Panariti lëshon avionët me vaksina kundër tërbimit të dhelprave të kuqe

0
386

Për të gjashtën herë rradhazi, siç dhe është përcaktuar në planin disa vjeçar të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Projekti PAZA II ka nisur vaksinimin e dhelprave kundër sëmundjes së tërbimit.

Ashtu si dhe në fushatat e shkuara, Projekti PAZA i mbështetur nga Bashkimi Evropian do të zbatojë një procedurë moderne që garanton vaksinimin e sigurtë dhe në një normë të lartë te dhelprat e kuqe, që janë dhe burimi kryesor i shpërndarjes së tërbimit.

Mënyra e vaksinimit është e njejtë me atë që është përdorur që prej pranverës së 2014, ku do të jenë 4 avionë të vegjël, të specializuar dhe pajisur me teknologji moderne për të shpërndarë vaksinat e prodhuara posaçërisht për dhelprën e kuqe.

Shpërndarja e vaksinës do të kryhet nga ajri, ku avionët e vegjël do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine që është e futur në ushqim të posaçëm për dhelprat.

Vaksinat karrem do të shpërndahen përgjatë një periudhë 2 javore në të gjithë territorin e vendit, përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore.

Avionët e vegjël, nëpërmjet makinerive speciale dhe hartave të sakta shpërndajnë 20 vaksina për kilometër katror dhe gjatë vaksinimit të kësaj vjeshte do të shpërndahen rreth 560,000 vaksina karrem.

Ky proces bëhet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë. Për të arritur një imunizim të plotë të popullatës së dhelprave nga tërbimi është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për 5 vjet rresht.

Ky lloj vaksinimi është kryer dhe kryhet me këtë mënyrë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe tanimë me mbështetjen e Bashkimit Evropian po kryhet edhe në Shqipëri. Pas disa vitesh vaksinimi të rregullt, tashmë sëmundja është zhdukur në Kroaci, Serbi, vende të rajonit dhe rezultatet tregojnë për ulje të rasteve në thuajse zero dhe në Maqedoni.

E njejta fushatë vaksinimi ndodh dhe në shtetet fqinjë. Pala shqiptare është njoftuar nga fqinjet se, përgjate zonave kufitare do ketë fluturime të ulëta për shkak të vaksinimit kundër dhelprës së kuqe.

Përmes kësaj fushate do të arrihet imunizimi nga tërbimi në të gjithë Ballkanin. Vaksinimi kundër tërbimit bëhet te dhelprat, pasi këto kafshë janë burimi kryesor i kësaj sëmundje me pasoja fatale që transmetohet te qentë dhe te njeriu.

Shërbimi Veterinar Shtetëror do të jetë institucioni shqiptar përgjegjës për mbarëvajtjen e kësaj fushatë shumë të rëndësishme për vendin.

Të dhënat nga fushata e vaksinimit të fundit tregojnë se kjo mënyrë ka qenë e suksesshme në Shqipëri.  Avionët specialë për shpërndarjen e vaksinës do të operojnë nga aeroporti i Kuçovës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here