Shëndetësia e dështuar e Ramës, “lojë” me shërbimin falas

0
147

Ervin Kaduku

shendetesiaZyrtarët e ISKSH-së janë shprehur të habitur nga propozimet e fundit të PS-së lidhur me ofrimin e shërbimeve falas, universale për të gjithë popullsinë dhe me heqjen e taksës

 

Më 25 mars do të hyjë në fuqi ligji për shëndetësinë, i cili qartëson mënyrën se si do të menaxhohen spitalet dhe shërbimet ndaj pacientëve. Në këtë kuadër, e majta ka hedhur një propozim: heqjen e taksës për kontributet shëndetësore, për t’u dhënë mundësi të gjithëve t’i marrin shërbimet falas në shtet. Kurse mazhoranca e kundërshton nismën, me rrezikun e buxhetit, ndërsa shton se sistemi aktual po funksionon më së miri.

Aktualisht, për kontributet shëndetësore, paguajmë nga paga bruto 1.7 për qind (punëmarrësi), dhe punëdhënësi paguan 1.7 për qind (pra, në total, 3.4 për qind), të cilat shkojnë në buxhetin e ISKSH, institucioni që mbulon spitalet në vend (parësorin). Kjo taksë aplikohet për pagat deri në 91 mijë e 475 lekë, paga maksimale, ndaj ekspertët gjykojnë se individët me paga më të larta arrijnë të kenë një shkallë më të ulët pagese.

Me ligjin e ri, që pritet të hyjë në fuqi në mars, norma e kontributeve do të mbetet e njëjtë, pra 3.4 për qind në total, kurse për të vetëpunësuarit do të ulet, nga 7 për qind në 3.4 për qind.

Për nivelin e taksës së kontributeve ka pasur debate në qeveri, për shkak të mendimeve për ta rritur, nisur nga fakti se Shqipëria ka normën më të ulët. Greqia ka një normë të taksës 6 për qind, kurse Maqedonia 10 për qind, ndërsa vende si Gjermania, pjesë e BE-së, aplikon një taksë prej 16 për qind. Ligji është hartuar në vitin 1994 dhe ndryshimet ishin të domosdoshme, pas një pune disavjeçare, me ekspertë të BB-së, USAID-it etj., por sërish ekspertët janë ndarë si kampet politike.

Shërbim falas

 

Zyrtarët e ISKSH-së janë shprehur të habitur nga propozimet e fundit të PS-së lidhur me ofrimin e shërbimeve falas, universale për të gjithë popullsinë, me heqjen e taksës.

Kreu i ISKSH-së, Elvana Hana, thotë se aktualisht ky shërbim ofrohet falas dhe se e majta nuk propozon asgjë. “Të papunët mbulohen falas nga shërbimi shëndetësor, pasi për këtë kategori paguan shteti, mjafton të regjistrohen te zyrat e punësimit”, – thotë Hana. Me shërbim falas trajtohen edhe pensionistët, invalidët apo dhe fëmijët, pavarësisht se nuk janë të siguruar dhe këto mbulohen nga arka e shtetit.

Në vitin 2007, janë përfituar rreth 72 milionë lekë nga kategoria e të papunëve dhe kjo shifër është 172 milionë në vitin 2012, duke dyfishuar përfitimet e kësaj kategorie në këto vite. Vetëm gjatë një viti kurohen rreth 670 mijë vetë në spitalet publike, nga të cilët 241 mijë janë të shtruar dhe 432 mijë urgjenca.

“Momenti ku ne jemi, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, është kurorëzim i të gjithë kësaj pune, të cilën PS do ta zhbëjë duke propozuar një shërbim shëndetësor pa kontribute dhe shërbim të ashtuquajtur ‘falas’, pa treguar konkretisht se çfarë do të bëjnë me reduktimin e shumës së kontributeve, e cila i hiqet shëndetësisë dhe shkon nuk e dimë se ku dhe si do të jetë i mundur realizimi i të njëjtave shpenzime që kryhen sot në sistemin tonë shëndetësor që përbëjnë 24% të shpenzimeve të skemës”, – thotë Hana.

 

“Jo rritje takse”

 

Lidhur me vlerësimet e PS-së për rritjen e masës së kontributit për të vetëpunësuarit, ISKSH thotë se nuk qëndron. “Norma e kontributit për të vetëpunësuarit është ulur nga 7 në 3.4 për qind, duke e njehsuar me të gjitha kategoritë e tjera dhe në vlerë absolute, pagesa do të jetë lehtësisht më e ulët se kjo që është sot dhe kjo pjesë është ende duke u punuar në tavolinat e specialistëve”, – sqaron Instituti.

Qeveria mendon se propozimet e së majtës për ta bërë shërbimin falas do të japin efekte negative në buxhet dhe te shërbimet, pasi efektet duhen mbuluar diku, kurse Beqja sqaron se heqja e kontributit 3.4 për qind thjesht do të mbulohet nga taksat e tjera.

 

 

 

Durrës, Drejtoria Rajonale e Tatimeve, gati për mbledhjen e taksave vendore

Dega Rajonale e Tatim-Taksave në Durrës është e gatshme të aplikojë mbledhjen e taksës vendore sapo kuadri ligjor ta mundësojë këtë procedurë. Burime zyrtare nga kjo drejtori bënë të ditur dje se infrastruktura e degës së tatim-taksave është krejtësisht e përgatitur për procedurën e mbledhjes së taksës vendore, e cila prej më shumë se 6 vjetësh është mbledhur nga administrata e bashkive dhe komunave. Këto taksa janë vjelë nga një agjent tatimor, i caktuar nga administrata vendore dhe rezultatet kanë qenë të pakënaqshme. Sipas të njëjtave burime, subjektet e mesme dhe të vogla raportojnë çdo muaj pranë kësaj dege, ku kryejnë edhe pagesat e e kontributeve për fuqinë punëtore. Shlyerja e taksës vendore pranë të njëjtit sportel lehtëson ndjeshëm edhe marrëdhënien e bizneseve me autoritetin e tatim-taksave. Vitet e fundit, në bashkinë e Durrësit janë grumbulluar mesatarisht 76 për qind e taksës vendore, çka e bën të domosdoshëm ndryshimin e mënyrës së pagesave. Sipas burimeve të drejtorisë rajonale të tatim-taksave, ndryshimi i legjislacionit dhe aplikimi i procedurës së re do të shtojë me siguri të ardhurat nga taksa vendore. “Disa vjet më parë, kur dega e tatim-taksave filloi vjeljen e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, të ardhurat u dyfishuan brenda një kohe shumë të shkurtër”, – shtojnë burimet, sipas të cilave, të njëjtat rezultate priten edhe nga grumbullimi i taksës vendore përmes degës së tatim-taksave.

Në rajonin tatimore të Durrësit përfshihen bashkitë dhe komunat e rretheve të Durrësit, Krujës dhe Kavajës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency