Shëndetësia Rama, akuza LSI-së: Sektori ku duhet përmbysur komplet sistemi

0
154

Gëzim Saliu

rama“Arsyeja pse edhe në programin tonë pjesa e shëndetësisë është pjesa më radikale, është sepse këtu realisht duhet përmbysur komplet”

 

Shëndetësia është sektori ku duhet përmbysur komplet sistemi. Kështu ka deklaruar dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke bërë të ditur se pjesa e shëndetësisë përbën pjesën më radikale në programin e socialistëve, për shkak të gjendjes të mjerueshme në të cilën ndodhet ky sektor. Në vizitën e djeshme në Spitalin Ushtarak në Tiranë, në kuadër të javës së shëndetësisë dhe prezantimit të programit të PS-së, Rama ka bërë të ditur hapat që duhet të ndërmerren për të ndryshuar gjendjen e këtij sektori. “Arsyeja pse edhe në programin tonë pjesa e shëndetësisë është pjesa më radikale, është sepse këtu realisht duhet përmbysur komplet. Duhet ndryshuar komplet sistemi i financimit. Duhet ngritur shërbimi kombëtar shëndetësor, domethënë shteti ta blejë shërbimin. Ta blejë shteti, jo ta blejë qytetari. Dhe shteti ta ofrojë nëpërmjet shërbimit kombëtar shëndetësor në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. I duhet dhënë autonomi trupës mjekësore. Trupa mjekësore duhet të jetë me një autonomi të konsiderueshme dhe spitalet duhet të jenë ndërmarrje spitalore. Dhe buxheti nuk mundet dot të përcaktohet në ministri. Buxheti përcaktohet me prioritetet, hapat, shpenzimet përcaktohen me borde të spitalit”, – ka shpjeguar Rama, duke hedhur jo pak akuza indirekte ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka qenë forca politike që nëpërmjet ministrave të saj ka drejtuar këtë sektor për thuajse katër vite.

 

Takimi

Në takimin me drejtuesit, mjekët dhe infermierët e Spitalit Ushtarak në Tiranë, kreu socialist ka vlerësuar lart rëndësinë që ka ky spital, që është unik në llojin e vet në Shqipëri. “Në dy-tri momente tragjike që ka pasur ky vend, të gjithë tek dera e këtij spitali kanë ardhur. Kjo mjafton për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, që po u humb kjo bazë zbarkimi e njerëzve në nevojë për ndërhyrje të shpejtë apo për ndërhyje të specializuar për trauma, ku do shkojnë. Ku do shkojnë?!”, – deklaroi kreu i PS-së. Më tej, Rama ka theksuar se gjëja e parë që duhet dhe do të bëjë PS pas 23 qershorit do të jetë rimarrja e kontrollit të plotë të mjediseve spitalore dhe vendosja e tyre në efiçencë në funksion të të sëmurëve. “Duhet filluar me hapin e parë që është rimarrja e kontrollit mbi territorin e spitaleve të Republikës së Shqipërisë nga shteti. Se këtu territoret e spitaleve janë bërë toka e asnjërit, o burra kush mundet, njëri zapton për një parkim, tjetri për një lavash, tjetër për një piceri. Dhe ndërkohë qeveria vazhdon me të vetën një kat ia jep një privati, një cep ia jep një privati tjetër. Njerëzit hyjnë e dalin, makinat hyjnë e dalin. Këtu vetëm spital nuk është, kur e sheh. Po jo ky, por në territorin spitalor të Republikës së Shqipërisë vetëm spital nuk ka nga pikëpamja e asaj që sheh, e asaj që të rrethon dhe e asaj që të pret”, – pohoi Rama. Ndërkohë, mjekët në takimin me kryesocialistin kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e bazës materiale, çka i detyron pacientët, sipas tyre, që të sjellin me vete të gjitha materialet që duhen për operacionet që duhet të kryejnë.

 

 

Numërimi elektronik, KQZ shpall fitues kompaninë INDRA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur fituese kompaninë spanjolle INDRA për sistemin elektronik të Fierit. “Kjo kompani në ofertën e saj financiare ofroi shifrën prej 1.548.475 euro pa TVSH për realizimin me shërbim të këtij projekti dhe pas negociatave të zhvilluara u arrit në vlerën përfundimtare prej 1.381.075 euro pa TVSH. Ju bëj me dije se vlera blerjes së këtyre pajisjeve të ofruara nga kjo kompani ishte 2.457.845 euro pa TVSH. Në këto kushte Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi që kjo kompani të ofrojë vetëm shërbimin për realizimin e Sistemit Elektronik të Numërimit të Votave në qarkun e Fierit kundrejt vlerës 1.381.075 euro pa TVSH”, – u shpreh zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha. Po ashtu, ajo bëri të ditur se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka përfunduar shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit administrativ-ligjor të paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në procedurën konkurruese për realizimin e Sistemit Elektronik të Verifikimit të Zgjedhësve në qarkun e Tiranës. “Në përfundim të fazës së parë të vlerësimit të këtij dokumentacioni nga të pesta kompanitë që paraqiten interes, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përzgjodhi dy kompani, dhe konkretisht, kompanitë INDRA dhe Bashkimi i kompanive Morpho & Aleat të cilat në datën 15 shkurt 2013 do të paraqesin ofertat e tyre financiare për realizimin e projektit të mësipërm. Për ecurinë e kësaj procedure do t’ju njoftojmë në ditët në vijim”, – u shpreh zëdhënësja e KQZ-së, Hoxha.

 

Zgjedhjet, Instituti i Pajtimit Kombëtar: T’u jepet e drejta e votës të ngujuarve

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Instituti i Pajtimit Kombëtar bëri dje thirrje që të sigurohet e drejta e votës edhe për personat e ngujuar. Përmes një kërkese zyrtare, drejtuar kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi, Instituti i Pajtimit Kombëtar kërkoi që të mundësohet infrastruktura e nevojshme që personat e ngujuar të mund të votojnë më 23 qershor. “I kemi dërguar një kërkesë kryetares së KQZ-së, zonjës Lefterie Lleshi, për t’i kërkuar të ndikojë në zbatimin e të drejtave të këtyre familjeve dhe të mendojë për një zgjidhje për personat e prekur nga fenomeni i gjakmarrjes. Në zgjedhjet e mëparshme kemi pasur një përvojë pozitive në këtë drejtim, pasi Instituti i Pajtimit Kombëtar, i ndihmuar nga forcat e rendit ka shoqëruar rreth 700 familje në qendrat e votimit”, – deklaroi kryetari i Institutit të Pajtimit Kombëtar, Agim Loci. Sipas Locit, ky institut po përgatit listën e familjeve që nuk mund të dalin nga shtëpitë për të marrë pjesë në votime.

 

Meta: Të votojmë tri ligjet, të mos e lëmë vendin në staniacion

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ka bërë thirrje dje opozitës për të votuar tri ligjet e cilësuara nga KE-ja si kushte për marrjen e statusit. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku u përcaktuan hapat që do të ndërmerren deri në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit nga kjo forcë politike, Meta theksoi: “Ne do të vazhdojmë si Lëvizje Socialiste për Integrim të angazhohemi në mënyrë konstruktive për të zhbllokuar procesin e integrimit i cili po pëson një staniacion të pa drejt dhe të pa merituar gjatë muajve të fundit kur dihet se miratimi i tre ligjeve është një minimum i pa evitueshëm për marrjen e statusit pavarësisht se nuk është gjithçka . Gjejmë rastin edhe njëherë që tu kërkojmë gjithë forcave politike për të marr përgjegjësit e tyre për t’i votuar këto ligje dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm për marrjen e statusit të vendit kandidat. Nuk mundet të vihemi në pozitën kur edhe Evropa e kërkon dhe ne ta refuzojmë atë qoftë edhe për kokëfortësi të një pjese të politikës sonë për arsye sepse jam i bindur se shoqëria jonë është e bashkuar në këtë çështje dhe nuk është e ndarë”. Po ashtu, kreu i LSI-së duke shprehur bindjen për një rezultat pozitiv të forcës që drejton në zgjedhjet e 23 qershorit, nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së standardeve në këtë garë elektorale. “Angazhimi ynë i parë edhe në këtë takim dhe përgjatë gjithë këtyre muajve që vijnë, deri në 23 qershor, është në funksion të standardeve të zgjedhjeve. Me këtë rast i ftojmë edhe forcat e tjera politike të tregojnë të njëjtin angazhim, të mos paragjykojnë zgjedhjet, mos ekzagjerojnë probleme të caktuara, qoftë edhe të vetë funksionimit të gjithë piramidës së sistemit të administrimit zgjedhor”, – deklaroi kreu i LSI-së Ilir Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency