Lista e deputetëve, Malaj: Duhet ekip me kontribute

0
160

Gëzim Saliu

arben malajMalaj: Organizim të strukturuar dhe jo spontan vetëm për kohë fushatash

“Eliminim të praktikave nepotike dhe klienteliste dhe vendosja e meritokracisë në plan të parë”

 

Partia Socialiste ka nevojë për një ekip konkurrues dhe me kontribute për të marrë një rezultat sa më pozitiv në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kështu ka deklaruar dje anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, gjatë një takimi që ka zhvilluar në Vlorë më të rinjtë socialistë të këtij qyteti, lidhur me kulturën politike. Pas takimit, deputeti socialist ka deklaruar për mediat se Partia Socialiste nuk duhet të nënçmojë kontributet, pasi sipas Malajt, nuk mund të anashkalohen nga partia ata që kanë qenë pjesë prej vitesh në forcën më të madhe opozitare. “Partisë Socialiste i duhet të qartësojë avantazhet dhe përgjegjësitë për t’u ofruar qytetarëve qeverisje sa më të mirë”, – tha Malaj, duke vënë theksin te bashkëpunimi që duhet të kenë të gjithë socialistët, ndërsa nuk fshehu shqetësimin që ka përfshirë PS-në në gjithë vendin për vendimet e personalizuara të Ramës.

 

Takimi

Në bashkëbisedimin me temë “Kultura politike e elitës sonë të ardhme”, në qytetin e Vlorës, deputeti socialist Arben Malaj ndau me të rinjtë pjesëmarrës pikëpamjet lidhur me nevojën e përfshirjes të të rinjve në politikë, për alternativat të cilat shtojnë mundësitë e tyre për të kontribuar në komunitetin të cilit i përkasin dhe në të ardhmen politike të vendit. Me rëndësi ishte edhe diskutimi lidhur me përfshirjen e të rinjve në politikëbërje. Nevoja për një organizim më të strukturuar dhe jo spontan vetëm për kohë fushatash, përfshirja e të rinjve në vendimmarrje, forcimi i demokracisë së brendshme u cilësuan si kushtet dhe stadartet bazë për të rritur sinergjitë pozitive midis të rinjve dhe mos krijuar zhgënjim dhe apati të të rinjve ndaj politikës. “Eliminimi i praktikave nepotike dhe klienteliste dhe vendosja e meritokracisë në planë të parë ndihmon në motivimin dhe rritjen e angazhimit dhe kontributit të rinjve në partitë politike por edhe në fushat të tjera të vullnetarizmit dhe angazhimit qytetar Inspirimi i të rinjve, mbështetja për formimin e tyre akademik dhe profesional sipas modeleve më të mira perendimore në demokratizimin e dijes dhe mundësimin e programeve të intershipit politik dhe profesional, do të ishin mënyrat më të mira për të mbështetur e brezat e ardhshëm të elitave në vend”, – u shpreh Malaj. Lidhur me debatin e fundit të hapur në selinë rozë për listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit ka shprehur mendimin e tij më parë duke thënë se lista duhet të dalë nga vota e fshehtë. Duke iu referuar sportit, ai ka thënë se fitoret nuk vijnë nga një trajner i fortë, pra nga kreu i partisë, por nga ekipet zinxhir. “Si mund ta ndërtojmë një ekip gjithëpërfshirës? Vetëm përmes garës, transparencës në garë dhe votimit të fshehtë. Kolegë të PS janë shprehur në emër të përgjegjësisë që ka PS kundrejt shqiptarëve. Nuk është koha për batuta. Ka figura nga PS që janë shprehur dhe në mënyrë të drejtpërdrejt, pasi nuk duan të përsëriten gabimet. Unë s’jam ekspert në sport, por di si menaxhohet një ekip. Ekipet fituese janë të suksesshme kur krijojnë ekipe zinxhirësh, jo ekipe me trajnerë të fortë, që vendosin kush do lozë dhe kush do rrijë në stol rezervë”, – ka thënë Malaj.

 

Pas debateve, mblidhet Asambleja e Kukësit, prezantohet Muçmata

Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, prezantoi dje në Kukës kandidatin për deputet drejtues politik të fushatës elektorale të ardhshme të 23 qershorit, Vexhi Muçmatën. Pas konflikteve të hapura për këtë qark, ku deputeti aktual Asllan Dogjani ka zhvilluar debate të drejtpërdrejta me kreun socialist Rama lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarët e rretheve, me prezantimin e djeshëm, kryesia e PS-së ka synuar të qetësojë gjendjen. Në takimin e asamblesë, sekretari organizativ Klosi ka theksuar në fjalën e tij se synimi i PS-së është që me kandidaturën e paraqitur të maksimalizojë votën socialiste të këtij qarku. “Ne vijmë në qarkun e Kukësit me objektiv krejt të qartë. Partia Socialiste që të ketë mundësi të shkojë në një rezultat fitues dhe të jetë nesër në qeveri, duhet patjetër të maksimalizojë votën e socialistëve dhe të mbështetësve të saj edhe në qarkun e Kukësit. Ndaj ne po paraqesim sot pranë strukturave të PS-së së Kukësit, kandidaturën e z. Vexhi Muçmata, si drejtues politik i fushatës elektorale të ardhshme të 23 qershorit e po ashtu si kandidati kryesor i listës sonë për qarkun e Kukësit. Me këtë kandidaturë ne do të kemi mundësi për të mbledhur pranë Partisë Socialiste, pranë strukturës së saj, pranë programit të saj, pranë lidershipit të saj të gjithë votën socialiste të këtij qarku”, – tha ai. Nga ana e tij kandidati Vexhi Muçmata ka siguruar për angazhimin e tij për të arritur një rezultat pozitiv në qarkun e Kukësit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency