Kombi ekziston vetiu, jo prej përkufizimeve

0
174

Prof. dr. ing. Vedat Shehu

kombiU ngrit shumë pluhur rreth deklaratës së Oliver Jens Shmidit rreth çështjes iliro-shqiptare. Ujqit e historiografisë enveriste të shqiptarëve u tërbuan nga deklarata e tij. E akuzuan atë për mohim të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
I përgjigjem: Shmidi depersonalizoi simbolet kombëtare të Shqiptarëve. Është absurde që të motivohet mbrojtja e prejardhjes Ilire e Shqiptareve si teori Enveriste apo komuniste, kur kjo prejardhje është argumentuar shkencërisht para se të lindte Lenini dhe, sigurisht, Stalini, me emrat e të cilëve sundoi Enveri. Unë kam konkluduar që Shmidi ka qenë sponsorizuar nga forcat e errëta të historisë dhe të Fesë, për të denigruar Kombin Shqiptar. Ky shkrim kaq naiv, me siguri nuk është sponsorizuar, por është shkruar prej mediokrisë të një mësuesi provincash malore që hap internetin dhe i merr kallëp “studimet:’ e Shmidit dhe Shmidërve. Shprehja, “Ujqerit e historiografisë Enveriste”, tregon qartë mbulimin e të vërtetës para-enveriste me frazeologji sikur origjina ilire e Shqiptareve është e lidhur me origjinën e komunizmit në Shqipëri. Turp. Komunizmi ishte një përbindësh internacionalist që s’e çante kokën fare për shqiptarizëm. Shqiptarizmin e përçon gjuha dhe vetëm gjuha e trashëguar nga banorët në trojet e tyre, të trashëguara apo të pushtuara dhe të përvetësuara. S’ka asnjë të dhënë që Shqiptarët t’i kenë pushtuar dhe t’i kenë përvetësuar trojet e tyre. Përkundrazi të dhënat tregojnë që fqinjët kanë zaptuar dhe kanë përvetësuar trojet ballkanike (Ilirike, apo Shqiptare).
Thënies: “Në tekstet tona të historisë nxënësit dhe studentët tanë mësojnë sikur është fakt i mirëqenë se shqiptarët e kanë prejardhjen prej ilirëve”.
I përgjigjem: Prejardhja ilire e shqiptarëve është e vërtetë shkencore. E vërteta shkencore nuk shihet, shpesh mbulohet nga e vërteta praktike, mashtruese e të vërtetës shkencore. Historia njeh fakte rrëqethëse se si e vërteta shkencore është mohuar nga autoriteti i të vërtetës praktike dhe mezi ka dalë në shesh. Dielli rrotullohet rreth Tokës kjo është një e vërtetë praktike, e vërteta shkencore është e kundërt. Xhordano Bruno u dogj i gjallë sepse pohoi të vërtetën shkencore. Galileo Galileu u kërcënua se do ta pësonte si Xhordano Brunoja nëse nuk e mohonte publikisht të vërtetën shkencore dhe të thoshte para publikut “Toka nuk rrotullohet, Dielli, planetët dhe yjet rrotullohen rreth Tokës”. Në rastin tonë të vërtetën shkencore të prejardhjes Ilire e ka mbuluar dhe errësuar e vërteta praktike e klikave sunduese dhe ekspansioniste të mbetura të shkruara nga kalemxhinjtë tendencioz mbrojtës të perandorive pushtuese dhe asgjësues të qyteteve Ilire –Arbërore-Shqiptare, si dhe asgjësues të prejardhjes Ilire të arbëresheve- Albanëve dhe Shqiptarëve.
Thënies: “Prejardhja e shqiptarëve nuk dihet. Hipoteza më e besueshme është se shqiptarët e kanë prejardhjen prej ilirëve, por për këtë akoma nuk ka fakte të mjaftueshme”.
I Përgjigjem: Shqiptarët në trojet e tyre nuk kanë rënë nga qielli, as kanë mbirë nga dheu, janë indoevropian sikurse popujt fqinj, të ngjashëm dhe me ata më të largët. Trojet e banuara nga Shqiptaret të pushtuara nga Perandoria Romake u bashkuan në një provincë të quajtur Iliria (Iliricum) dhe gadishullin Ballkanik e quajtën Gadishulli Ilirik. Vonë me dyndjet Sllave përbërja etnike e Ballkanit ndryshoi me: Bullgarët, Serbët, Kroatët, Sllovenët, Boshnjakët, Rumunët, megjithatë deri në shekullin e 19, Evropa e quante Ballkanin Iliria dhe Brigjet Lindore të Adriatikut Brigjet e Ilirisë. Çfarë janë Ilirët, fantazmë? Jo janë populli para-grek, para-latin, para-sllav i Ballkanit. Shqipja ka individualitet të veçantë brenda gjuhëve indoevropiane që tregon lashtësinë evropiane dhe ballkanike. Elementet e përbashkët të shqipes me të gjitha gjuhët evropiane e dëshmojnë më së miri këtë. Autorë të shumtë e kanë argumentuar shkencërisht prejardhjen Ilire të Shqiptarëve, megjithëse pushtimet latine dhe barbare kanë asgjësuar qytetet ilire, por jo popullin. Mandej perandoritë, perandoritë sllave pasi e nënshtruan vendin krijuan qendra administrative në tërë Ilirinë dhe e sllavizuan shumicën e emrave të vendeve. Nuk ka asnjë të dhënë se pushtimet sllave e gjetën bosh territorin. Kë pushtuan sllavët, shkretëtirën apo trojet e pasardhësve të Ilireve? T’u thuash nxënësve që prejardhja e Shqiptarëve nuk dihet, ndërsa dihet prejardhja e malazezëve, serbëve, Grekëve, është krim kombëtar. Prejardhja e pushtuesve dihet dhe e të pushtuarve nuk dihet. Shmidi, me pseudoteoritë e tij antishqiptare dhe me pretendimin e mosvazhdimësisë së kombit Shqiptar, e ka vënë veten në radhën e kriminelëve të kombit Shqiptar, atyre që i pararendi ideologjia të tyre para se t’u hyjnë spastrimeve etnike në Çamëri, në Shqipërinë e Jugut, në Kosovë e gjetkë. Historia e vonë e këtyre ngjarjeve është e freskët.
Theksoj se administratat e perandorive bizantine, serbe, bullgare, otomane, e kanë ndaluar me ligj shkrimin e shqipes, librat shqip dhe janë munduar të zhdukin gjuhen shqipe dhe prejardhjen Ilire të Shqiptareve, të deilirizonin Shqiptarët. Sapo shkencëtarët objektiv nxorën të vërtetën se Shqiptarët ishin Ilirët e zhdukur prej perandorive, grekët dhe serbët ndikuan që Gadishullit t’i hiqej emri Iliria dhe t’i vihej emri i maleve Ballkan.
Thënies “Koncepti i kombit është i dhënë sipas teorisë staliniste,….e barazon kombin me etninë. Ky koncept buron nga teza e filozofit gjerman Johann Gottlieb Fichte, se çdo popull që flet një gjuhë të veçantë ka të drejtë të ketë shtetin e vet. Kjo do të thotë se çdo etni ka të drejtë të jetë komb… Thjesht, në teori, Stalini e barazoi konceptin e kombit me etninë dhe, së këtejmi, historia e kombit u projektua deri në lashtësi. Madje edhe për epokat më të lashta u përdor terminologjia e historisë së kohës moderne”.
I përgjigjem: Ky koment i Stalinit është pa kuptim. Stalini u ngarkua nga Lenini që të merrej me çështjen e kombeve të Rusisë pas Revolucionit. Kombi ekziston vetiu, nuk ekziston prej përkufizimeve. Në e ndjejmë veten shqiptar, pavarësisht nga etiketimet e përkufizimeve. Dy territore të banuara me Shqiptarë kanë formuar shtete. Territore të tjera të po këtij populli shqiptar, që ne i themi komb, kanë mbetur jashtë territoreve të shteteve shqiptare dhe janë minoritete në shtetet e tjera, sikurse kanë shtetet shqiptare minoritete nga kombet e tjera. Në kuptimin strategjik s’na duhet se ç’quajnë të tjerët komb, shtet, etni minoritet, nacionalitet e me the të thash. Shteti është shtet. Format e shtetit janë nga më të ndryshmet. Kombi është komb. Ka edhe degëzime të një kombi të lashtë në disa kombe moderne (kombet sllave nga parasllavët). Dy shtetet shqiptare nuk mund të imitojnë konceptet për kombin të shteteve gjigante, apo shteteve si Spanja, Turqia apo Egjipti. Ne kemi veçoritë tona shtetërore dhe kombëtare dhe, sikurse kombe të tjera, kemi gjuhën tonë, të cilën e kemi folur që në lashtësi, sigurisht sipas epokave të evoluimit. Nëse ka pas greqishte, hebraishte të lashtë, ka pas edhe Shqipe të lashtë. Mos vështro latinishten prej nga kanë dalë neolatinishtet dhe sllavishten që kanë dalë neosllavishtet. Nga Greqishtja, hebraishtja dhe shqipja nuk kanë dalë neokombe të më pasme.
Për thënien; “S’mund të jesh edhe revolucionar, edhe demokrat”.

Kam përgjigjen. Thënie e pakuptimtë, sepse pikërisht kryengritja kundër autokracisë, është revolucionare, ajo do të përmbys një klasë sunduese tradicionalisht autokratike feudale dhe të krijoje kushte të reja për zhvillim. Pra kryengritja që rrezoi klikën feudale me Zogun në krye synonte të vendoste një republikë demokratike. Natyrisht ishte revolucion demokratik se synonte demokracinë. Ky revolucion demokratik kundër autokracisë monarkike që sundonte në shtetet fqinje dhe në Itali përballë, qe halë në sy për mbretëritë fqinje. Nuk mund ta duronin që Shqipëria të ishte, para tyre, një shkalle më e avancuar e qytetërimit, shtet demokratik. Ishin këto forca dhe jo vetëm Serbia jugosllave që rikthyen klikën feudale në Shqipëri. Forca të tilla të huaja, më vonë, stimuluan komunizmin në Shqipëri. Revolucioni, qe solli Fan Nolin, është ngjarje sublime e popullit tonë, shumë i avancuar dhe i ndikuar nga revolucionet borgjeze perëndimore.
Për këtë thënie: “Edhe Skënderbeu nuk ishte udhëheqës kombëtar, por vetëm një sundimtar. Në shekullin XIX ai u shndërrua në një kryehero kombëtar nga rilindësit shqiptarë, me qëllim mitizimi”.
Kam përgjigjen: A s’kishte në këtë epokë turq, francez, gjermanë, grekë, malazez, serbë, bullgarë? A s’kanë këta popuj udhëheqësit e tyre kombëtarë? Mbretërit e tyre, sulltanët e tyre, carët e tyre? Skënderbeu ishte prijës i koalicionit të Lezhës që bashkoi 6 principata të vogla për të krijuar shtetin e shqiptarëve, në daç t’i themi shtet apo mbretëri. Mbretërit kurorëzoheshin nga Papa nuk e kurorëzoi, por Skënderbeu u bë prijës dhe mbret potencial i shqiptarëve, pavarësisht në se kishte dalë apo s’kishte dalë emri komb shqiptar, italian, malazez apo serb, të gjithë ishin kombe potenciale. Asnjë individ i kombeve të tjera nuk çmitizon heronjtë e vetë. Kush refuzon Skënderbeun si prijës i shqiptarëve dhe simbol kombëtar, nuk mund të jetë i lindur shqiptar, me siguri edhe nëse hiqet si shqiptar, do të jetë ndonjë bir Perëndie, siç i themi ne nga anët tona, çdo të linduri kopil.
S’kam asgjë kundër personalitetit të Noel Malkolmit, kryetarit të Shoqatës Anglo-Shqiptare, mbrojtësi konsekuent i Kosovës. Mbrojtjen e bënë nëpërmjet arsyetimit shkencor dhe nxjerrë në shesh të vërtetat shkencorë. Në artikujt e tij mbrohet Kosova, duke hedhur poshtë me argumentim shkencor reklamat serbe si territor serb dhe djep i serbëve, aspak truall serbesh pushtues dhe otomanesh pushtues, por territor shqiptar i pushtuar nga Bizanti, serbët, otomanët dhe vetëm me 1918 aneksuar Jugosllavisë, shkëputur gjatë Luftës së Dytë Serbisë dhe rianeksuar, më pas, sërish asaj si njësi me të drejta si dhe Serbia në federatë. Por, ama, e pavërteta, prezente në propozimin tuaj nuk mund të mbulohet me shkëlqimin e artikujve të Malkolmit në mbrojtje të shqiptarëve dhe Kosovës. Mua më vjen keq që më detyroni të reagoj prej shpërfilljes kategorike ndaj meje në këtë mesazh. Nuk mund të justifikohen devijimet logjike me shpërfillje të arsyetimit shkencor. Unë nuk mund të pajtohem me justifikimin që bëni me shprehjet e mëposhtme:
1) Nuk mund t’i quhet shtrembërim argumentimi shkencor që i bëhet deformimit të kuptimit real të historisë iliro-shqiptare dhe nocioneve të historisë dhe kombit.
2) Për sa i përket shprehjes që gjendet në mesazh kështu: “Është absurde që të motivohet mbrojtja e prejardhjes ilire e shqiptarëve si teori enveriste apo komuniste”, unë konstatoj se është në kontradiktë me shprehjen tjetër që pretendohet se “as që mund të nënkuptohet kështu”, dhe pohohet se teza, e argumentuar nga shumë autorë, e “prejardhjes ilire të shqiptareve është shumë më e vjetër sesa Enver Hoxha, por që Shmidin e sulmuan historianët enveristë kjo është e vërtetë”. Pse është në kontradiktë? Ja le të analizojmë fjalitë.
– Shmidin e sulmuan historianët enveristë kjo është e vërtetë”.
– Kuptimi i parë i kësaj shprehjeje është ky: e sulmuan se hidhte poshtë argumentimin shkencor të studiuesve të shumtë të mëparshëm që prejardhja e shqiptarëve është prej ilirëve, pa pasur asnjë argument që ta vinin në dyshim konkluzionin shkencor për këtë prejardhje. – Kuptimi i dytë është se ata që mbrojtën tezën e prejardhjes ilire të shqiptarëve e bënë këtë duke sulmuar atë që e mohonte Shmidi se dhe këtë e bënë se ishin historianë enveristë dhe se po të mos ishin enveristë, s’kishin mbështetje që ta bënin. Kuptimi i tretë është: tezën e vjetër që mbrojtën historianët enveristë e kishin bërë konform enverizmit dhe që nuk duhet ta bënin sepse antiteza e Shmidit ka dalë në epokën pasenveriste.
– Konkluzioni: Antienveristët, siç jam edhe unë, nuk duhet ta mbrojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve, përderisa e mbrojnë historianët enveristë..
– Po këta, iu patën sulur edhe Noel Malkolmit. Kur e pata mbrojtur Malkolmin ngjashëm patën reaguar ndaj meje sikur edhe tani.
– Kuptimi, i vetëm, është ky: Paskan reaguar në të njëjtën mënyrë kundër shkrimit që shfrytëzon personalitetin poliedrik të Malkolmit për të nxjerrë nga balta Shmidin; nga balta ku Shmidi është zhytur me shkrimet e tij për të depersonalizuar shqiptarët dhe kombin shqiptar, gjoja nga pozitat e një historiani objektiv. Si historian gjerman-folës le të depersonalizojë Martin Luterin që, me protestanizmin fundamentalist të tij, u bë bazë ideologjike suplementare frymëzimi për pogramet antiçifute në Gjermaninë hitleriane. /Bota sot/

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency