Kategoria Superiore Skënderbeu përgjigjet “prezent”

0
168

Altin Vorpsi

skenderFillimi i këtij viti nuk ka qenë i letë për ekipin e Skënderbeut. Kampionët në fuqi në dy ndeshjet që kanë zhvilluar në shtëpinë e tyre nuk kanë “sunduar” me dorë të hekurt. Vetëm një gafë e rivalëve (Bylisi detyroi FSHF-në që t’i zhvlerësonte atë barazim që mori një javë më parë në juglindje) u lejoi atyre që të rikuperonin disi atë disfatë që i shkaktoi Vllaznia në Korçë.

 

Tani duket se Skënderbeu vuan vetëm para publikut të vet. Ekipi korçar ndien presionin e tifozëve që i kërkojnë tri pikët. Vetë ecuria e kësaj skuadre në këtë vit të ri tregon diçka të tillë: edhe një herë pas një paraqitjeje jo të mirë brenda mureve mike, skuadra e Josës iu përgjigj kritikave duke fituar në një fushë të vështirë si ajo e Laçit. Një gol i Plakut dhe një tjetër i Bicit u mjaftuan “ujqërve të dëborës” për t’ua kaluar topin ndjekësve “më të afërt”, si Teuta dhe Flamurtari, që respektivisht janë 12 dhe 14 pikë larg kreut.

 

Kronika

Që në fillim të pjesës së parë, Sebino Plaku shfaqet i rrezikshëm para portierit Bakaj, por pa mundur ta dërgojë topin në rrjetë. As tentativa e Ademirit, që kaloi ngjitur me shtyllën e djathtë të Bakajt, nuk e ndryshoi rezultatin në fraksionin e parë. Në 45 minutat e dyta Laçi ushtroi më shumë presion, por sërish rastet krijohen në portën e Bakajt, me protagonist Sebino Plakun, që merr përsipër fazën sulmuese të korçarëve në mungesë të Pero Pejiçit. Rasti më i mirë i vendasve është ai i minutës së 57-të, kur Orges Shehi tregon cilësitë e tij më të mira, pas një goditjeje të fortë brenda zonës. Pas këtij rasti Laçi beson se mund ta fitojë ndeshjen, por ndëshkohet me dy gola brenda pak minutave. Në minutën e 62-të, Sebino Plaku përfiton nga pasiguria e Bakajt pas goditjes së fortë të Radas, duke i dhënë avantazhin Skënderbeut, ndërsa 2 minuta më pas Bici shfrytëzon më së miri një krosim të saktë po nga Radas duke goditur fort me kokë thuajse nga pika e 11-metërshit. Në minutat e mbetura Skënderbeu thjesht administroi lojën, ndërsa Laçi i demoralizuar, nuk ka forcën për të ndryshuar fatin e këtij takimi.

 

Renditja

Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në kuotën e 42 pikëve, ndërsa Laçi mbetet në vendin e 6 me 24 pikë të grumbulluara në 17 javë. Kjo ishte një fitore e rëndësishme për Skënderbeun që vinte pas një paraqitje jo të mirë që bëri një javë më parë përballë Bylisit. Siç dihet, vetëm Komisioni i Disiplinës dhe gafa e rëndë e Bylisit (aktivizoi për katër minuta 6 lojtarë të huaj, një më shumë se rregullorja) e shpëtuan skuadrën e Josës. Por tani kjo e fundit u është përgjigjur si duhet kritikëve dhe rivalëve më të afërt.

 

Ndeshjet

 

Sot

14:00

SHKUMBINI-FLAMURTARI

BYLISI-KUKËSI

17:00

TIRANA-LUFTËTARI

TEUTA-BESA

 

Nesër

TOMORI-KASTRIOTI

APOLONIA-VLLAZNIA

 

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Skënderbeu           17        42

2 Teuta                       16        30

3 Flamurtari 16        28

4 Kukësi        16        27

5 Tirana         16        26

6 Laçi             17        24

7 Vllaznia      16        23

8 Kastrioti      16        22

9 Bylisi                       16        19

10 Besa         16        17

11 Shkumbini           16        16

12 Luftëtari    16        14

13 Tomori      16        9

14 Apolonia 16        8

 

 

Pas klasikes

Hejnkesi i përgjigjet Klëpit: Bajerni ka stilin e vet

Shtatëmbëdhjetë pikët (prapa) në Bundesligë dhe eliminimi nga çerekfinalet e Kupës së Gjermaninë duket se kanë hedhur “benzinë” mbi zjarrin që del në Gjermani sa herë që dy rivalet më të mëdha përplasen. Bajerni i Mynihut, pas dy viteve “agjërim”, është rikthyer furishëm në biznes. Etja për triumf dhe rivaliteti me Dortmudnin kanë qenë ingredientët e duhur që kanë shtyrë Bajernin të jetë i pashpirt në çdo front. Por pas tërë këtyre sukseseve për Jyrgen Klëpin, teknikun e Dortmundit, ka diçka që nuk shkon. Sipas tij skuadra bavareze me në krye “Don” Jupin i ka kopjuar idenë “ashtu siç bëjnë kinezët në industri”. Një ditë më pas radhën për t’u përgjigjur e pati Hejnkesi që me shumë stil i kujtoi kolegut se Bajerni i tij, që pikërisht në mbrëmjen kur gjunjëzoi Dortmundin mbushi plot 113 vjeç, ka stilin e vet të lojës. “Si fillim dua të them që Bajerni ekziston pak më shumë sesa Klëp si trajner dhe ka pasur gjithmonë stilin e tij të lojës. Është e rëndësishme që të tregohesh njeri i madh dhe në fitore dhe në humbje, sidomos kur mposhtesh. Lexoni si e kam komentuar unë suksesin e Dortmundit një sezon më parë. Ishte korrekte, autentike, me mirënjohje. Kjo është e rëndësishme në sportin tonë. Kam luajtur kundër trajnerëve si Marçelo Lipi, Arrigo Saki, Ernst Hapel apo Johan Krujf, përballë të cilëve kam fituar, dhe asnjëherë nuk më ka ndodhur të akuzohem për vjedhje stili. Nëse Jyrgeni do të ketë ndonjëherë kënaqësinë të drejtojë një skuadër si Bajerni apo Real Madridi, do ta vërë re se të drejtosh një skuadër të tillë është një botë më vete. Më pas do të flasë ndryshe. Nuk dua të ul vlerat e Borusias, që ka një skuadër të jashtëzakonshme, por të drejtosh një klub si Bajerni është një punë jashtëzakonisht e madhe në të gjitha fushat. Unë i kam vlerësuar gjithmonë kundërshtarët. Për mua gjithçka mbyllet këtu”, – tha Hejnkes.

 

Angli

1000 ndeshje – 39 vjeç = me një kontratë të re

Rajan Gigsi ka zgjatur kontratën e tij me Mançester Junajtidin deri në verën e vitit 2014. Ky “detaj” do ta bëjë lojtarin që në nëntor mbush 40 vjeç, futbollistin e vetëm që ka luajtur 23 vite radhazi me ekipin e parë te kjo skuadër. “Ndihem mirë, po i gëzohem futbollit tim më shumë se kurrë dhe mendoj se po jap kontributin për skuadrën. Kjo është një skuadër në të cilën ke kënaqësi të luash dhe po ecim përpara drejt trofeve të tjerë në këtë sezon entuziazmues. Jam i lumtur që kam nënshkruar këtë kontratë të re dhe prandaj duhet të falënderoj trajnerin Aleks Ferguson”, – ishin fjalët e mesfushorit uellsian.

Gigsi po bëhet gati të fitojë titullin e tij të 13-të kampion në Angli me fanellën e Mançester Junajtidit që kryeson i shkëputur me 12 pikë renditjen. Ndeshja e tij e radhës do të jetë e 1000-ta si profesionist, duke përfshirë edhe ata të luajtura me kombëtaren e Uellsit dhe Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike.

“Çfarë mund të them për Rajanin që nuk është thënë më përpara?”, – ishte komenti i Aleks Fergusonit. “Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe një njeri i shkëlqyer. Ai do të luajë ndeshjen e tij të 1000-të dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë futbollist tjetër që do ta arrijë atë shifër”, – ishin fjalët e trajnerit skocez që ka shprehur besimin se një ditë, Gigs mund të marrë drejtimin e “djajve të kuq” si trajner i kësaj skuadre.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency