Arta merr “Shooting Stars”

0
137

artaAktorja Arta Dobroshi ka qenë e vetmja prej 10 kolegëve të saj evropianë, për të cilët janë shkruar dy sqarime, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për aktorët e rinj më të mirë në Evropë, që është mbajtur të hënën në mbrëmje, në kuadër të “Berlinales”. Ndërsa nëntë kolegët e saj nga Italia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Rumania, Sllovenia, Suedia dhe Zvicra janë prezantuar vetëm me emrin e shtetit të tyre, shteti i Dobroshit është prezantuar me fusnotë, fryt i marrëveshjes së dialogut Kosovë-Serbi për prezantim ndërkombëtar të shtetit më të ri në Evropë- ka tërhequr vëmendjen, mediat e Kosovës.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Dobroshin që të bëhet e para aktore nga Kosova që merr çmimin “Shooting Stars” për aktorët e rinj më të mirë në Evropë që e ndan “European Film Promotion”.

Në fakt, rajoni nuk ka përvojë të mirë në “Shooting Stars”, që ndahet prej vitit 1998. Nga Shqipëria ka qenë aktori Nik Xhelilaj që në vitin 2011 kishte marrë çmimin “Shooting Stars” për rolin e tij në filmin “Shqiptari” nën regji të Johannes Naber dhe ishte vlerësuar edhe për filmat “Gjallë” të Artan Minarollit dhe “Trishtimi i zonjës Schneider” nën regji të Piro Mikanit. Po atë vit, një tjetër aktore nga rajoni, përkatësisht nga Maqedonia, Natasha Petroviç, e ka marrë këtë çmim. Serbia nuk ka fitues. Ceremonia është organizuar të hënën në mbrëmje, e mbajtur në mënyrë solemne në “Berlin Palast”, ku nderimi me çmimin i Dobroshit është bërë pas nominimit nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

E veshur me një fustan të zi – të ngushtë në pjesën e sipërme dhe të gjerë e goxha të hapur në pjesën e poshtme, kreacion i Krenare Rugovës – Dobroshi ka marrë vëmendjen e madhe të mediave, që prej parakalimit të saj në qilim të kuq e deri te pranimi i çmimit. Gjatë parakalimit në qilim të kuq, emri i saj ka qenë më së shumti i thirrur nga gazetarët e shumë mediave botërore.

Dhe kur ka hyrë brenda sallës ku ka marrë çmimin, ajo është vlerësuar maksimalisht nga juria e çmimit e përbërë nga producentja gjermane, Bettina Brokemper, gazetari francez, Thierry Cheze, regjisorja britanike, Jina Jay, aktorja italiane, Alba Rohrëacher, dhe skenaristja e regjisorja boshnjake, Jasmia Zhbaniq. Ajo është vlerësuar për rolin e saj në filmin “Tri botët”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Shooting Stars” është transmetuar live në kanalin zyrtar të “Berlinales” në internet.

“Në filmin “Tri botët” aktorja tregon pasuri, ngrohtësi dhe humanitet. Ndjeshmëria dhe zgjuarsia e saj zapton ekranin e madh që në minutën e parë që ajo duket. Një performancë e pakalueshme”, ka thënë regjisorja Jasmina Zhbaniq, teksa ka prezantuar aktoren kosovare. Ky gjithashtu ka qenë edhe arsyetimi i jurisë, mbi të cilin janë bazuar, kur kanë zgjedhur Dobroshin në listën e aktoreve të reja më të mira në Evropë. Përpara se të nisë ceremonia e dhënies së çmimeve është prezantuar edhe filmi “Before Midnight” nën regji të Richard Linklater. Yjet e filmit Ethan Hawke dhe Julie Delpy kanë qenë ata që kanë ecur nëpër qilimin e kuq. Por jo vetëm. Të dy këta aktorë janë përzgjedhur që të dorëzojnë çmimet, kolegëve të tyre të cilët kanë fituar “Shooting Star 2013”. Përveç Arta Dobroshit, aktorët më të mirë të rinj të Evropës për vitin 2013 janë edhe Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicra.

E aktorja Delphy ka pasur një këshillë për kolegët e saj të rinj. “Mos e bëni këtë profesion. Por nëse e bëni ju uroj fat”, ka thënë Deplhy, teksa aktori Hawke nuk ka preferuar të thotë asnjë fjalë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Në ceremoninë e së hënës nuk ka pasur fjalime as nga aktorët që kanë marrë çmimin.

Dobroshi, në dhjetor të vitit të kaluar, kur kishte marrë vesh për çmimin, i kishte thënë “Kohës Ditore” se ky çmim ka rëndësi të madhe për të.

Por, sipas saj, më e rëndësishme është për vendin. “Kosovës me këtë çmim i hapen dyert në tregun ndërkombëtar të filmit”, kishte thënë ajo.

Bazuar në përshkrimin e profilit të Dobroshit, në sajtin e EFP-së, ajo ka rënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare me rolin e saj në filmin “Heshtja e Lornës” të vëllezërve Dardenne, premiera e të cilit u dha në Cannes në vitin 2008 dhe ajo fitoi një nominim në kategorinë për aktoren më të mirë në “European Film Awards”. Ajo filloi bashkëpunimin me Daniel Mulloy në filmin e shkurtër “Baby” për të vazhduar me të tjerë filma. Performanca e saj në filmin e Catherine Corsini, “Three Worlds”, i ka dhënë asaj çmimin për aktoren më të mirë, “The Barbara Tiplle” tek “Women’s International Film and Television Showcase” në Los Anxhelos. Për çmimin “Shooting Stars”, Arta është vlerësuar edhe për rolet e saj në filmat “Later Bloomers” një kooproduksion mes Francës, Belgjikës dhe Britanisë, i prodhuar në vitin 2010, nën regji të Julie Gavras. Përpos kësaj juria e ka vlerësuar edhe për rolet e saj në filmin “Baby” nën regji të Daniel Mulloy, “Trishtimi i zonjës Schneider” dhe për rolin e saj në filmin e vitit 2005 nën regji të Kujtim Çashkut, “Syri magjik”. Aktorja kosovare po ashtu është e nominuar edhe për çmimin prestigjioz “Cesar Award”. Ceremonia do të mbahet në fund të muajit.

Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, juria ka thënë se ka qenë e vështirë të zgjidhet kjo përbërje e këtij viti, por lista prej 10 aktorësh, sipas tyre, portretizon secilin emocion të njerëzve. “Kur shoh këta aktorë, jam shumë e bindur se e ardhmja e kinematografisë evropiane është shpresuese”, ka thënë regjisorja Zhbaniq. “European Film Promotion” është formuar në vitin 1997 në përbërjen e së cilës janë 34 shtete evropiane, ndërsa programi i saj “Shooting Stars” – Aktorët më të mirë të rinj evropianë është financuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency