Policisë së Shtetit në listat e PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit, deklaroi se Rama po synon të përfshijë në politike botën e krimit dhe mbrojtësit e saj. “Burime nga selia “mavi” e partisë së re të Ramës bëjnë të ditur se këto ditë, Rama do të paraqesë kandidatë për deputete ish kryeprokuroren e Përgjithshme Ina Rama e cila e mbrojti atë si avokate, nga hetimi si kryeorganizatori i puçit të 21 Janarit. Listës së kandidatëve do t’i shtohet Dhori Sollaku me urdhër të prerë të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” që sundon mbi z. Rama. Kështu, me sa duket, partia e re e Edi Ramës përveç 99-shave dhe Mjaftucëve do përfaqësohet më shumë se kurrë nga bota e krimit dhe mbrojtësit e saj”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi.

 

 

 

Ina Rama: Jo politikës, do të mbetem prokurore

Ish-kryeprokurorja Ina Rama hodhi dje poshtë deklaratat e PD-së për mundësinë e përfshirjes së saj në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithëse bëri të ditur se synimi i saj është të vijojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë, Rama nuk dha detaje nëse ka marrë ndonjë propozim nga të majtët për të kandiduar nën siglën e PS-së. “Pas përfundimit të ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në mesin e muajit janar, kam paraqitur zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin tim si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Për këtë kërkesë gjithashtu kam bërë me dije zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës, z. Bujar Nishani. Kjo kërkesë është mbështetur në garancitë që jep neni 7 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, për prokurorin e Përgjithshëm që mbaron mandatin e tij kushtetues dhe në faktin që para kësaj detyre, kam ushtruar funksionet e gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Neni 7/1.3 i ligjit parashikon se “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”, – theksoi ish-kryeprokurorja. Sipas Ramës këto fakte tregojnë qartë për mungesën e interesit të saj për tu përfshirë në ndonjë projekt politik dhe nga ana tjetër ritheksojnë dëshirën për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë. “Për më tepër mbetem në pritje që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim lidhur me kërkesën që kam paraqitur”, – përfundoi reagimin e saj ish-kryeprokurorja Ina Rama.

 

 

Zgjedhjet e 23 qershorit, Shehi: E djathta si në 2009, çdo parti në siglën e saj

Kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, beson se e djathta do të përfaqësohet në zgjedhjet e 23 qershorit me një koalicion të ngjashëm me të atë të 2009-ës. Sipas tij, duke iu referuar edhe konsultave të para me Kryeministrin Sali Berisha lidhur me taktikën e bashkëpunimit, pritet që secila parti të garojë me siglën e saj dhe listën e kandidatëve të saj. “Kemi pasur një bisedë informale para disa ditëve me zotin Berisha në të cilën është gjykuar se do të garojë gjithsekush me siglën e vet dhe sipas rezultatit do të përcaktohen edhe deputetët. Marrëveshje tjetër nuk ka përveç kësaj që është sot”, – tha Shehi për “AS”. Por pavarësisht mënyrës së paraqitjes së te djathtës, kreu i LZHK-së shprehet optimist se rezultati i 23 qershorit do të jetë në favor të saj. “Unë jam optimist në mënyrë të arsyeshme sepse shumë viteve qeverisje do t’i paguhet edhe një çmim. Megjithatë, unë mendoj se një pjesë rruge është bërë. Me ide të reja mund të bëhet edhe diçka progresiste në sensin e vet”, – theksoi Shehi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency