A ka pasur vallë armiqësi mes jush?

0
148

Josif Brodski

 

18 shkurt Alphonse Mucha  spirit-of-spring-1894Per Publius Ovidius Nason. Dhe jo për arsye të ndonjë afrie të veçantë. S’ka rëndësi sa të ngjashme mund të shfaqen herë pas here rrethanat e mia me të në sytë e ndofarë vëzhguesi, unë nuk mund t’i krijoj Metamorfozat. Përveç kësaj, njëzetë e dy vjetët në këto vise nuk krahasohen më dhjetë në Sarmati. Të mos flasim pastaj që kam parë rënien e Romës sime të Tretë. Unë kam lavdinë time, por edhe atë me kufi. Tash që ata janë skicuar sipas moshës, janë më të perceptueshëm se më parë. Por, edhe kur kulish i pambrojtur, kur me flakën jashtë shtëpisë në Rrethin Polar, kurrë nuk e imagjinova veten kipc të tij. Megjithëse atëherë perandoria ime menjëmend ngjante e përjetshme dhe mund të gjezdisje nëpër akullin e shumë prej deltave tona gjithë dimrit.

Jo, kurrë nuk kam mundur ta përfytyroj fytyrën e Nasos. Nganjëherë e shoh atë të shkërbyer nga James Mason – sylajthi të njomur nga pikëllimi dhe çapkënllëku; herë të tjera, madje, është vështrimi i irnosur dimëror i Paul Neëmanit. Por atëherë, Naso ishte një djalosh shumëfytyrësh, dhe, padyshim, mbi dafinat e tij mbretëronte janusi. A jeni puqur ndonjëherë në mendime ju të dy apo diferenca në moshë ishte shumë e madhe? Njëzetë e dy vjet, sidoqoftë. Duhet ta kesh njohur, të paktën, nëpërmjet Mecenatit. Apo mendoje se ai ishte tepër mendjelehtë, e ke parashikuar fatin e tij? A ka pasur vallë armiqësi mes jush? Ai duhet të të ketë menduar luajal deri në gajasje, konservator të regjur, nga ata që çajnë vetë. Dhe për ty ai ishte vetëm një spurdhjak, një aristokratuc, i privilegjuar qysh në djep, etj. Jo si ti dhe Virgjili i Anthony Perkinsit, praktikisht, djema të klasës punëtore, vetëm pesë vjet diferencë. Apo kjo vjen ngase jam nginjur shumë me lexime nga Karl Marksi dhe kinema, o Horac? Ndoshta. Por, prit, ka më. Pastaj këtu hyn dr. Frojdi gjithashtu, sepse ç’na qenka ky lloj interpretimi ëndrre nëse nuk është filtruar përmes babaxhanit të mirë Ziggy? Sepse, qe vetë nënvetëdija ime e mirë dhe e vjetër treni i mendimeve që sapo përmenda, i cili më mori mbrëmjen e kaluar, dhe me goxha shpejtësi.

Gjithsesi, Naso ka qenë më i madh se ju të dy – epo, të paktën, sipas meje. Nga ana metrike, sigurisht, më shumë monoton; por i tillë është dhe Virgjili. Dhe po i tillë edhe Properci, me gjithë intensitetin e tij emocional. Sido që të jetë, latinishtja ime ta shpif; prandaj ju te gjithëve ju kam lexuar në rusisht. Ajo shkon shumë më përshtat me vargun tuaj asklepiadik shumë më bindshëm se gjuha në të cilën unë po shkruaj, pa marrë parasysh familjaritetin e alfabetit të kësaj të fundit.

I fundit nuk mund të përballojë daktilët. Gjë që ishte pika jote e fortë. A më saktë, pika më e fortë e latinishtes. Dhe Këngët e tua, sigurisht, vitrina e tyre. Kështu që, jam i shtrënguar ta gjykoj këtë produkt nga cilësia e imagjinatës (Ja tek është dhe mbrojtja jote, nëse ke nevojë për një të tillë). Dhe në këtë pikë, Naso ju mund të gjithëve.

Megjithatë, nuk mund t’i nomatis dot fytyrat e ju të gjithëve, të tijën sidomos; as edhe në ëndërr. Për të qeshur apo jo, të mos kesh pikën e idesë se si mund të dukeshin ata që mendon se i njeh më tepër? Sepse asgjë s’është tregues më i madh se përdorimi që mund të bëjë dikush i jambeve apo trokeve. Dhe, nga po e njëjta shenjë, ata që nuk përdorin metra janë gjithherë një libër i mbyllur, edhe po t’i njohësh fizikisht, mbarë e prapë. Si e thosh John Clare? “Edhe ata që njihja më tepër/Janë të huaj, jo! më të huaj se gjithkush tjetër”. Të paktën, metrikisht, Flakus, ti ishe më i ndryshmi mes tyre. Pak habitem që ky tren shfryrës e hungëritës të mori për inxhinierët e vet duke u larguar nga mijëvjeçari i tij e duke u drejtuar nga mijëvjeçarët tuaj, i pamësuar ndoshta me atë që quhet elektricitet. Kështu që, unë po udhëtoja në errësirë.

Pak gjëra janë më fort të mërzitshme se ëndrrat e njerëzve të tjerë, edhe pse ato janë makthe ose tepër mishtore. Kjo, or Flakus, vjen nga emërtimi i fundit. Qeshë në njëfarë dhome gjumi mobiluar hallakatshëm, në një shtrat ngjitur me radiatorin në formë gjarpri deti, edhe pse fort i pluhurosur. Muret ishin plotësisht të zhveshur, po mua më qe mbushur mendja se qeshë në Romë. Në të vërtetë, isha i sigurt se qeshë në Suburra, në apartamentin e asaj mikeshës sime bukuroshe qysh kohë më parë. Veçse ajo nuk ishte aty. Po ashtu, nuk ishin as librat, as pasqyra. Por vazot e kafenjta të luleve qëndronin tërësisht të paprekura, duke shpërhapur më shumë se aromën e bimëve të tyre, bojën e argjilës së vet: gjithë skena përbëhej nga tone terracota-cum-sepia. Ja pse e dija se isha në Romë.

Gjithçka kishte një hije terra-cotta-cum-sepia. Edhe çarçafët e bërë shuk në shtrat. Edhe korseja e qëllimit të dashurisë sime. Edhe ato pjesë të mezidukshme të anatomisë që nuk do të kishin mirësinë të nxiheshin nga dielli, i përfytyroj, madje në kohët e tua. E gjithë kjo qe pozitivisht monokrome; ndjeja që, po të kisha mundur të shihja me sytë e mi, do të isha edhe unë në sepie. Poende, nuk kishte pasqyrë. Përfytyroji pak vazot greke me dizenjot shumëfigurëshe rreth e përqark, dhe kështu do të dalë kanavaca.

Ky ishte takimi më i fuqishëm ku mund të kisha marrë pjesë ndonjëherë, qoftë në jetën time të njëmendtë, ashtu dhe në imagjinatë. Megjithatë, do mund të kalohej pa të tillë kufizime, duke marrë parasysh edhe karakterin e kësaj letre. Që do të thotë se më la përshtypje të fortë qëndrueshmëria ime sakur edhe epshi im. Duke marrë parasysh moshën, pa zënë më ngoje gjendjen kritike të zemrës sime, këto kufizime ia vlen të mbështeten, qoftë kjo ëndërr apo jo. Pa diskutim, objekti i dashurisë sime -objekt qëkurse është përvetësuar — ka qenë dukshëm më i ri se unë, por jo se na kanë ndarë humnera. Trupi në fjalë dukej se ishte afër të dyzetave, eshtak, por i forte dhe jashtëzakonisht elastik. Megjithatë, aspekti më kryesor i tij ishte shkathtësia e tmerrshme, tërësisht nënshtruar qëllimit të tij të vetëm: shmangies së banaliteteve të shtratit. Për të reduktuar gjithë orvatjet në një gdhendje guri, torsoja i epërm i qëllimit tim do të kridhej në një ulluk të ngushtë, një fut i gjerë mes shtratit dhe radiatorit, me vithet e paprekura nga rrezet e diellit, dhe unë sipër tyre, që pluskoj mbi skajin e dyshekut. Kindi prej dantelle i korsesë do të kishte shërbyer si shkumë.

Përmes gjithë kësaj, nuk ia pashë fytyrën. Për arsyet e mësipërme të nënkuptuara. Gjithë sa dija rreth saj qe se ajo ishte nga Leptis Magna, edhe pse nuk ia kisha idenë si e mora vesh këtë. S’kishte ndonjë kolonë zanore në këtë takim, madje besoj se nuk shkëmbyem as dy fjalë. Edhe nëse kemi folur, kjo para se të vetëdijesohesha para procesit dhe fjalët duhet të kenë qenë në latinisht: se ç’kam një ndjesi të mjegullt të njëfarë pengese në komunikimin tonë. Megjithatë, gjithë kohës më duket se dija ose ia dilja të’ hamendësoja më parë se kishte diçka prej Ingrid Thulit në konstruktin e fytyrës së saj. Këtë ndoshta e kam pikasur kur, herë-herë dora e djathtë e saj, e zhytur siç ishte në shtrat, me një lëvizje sa para prapa, kërkonte dredhat e ngrohta të radiatorit të pluhurosur.

Kur u ngrita në – p.s., këtë – mëngjes, dhoma ime e gjumit qe tmerrësisht e ftohtë. Një dritë e turbullt dhe bezdisëse mbërrinte prej dy dritareve si njëfarë pluhuri. Ndoshta pluhuri është në të vërtetë mbeturinë e dritës; saora mbylla sytë; porse dhoma në Suburra u zhduk. E vetmja dëshmi për çka ngjau, por që u zvarrit në errësirë përnën jorgan, ku drita e ditës nuk mund të depërtonte, por që ashiqare, u zvarris një grimëherë. Përbri meje qëndronte i hapur në mes, libri yt.

Pa dyshim, për këtë ëndërr, duhet të të falënderoj pikërisht ty, or Flakus.

Dora me ngërçe që përpiqet të shtrëngojë radiatorin, mund të nënkuptojë, sigurisht, stërzgjatjen dhe rrotullimin e qafës në kohërat e qëmotit, kur mikesha ime e lezetshme

apo unë përpiqeshim ta kundronim veten në atë pasqyrën me kornizë të praruar. Por unë dyshoja – dy torse nuk mund të thuken gjer në përmasat e një dore; asnjë nënvetëdije nuk është aq e kursyer. Jo, jam i mendimit se kjo dorë ka përsëdytur lëvizjen e përgjithshme të vargut tënd, paparashikueshmërinë e tij të plotë dhe tok me të tendosjen e pashmangshme – jo! Sforcimin – sintaksën tënde gjatë përkthimit. Si rezultat, çdocili varg i yti është i mahnitshëm. Megjithatë, ky nuk është kompliment; është thjesht një konstatim. Në llojin e ustallëkut tonë, marifetet janë të natyrshme, de riguer. Dhe proporcioni standard – është,

për shembull, një mrekulli e vogël për strofë. Nëse poeti është jashtëzakonisht i mirë, ai mund të krijojë nga dy. Ti praktikisht e ke çdo varg – aventurë; nganjëherë – disa aventura në një varg. Sigurisht, disa sosh janë meritë e përkthimeve. Por unë po dyshoj që në latinishten tënde amtare, lexuesit e tu si zor t’ia kenë qëlluar se cila do të jetë vijuese.

Kjo është si ecjet e përhershme mbi xhama të thërmuar apo diç e kësisojtë: mentale-orale?- variantin e xhamit të thërrmuar, shqepimin dhe përhedhjen lingthi. Apo të ngjashme me këtë dorë që shtrëngon radiatorin: kishte diçka logaedike në heqjen dhe shtrirjen e dorës së saj. Por afër meje ama, qenë “Këngët” e tua.

Përktheu nga origjinali: Elvana Zaimi

Fragment marrë nga “Letër Horacit”, “Aleph” 2003, nr. 14

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency