Gjykata dëmshpërblen me 2.2 milionë për ditët e burgut anëtarin e “Go West”

0
379

 Elton Qyno

gjykataIsh-oficeri i Rinasit, Eliano Canko, kërkoi lekët për burgim të padrejtë. Ishte dënuar me 4.6 vite burg

 

Dëmshpërblehet me 22.2 milionë lekë të vjetra ish-oficeri i aeroportit të Rinasit Eliano Canko, njëri prej anëtarëve të grupit kriminal që njihet me emrin “Go West”. Canko është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 4.6 vite burg dhe 400 mije lekë gjobë për një sërë akuzash kriminale si “Shpërdorim detyre” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Mirëpo me këtë vendim nuk është pajtuar kurrë, ish-oficeri i Rinasit, i cili ka apeluar dënimet e gjykatave deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila pak kohë më parë prishi vendimin e Gjykatës së Lartë, duke bërë që Eliano Canko të fitojë lirinë. Pas disa muajsh ai i është drejtuar gjykatës së Tiranës, me një kërkese padi, duke pretenduar se kishte bërë burg të padrejtë dhe se duhet që gjykata t’i dëmshpërblinte atij 1069 ditët e burgut, ku kishte qëndruar në mënyrë të padrejtë. Pas proceseve gjyqësore, Eliano Canko arriti që të bindte gjykatën e kryeqytet, e cila i ka dhënë të drejtë, duke e dëmshpërblyer me shumën financiare prej 22.2 milionë lekësh. Kërkesa e Cankos është bërë në mënyrë të pjesshme, pasi fillimisht në padinë e tij ai ka kërkuar shumën prej 23.8 milionë lekësh dhe më pas ka shtruar një tjetër kërkesë përpara trupit gjykues, duke pretenduar se ish-oficeri i Rinasit, i arrestuar si anëtar i grupit “Go West”, duhej të dëmshpërblehej me shumën prej 37 milionë lekësh të vjetra 1736 ditë qëndrimi padrejtësisht në burg. Ndërkohë që nga të dyja këto kërkesa gjykata e Tiranës nuk ka pranuar asnjërën, duke I dhënë të drejtë Cankos, vetëm pjesërisht dhe shpërblimin e tij me 22.2 milion lekë.

Argumentet e gjykatës

Në rastin në shqyrtim, për përcaktimin e masës së kompensimit gjykata ka pasur parasysh një sërë faktorësh që kanë ndikuar negativisht në jetën e paditësit si pasojë e një burgimi të padrejtë. Rezultoi e provuar gjatë gjykimit se paditësi Eliano Canko, kishte mbaruar arsimin përkatës dhe ishte punonjës i Policisë së Shtetit dhe konkretisht në Policinë e Qarkut Tiranë, me një pagë bruto prej 43 000 (dyzetë e tre mijë) lekë. Gjykata mban parasysh dëmtimin e karrierës jo vetëm për kohën që ka vuajtur në burg por edhe pamundësinë e vazhdimit të saj. Gjithashtu paditësi ka vuajtur 246 ditë me masën e sigurimit “Arrest në burg” (paraburgim), kohë e konsiderueshme dhe e cila ka shkaktuar vuajtje, si për paditësin edhe për familjen e tij. Nisur nga koha që paditësi ka jetuar në privim total të lirisë, në paraburgim dhe më pas, për 1490 ditë në arrest shtëpie, rezulton se kemi një përkeqësim të cilësisë së jetës së tij dhe familjarëve të tij. Gjatë veprimtarisë së tyre, organet shtetërore duhet të jenë efektive edhe korrigjuese të njëra tjetrës, brenda një afati kohor të arsyeshëm, me qëllim për të mos rënduar pasojat që mund të vijnë nga shpallja si e pavlefshme dhe jo e drejtë, e veprimtarisë së tyre, në një kohë të mëpasshme. Fakti i kalimit të një kohe kaq të gjatë, padyshim i shton dhe rëndon natyrën e dëmtimeve fizike, psikologjike e emocionale që ka pësuar paditësi gjatë privimit të lirisë. Rezulton se paditësi ka në ngarkim dy prindërit e tij pensionistë si dhe është bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve të mitur. Si pasojë e burgimit të padrejtë rezultoi se paditësi nuk ka qenë prezent në jetët e fëmijëve të tij. Për shkak të burgimit të padrejtë ndaj paditësit, kjo familje është përballur me vështirësi, pasi rezultoi se gjatë kohës që paditësi ishte me masën e sigurimit personal “Arrest në Burg”, bashkëshortja e tij duhet të kujdesej për fëmijën e tyre të parë, e cila siç rezulton nga certifikata e përbërjes familjare, administruar në këtë gjykim, ishte vetëm 7-muajshe, në një kohë kur janë ulur ndjeshëm të ardhurat për familjen e paditësit. Nisur nga kjo situatë, gjykata ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e paditësit dhe ta dëmshpërblejë Eliano Cankon me 22.2 milion lekë të vjetra.

Grupi kriminal “Go West”

Nikolin Cako, Edmond Bejko, Eljano Canko, Altin Falamuri, Përparim Kateshi, Voltan Turtulli, Valbona Cako, Selman Murati dhe Avdi Leka, ishin të arrestuarit dhe të akuzuarit e këtij grupi, i cili e ka marrë emrin nga agjencia turistike, pas së cilës fshihej aktiviteti kriminal i bandës. Nikolin Canko, i cili akuzohet se ka qenë kreu i grupit kriminal ka deklaruar disa seanca në gjykatë se ka qenë i vetmi person që ka falsifikuar dokumentet dhe ka kryer trafikun e njerëzve, duke dashur të shfajësojë pjesën tjetër të grupit. Por deklaratat e tij nuk janë marrë parasysh nga gjykata, e cila ka vijuar gjykimin për të gjithë të akuzuarit, duke dënuar ata me disa vite burg. Anëtarët e këtij grupi kryenin falsifikimin e pasaportave kundrejt shumave të konsiderueshme financiare dhe më pas, dërgonin në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, persona të ndryshëm.

1736

ditë qëndrimi padrejtësisht në burg. Kjo është periudha që gjykata e Tiranës ka pranuar të dëmshpërblejë financiarisht ish-oficerin e Rinasit Eliano Canko, i cili disa vite më parë u arrestua si pjesë e grupit kriminal të quajtur “Go West”.

 

Zall-Herr, zhvillohet ceremonia e kujtimit të Voglit

Një vit pa komandon Feti Vogli, i vëllai

i vogël zëvendëson ushtarakun e vrarë në Afganistan

Një vit më parë, kapiteni i Forcave Speciale Feti Vogli humbi jetën në Afganistan gjatë një misioni luftarak. Ndërsa pas një viti vendin e tij në radhët e Komandove në Zall-Herr e ka zënë i vëllai, Florenc Vogli. Edhe pse me i vogël në moshë dhe ende pa grada, ai është efektivi më i ri Forcave Speciale. Në krah të nenës, motrës dhe bashkëshortes së Fetiut, ai ka nderuar para bustit të të vëllait i cili u vendos në oborrin, ku Feti Vogli shkelte përditë, në atë të batalionit të Forcave Speciale. Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të kapiten Feti Voglit, u çel muzeu i batalionit të Forcave Speciale. Një vend i veçantë i ishte kushtuar kapitenit të vrarë në Afganistan, madje për herë të parë u ekspozuan veshja e tij ushtarake dhe të gjitha armatimet që mbante në trup, kur mbeti i pajetë në Robat të Kandaharit. Mes lotësh, familjarët kryesisht, krerë të forcave speciale, kolegë e diplomatë kanë ndjekur një dokumentar për jetën e kapiten Voglit. Më pas familjarët dhe kolegët i janë drejtuar varrezave të dëshmoreve ku prehet Feti Vogli, që një vit më parë u shpall dëshmor i Atdheut. 31-vjeçari Feti Vogli humbi jetën në Kandahar të Afganistanit gjatë misionit paqeruajtës “Eagle 4” ndërsa mbeti i plagosur efektivi tjetër që tashmë u është rikthyer forcave speciale Aleksandër Peci. Të dy komandot shqiptarë ishin duke shoqëruar një grup humanitar, kur papritur janë sulmuar nga një patrullë policie me breshëri kallashnikovi. Pas hetimeve të kryera është dalë në përfundimin se vrasësit kanë qenë talebanët, të cilët ishin veshur si punonjës policie.

 

Vetëm ditën e djeshme janë prangosur 7 persona

Vidhet biznesi dhe një egjiptian

policia arreston autorët e ngjarjeve

Policia Tiranës ka arrestuar 7 persona për vepra të ndryshme penale, kryesisht në vjedhjen e bizneseve dhe grabitjen me dhunë të një shtetasi egjiptian. Arrestimet janë bërë gjatë ditës së djeshme dhe se në pranga kanë rënë shtetasit Edison Haklaj, 18 vjeç dhe Edison Ponari, 18 vjeç, pasi akuzohen se kanë vjedhur me dhunë një shtetas egjiptian. Ndërkohë që në orët e vona të mbrëmjes komisariati i policisë nr. 5 Tiranë ka bërë arrestimin në flagrance të shtetasit Luftim Sela, 56 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Paskuqan, Tiranë. Ky shtetas ka kërcënuar në sherr e sipër bashkëshorten me armë zjarri. Ndërkohë, nga komisariati i policisë nr. 4 Tiranë kanë arritur të dokumentojnë një tjetër vjedhje të një biznesi e ndodhur në zonën e Freskut në Tiranë. Më konkretisht, falë bashkëpunimit përmes Institutit të Policisë Shkencore u bë i mundur zbulimi i autorit të dyshuar të kësaj vjedhjeje, i është shtetasi Shefitjon Likaj,18 vjeç, lindur dhe banues në Fier, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar për një tjetër vjedhje të bërë në Tiranë. Pas këtyre arrestimeve policia e Tiranës, nuk ka dhënë asnjë të dhënë lidhur me ndalimin ose jo të grabitësve të argjendarisë, ku dy personat arritën të marrim rreth 450 kg flori.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency